Promovues i kulturës së Ulqinit

Në gjenet dhe gjakun e tij ka trashëguar nga babai dashurinë për të shkruar dhe hulumtuar, kurse nga nëna e cila ka lindur në shkumbën e detit, dashurinë për detin dhe të kaluarën tonë. Natyrisht, pa dyshim se edhe një mjedis siç është Ulqini ka ndikuar në zhvillimin dhe formimin e personalitetit të tij, i cili në opusin e interesimit të tij ka një mori aktivitetesh

Ismet Karamanaga

Ka kohë që mendoj të shkruaj një portret të shkurtër për Gazmend Çitakun. Ai është një njeri i rrallë, adhurues i kulturës për të cilën angazhohet në shumë segmente, me një pasion dhe dashuri të madhe.
Gazi, siç e thërrasim të gjithë, është një njeri modest. Populli ynë ka një shprehje: një njeri “i butë”, i vyeshëm dhe komunikativ. Jam më se i sigurt që ai edhe kur zemërohet, ose bëhet me nerva, nuk din ta ngrejë zërin. Gjithçka e merr me të qeshur.
Në gjenet dhe gjakun e tij ka trashëguar nga babai dashurinë për të shkruar dhe hulumtuar, kurse nga nëna e cila ka lindur në shkumbën e detit, dashurinë për detin dhe të kaluarën tonë. Natyrisht, pa dyshim se edhe një mjedis siç është Ulqini ka ndikuar në zhvillimin dhe formimin e personalitetit të tij, i cili në opusin e interesimit të tij ka një mori aktivitetesh.
Në shtëpinë e tij në Mahallën e Re, Gazmendi ka një dhomë, galeri, ku gjendet një numër i sendeve, një ekspozitë shumë interesante, të them më mirë një muze privat, i cili ditë për ditë pasurohet me sende dhe eksponate nga e kaluara jonë. Këtu ka shumë gjëra, por edhe vepra nga veprimtaria e tij e suksesshme si publicist dhe autor i albumeve, filmave dokumentarë dhe publikimeve të tjera. Njeriu fascinohet me entuziazmin e tij për të bërë një hapësirë kaq interesante dhe shumë edukative.
Në çdo pëllëmbë të kësaj hapësire, jam më se i sigurt kaq të shtrenjtë dhe të shenjtë, sundon një mrekulli e rregulluar dhe e planifikuar nga duart e arta të këtij punëtori të palodhur. Ai, por edhe çdo njeri i cili gjendet brenda kësaj hapësire ushqen shpirtin me llojllojshmërinë e eksponateve të cilat qëndisin këtë hapësirë. Mua më duket që kjo bukuri, përveçqë të fascinon, është edhe një relaksim për sytë dhe shpirtin.

Në shtëpinë e tij në Mahallën e Re, Gazmendi ka një dhomë, galeri, ku gjendet një numër i sendeve, një ekspozitë shumë interesante, të them më mirë një muze privat, i cili ditë për ditë pasurohet me eksponate nga e kaluara jonë. Këtu ka shumë gjëra, por edhe vepra nga veprimtaria e tij e suksesshme si publicist dhe autor i albumeve, filmave dokumentarë dhe publikimeve të tjera. Njeriu fascinohet me entuziazmin e tij për të bërë një hapësirë kaq interesante dhe shumë edukative

Sa i përket publicistikës, në revistën “Kronika” ka lënë gjurmë të pashlyera. Po ashtu kontribuon për botimin e revistës “Dija”, si një ndër redaktorët e saj.
Gazmendi gjithmonë ka sjellë risi në kulturë. Duhet të mos harrohet filmi dokumentar “Servantesi në Ulqin”, kurse fotoalbumi i përgatitur prej tij “URLAUB IN ULQINI” me fotografi nga Alfred Wollner ka mbetur i papërsëritshëm.
Natyrisht, gjithmonë është i pari në Panairin e Librit, i cili vite me radhë organizohet në Ulqin. Ai është edhe autor i librit “Tregime të çuditshme nga Ulqini”, por shpesh është edhe moderator dhe kritik,
Dua ta përmend edhe monografinë “Udhëtim në kështjellat ilire të Malit të Zi”, një libër që duhet të gjendet çdokund ku ka njerëz të kulturës në përgjithësi. Më 8 qershor 2019, brenda mureve të Kalasë pranë Muzeut Arkeologjik, është bërë përurimi i këtij libri të jashtëzakonshëm, të them më mirë i një albumi apo monografie me fotografi të jashtëzakonshme dhe tekste të shkruara nga autori, si një vazhdimësi e punës së tij të palodhshme. Një ndihmesë të madhe pati edhe nga Sami Flamuri dhe Gëzim Mavriqi, të cilët e kanë përcjellur gjatë këtij udhëtimi në kështjellat ilire në Malin e Zi. Përurimi është bërë në mënyrë spontane, në prani të një publiku të zgjedhur, ku folën vetë autori, pastaj Samiu dhe shkrimtari Jaho Kollari.
Një përurim i tillë ka lënë mbresa të bukura te ne dhe në fund shpreha mendimin tim që do të ishte mirë që në të ardhmen të bëjmë përurime të librave dhe manifestime të tilla, gjithmonë në këtë hapësirë kaq të shtrenjtë të qytetit tonë të bukur. Kështu kanë vepruar edhe më parë në kohët e lashta antike, pra në hapësira dhe sheshe publike të tilla, edhe grekët dhe romakët e vjetër. Është mirë që manifestime të ndryshme gjithmonë t’i organizojmë në vende dhe sheshe të tilla, në veçanti në kuadër të “Skenës Verore” brenda mureve të Kalasë.
Përveç këtyre aktiviteteve, në këtë portret të shkurtër kushtuar Gazmend Çitakut dëshiroj t’i ceki edhe disa aktivitete nga opusi i gjerë i këtij entuziasti të kulturës sonë. Ai është edhe një hulumtues i etnografisë sonë. Punon pa ndërprerje, ka një elan të pashtershëm dhe një durim të pafund. Ai është edhe redaktor teknik i shumë librave që botohen në Ulqin dhe më gjerë.
Mendoj se një njeri me kapacitet të tillë duhet të angazhohet më tepër nga organet kompetente të Komunës në lëmi të kulturës, pasi që jam më se i sigurt që ai me dijen dhe talentin e tij mund të kontribuojë shumë më tepër në ngritjen e kulturës dhe identitetit tonë në përgjithësi.
Në një nga postimet në profilin tim në “Facebook”, një ndër lexuesit e mi ka komentuar: “Gazin duhet angazhuar në Muzeun e Qytetit. Pasioni dhe njohuritë e tij duhet të vihen në funksion të të gjithë dashamirëve të Ulqinit tonë. Me nderime e shpresë që ka ndonjë mendje ekzekutive që i lexon e arsyeton këto rreshta”.
Me punën tij të palodhur Gazmend Çitaku është një promovues i kulturës së Ulqinit çdokund ku shkel këmba e tij. Mendoj se është mirë të përmenden personalitetet, në veçanti adhuruesit dhe punëtorët e kulturës siç është Gazmendi, pavarësisht që ai ende është në fillimin e rrugëtimit të tij. Mirëpo, shkrimet dhe publikimet tjera duhet të stimulojnë njerëz të talentuar të cilët kanë një energji të madhe dhe vullnet të mirë. Gazmend Çitaku i ka të gjitha këto.

Të fundit

më të lexuarat