Shembull sakrifice për kombin dhe atdheun

Gjekë Gjonaj

(vijon nga numri i kaluar)

Me gjakun e tij vulosi idealin e lirisë
Luftërat më të përgjakshme dhe më heroike në historinë e saj u zhvilluan në Malësinë e Madhe në vitin 1911. Jehona e tyre u përhap në të gjitha trevat e tjera shqiptare. Kryengritësit malësorë në malin e Deçiqit, midis të cilëve ishte edhe Dedë Gjon Ujka, të udhëhequr me sukses nga Dedë Gjo’ Luli, nuk u tërhoqën dhe nuk u dorëzuan para pushtuesve turq të armatosur rëndë. Luftëtarët vullnetarë të shquar, të guximshëm dhe trima si zanat, luftuan me pushkë dhe nuk kishin nevojë për topa, siç e dinte Evropa, me një copë bukë, me gjysmë opinga, luftuan natën, në dritën e hënës edhe në zemër të errësirës… Këta luftëtarë të guximshëm të lirisë, në këtë betejë të fuqishme, e cila shënoi një pikë kthese në çlirimin e shqiptarëve nga Perandoria Osmane, arritën me gjakun e tyre të derdhur ta ngrinin lart flamurin shqiptar në Bratilë të Deçiqit (Grudë), më 6 prill 1911.
Malësori trim, Dedë Gjon Ujka, përveç betejave të ashpra me ushtarët osmanë në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, u shqua si udhëheqës dhe komandant në betejën më të përgjakshme në Qafë të Uglës. Kjo luftë, në të cilën, sipas rrëfimeve të të moshuarve, morën pjesë kryengritës nga të gjitha malet e Malësisë – Hoti, Gruda, Trieshi, Koja, Kastrati, Shkreli etj. ishte rruga e atdhetarizmit, rruga që për fat të keq e çoi në vdekjen e tij. Atje, në vijën e frontit, ai ra dëshmor, duke vulosur idealin e lirisë me gjakun e tij. Ai u sakrifikua për mbrojtjen e tokës shqiptare në një kohë kur shpresat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi po shuheshin, sepse zyrat e Evropës deklaronin se nuk kishte komb shqiptar.

Shembull i sakrificës për kombin dhe atdheun
Historia e Dedë Gjon Ujkës nga Vuksanlekajt dëshmon se sa dhimbshëm filloi, me sa vuajtje, vështirësi e sakrifica vazhdoi dhe sa tragjikisht përfundoi jeta e një patrioti të shquar të kombit. Një hero që luftoi dhe sakrifikoi jetën për liri dhe çlirim, duke mbrojtur Malësinë dhe tokat arbërore nga Perandoria Osmane. Me sublimimin e jetës dhe veprës së tij të jashtëzakonshme, ai u la shqiptarëve një shembull sakrifice për kombin dhe atdheun.

Kënga nuk do ta lejojë kurrë të harrohet
Trimëria dhe heroizmi i këtij luftëtari, plot entuziazëm dhe frymëzim patriotik, i dalluar për aftësitë e tij udhëheqëse dhe fryma kombëtare, jo vetëm që u memorizuan në kujtesën kolektive të popullit shqiptar, por u përjetësuan përmes një kënge, që shekujt nuk do ta lejojnë të harrohet kurrë.
“Kah po vjen era barotit,
N’Vuksanlekaj në Mal t’Hotit.
N’Vuksanlekaj u ba nami,
Me tabor ka msy Sulltani.
Ded Gjon Ujka me vllazni,
Na i del para ksaj ushtri.
Po kah don ti kah Malsia,
Se k’to janë trojet e mia.
Po ta jap besen e Zotit,
S’ke hi gjallë ti, n’mal të Hotit,
N’at Qafe t’Uglit kercet pushka,
Po lufton jaj Ded Gjon Ujka.
Gjon Tom Hasi trim si zana,
Paska hy nder nizama,
Thotë Sulltanin se durojmë,
Pa gjak Hotin nuk e lshojm’.
Çka ka toka që gjimon,
Pjeter Zeku ç’po lufton,
Si vetima i bjen nizamit,
Lek Martini shqipe malit,
Kercet pushka e Lek Martinit,
Luftojn’ djemt’ e Traboinit.
Kush ja nxuni turkut priten,
Jaj Nik Ujka me Luc Niken,
Shumë nizamat i kanë damtua,
Municion shokve tue u çua.
Kush lufton si era e malit.
Lek Gjeloshi i Gjelosh Franit.
Krisi pushka pa ia nda,
Njaj Luk Nika kenka vra,
Nik Gjeloshi bani gajret,
Njaty Nika paska mbet,
Ded Gjon Ujka trim i rrallë,
Disa plumba e kanë marrë,
Gjon Tom Hasi po viket,
Ded Gjon Ujka paska mbet,
Vaj medet për kët’ far’ trimit,
S’ja la t’shoqin Traboinit.
Gjon Tom Hasi trim dragua,
N’at Qaf Ugel ka marua.
Kajmekani ban medet,
Shumë ushtria em paska mbet’,
Mallkua kjoft mbreti i Stamollit,
Çi na çoi n’mal të Hotit,
Kushtrim çon era e barotit,
Çou të fala Malsia e Hotit.”

Dëshmor i Atdheut
Edhe pse Dedë Gjon Ujka gëzonte autoritet të madh midis shqiptarëve dhe zinte një vend të nderuar në altarin e lirisë, autoriteteve zyrtare shqiptare u deshën gati 90 vite për ta vlerësuar këtë personalitet të jashtëzakonshëm të popullit tonë, i cili luftoi për mbrojtjen e tokave shqiptare, së cilës i dhuroi gjënë më të çmuar – jetën. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 792/19, më 15.8.2020, e shpalli zyrtarisht atë “Dëshmor i Atdheut”.

Një monument që përkujton lavdi
Për vite me radhë, Gjeto Kolë Uci Camaj inicoi ndërtimin e një varri monumental, në varrezat familjare në Vuksanlekaj, për gjyshin e tij Dedë Gjon Ujkën, për të cilin krenohet jo vetëm ai dhe familja e tij, por edhe e gjithë vëllazëria e Camajve dhe e gjithë Malësia. Porosia (amaneti) e tij e shenjtë, me të cilën ai u largua nga kjo jetë, u mbajt nga bijtë e tij (familjarët), të cilët ngritën një monument të bukur në përkujtim të lavdisë së stërgjyshit të tyre. Famullia e Tuzit, në bashkëpunim me familjen e Gjeto Kolë Camajt organizoi një ceremoni përkujtimore në nderim dhe mirënjohje për këtë dëshmor të popullit. Në këtë aktivitet përkujtimor morën pjesë priftërinj të Kishës Françeskane, përfaqësues të institucioneve lokale dhe të diasporës, si dhe shumë malësorë nga vise të ndryshme shqiptare. Dëshmorët e kombit si Dedë Gjon Ujka i Vuksanlekajve nuk vdesin kurrë. Ata janë bartësit e pishtarëve të Malësisë dhe Shqipërisë, njëkohësisht bijtë e lavdisë sonë kombëtare.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat