Mbishkrimi “Ars longa, vita brevis” (Arti është jetëgjatë, jeta është e shkurtër) mbi portën e shtëpisë së të ndjerit Rudi Goga në Kalanë e Ulqinit tërheq vëmendjen e çdo kalimtari dhe turisti, pavarësisht njohurive të tij për artin. Ajo është një sintagmë e cila vlen edhe për piktorët Bilal Nikezin dhe Naser Hasën, shokët e tij të ngushtë.
Në fokusin e shkrimit tim është Naser Hasa, një piktor akademik i shkolluar në Beograd dhe në Prishtinë, ku ka studiuar dhe specializuar artin figurativ, i njohur jo vetëm në Ulqin dhe ndër shqiptarët në Malin e Zi, por edhe në rajon dhe Evropë. Ekspozitat e shumta individuale dhe kolektive, në vend dhe jashtë, flasin më së miri për aktivitetin dhe veprat e këtij piktori, i cili zë një vend të veçantë në majën e piramidës së piktorëve tanë shqiptarë me famë evropiane.
Duke qenë se nuk i takoj fushës së artit, e kam vështirë të shkruaj në mënyrë profesionale për veprën e tij, por si një adhurues i artit dhe shok i tij që e njeh mirë jetën e këtij piktori në qytetin e bukur të Ulqinit, do të përpiqem të ravijëzoj një portret të tij.
Ulqini është me fat dhe krenar që në të kanë lindur, jetuar dhe vepruar shumë artistë të njohur, në mesin e të cilëve pa dyshim bën pjesë piktori Naser Hasa. Ai është pjesë e treshes së njohur të piktorëve Rudi Goga – Bilal Nikezi – Naser Hasa. Thënia “Ars longa, vita brevis”, e shkruar në derën e mikut të tij të ndjerë, Rudi Goga, vlen dhe ka një peshë të veçantë edhe për Bilal Nikezin dhe Naser Hasën, i cili ka lënë gjurmë në artin tonë dhe më gjerë. Kjo treshe e pandarë e piktorëve ishin të papërsëritshëm në artin tonë. Dëshiroj të gaboj, por kam frikë se duhet të kalojë shumë kohë që dikush të arrijë një shkallë të lartë të krijimtarisë së tyre artistike. Pa dyshim që këtij grupi i përket edhe piktori i madh Gjergj Noc Martini, por duke qenë se ai e ka zhvilluar krijimtarinë e tij edhe jashtë Ulqinit, tre piktorët akademikë ishin simbolikisht si ata tre musketarët.
Pikturat e panumërta të Naser Hasës në atelienë në shtëpinë e tij, por edhe në shumë shtëpi private në Ulqin, Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Evropë etj.. si dhe ekspozitat individuale dhe kolektive ku ai ka ekspozuar, përfshirë Parisin, Vjenën dhe qendrat tjera evropiane, flasin më së miri për artin e tij. Si piktor ai ka inspirime të ndryshme, duke filluar nga perëndimi i diellit, peshkimi dhe peshkatarët, barkat dhe sanallat, kalimeret në Port Milenë dhe rrjetat që i stolisin ato etj. Të gjitha këto janë në opusin e krijimtarisë së tij. Me një mjeshtëri të paparë, ai i pikturon ato me ngjyra, duke i dhënë një kolorit impresionist, për të cilin shquhen vetëm impresionistët e mëdhenj të këtij drejtimi në artin figurativ.
Diçka tjetër që e karakterizon pikturimin e tij janë ngjyrat, pastaj vaji dhe kolazhet. Në atelienë e tij iu bie në sy menjëherë piktura e ullirit të famshëm mijëvjeçar, një vepër monumentale që tregon mjeshtërinë e këtij virtuozi të koloritit.
Atelieja e tij ndodhet në shtëpinë në Gjerana, në fillim të Plazhit të Madh. Ajo është e mbushur me piktura, grafika dhe sende të tjera, që krijojnë një atmosferë magjepsëse. Naser Hasa është edhe një gastronom i njohur. Kafeneja “Lovac”, pronar i së cilës është ai me vëllain e tij, është një ndër më të vjetrat në Ulqin, e njohur për traditën e saj. Në këtë mjedis idilik, Hasa e gjen frymëzimin për artin e vet, aty është më i pushueshëm dhe i qetë, në veçanti kur nuk ka turistë dhe mysafirë në apartamentet luksoze të kompleksit turistik “Lovac”.
Nëse Rudi Goga ishte mjeshtër i grafikës, Bilali ka pasur dhe ka ende inspirim figurën e femrës, Naseri Hasa është i gjithanshëm. Prandaj edhe mendoj se pikturat e tij do të mbesin përgjithmonë pjesë e trashëgimisë sonë artistike dhe kulturore.
Gjatë karrierës artistike, Naser Hasa ka pasur një numër të madh të ekspozitave personale dhe shumë ekspozita kolektive, jo vetëm në Malin e Zi – në Ulqin e Tivar, Podgoricë, por edhe në Gjermani, Austri, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe në veçanti shumë herë në Paris. Punimet e tij gjenden në galeri të ndryshme dhe në koleksione private, në vende të ndryshme të Evropës, ku piktori ka ekspozuar. Ndërkohë numëron edhe disa çmime për punën dhe veprën e tij. Kritikët e artit e kanë vlerësuar shumë lart veprën e tij, si piktor i zellshëm, i vyer, i talentuar dhe i respektuar në mesin e artistëve në përgjithësi.
Naser Hasa është një piktor i kompletuar, i cili i trajton të gjitha stilet e artit në formën që ai e imagjinon në shpirtin e tij artistik. Peizazhet – natyra, ullinjtë nga ullishta mijëvjeçare dhe natyrisht deti dhe Kalaja kanë qenë dhe kanë mbetur për Naser Hasën një inspirim i pafund. Në fokusin e këtij piktori është gjithashtu edhe figura e femrës, të cilën e trajton në mënyrë klasike dhe asociative.
Si njëri ndër pishtarët e artit figurativ te ne, Naser Hasa gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur një njeri modest, i qetë dhe i mirë. Ai është piktor i cili flet me artin e tij. Naseri nuk flet shumë për artin e tij. Shpesh shprehet që arti dhe puna e tij flasin shumë më tepër për të.
Si punonjës i turizmit, dua të nënvizoj faktin se Naser Hasa me vëllain e tij janë të rrallë dhe të veçantë në turizmin e lartë të Ulqinit. Kompleksi “Lovac“ ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë numri një i turizmit tonë kualitativ.
Në fund të këtij portreti të shkurtër, konsideroj se organet kompetente të Komunës së Ulqinit, në veçanti në ditët solemne, ta kujtojnë Naserin, Bilalin dhe të ndjerët Rudi Goga, Gjergj Noc Martini dhe të tjerët, të cilët bëjnë dhe kanë bërë kaq shumë për prezantimin dhe emancipimin e artit dhe kulturës sonë, brenda dhe sidomos jashtë vendit. Është mirë t’i kujtojnë dhe mos t’i harrojnë, siç ndodh shpeshherë në raste të tilla.
Pak biografi
Naser Hasa ka lindur në Ulqin, në vitin 1957. Leksionet e para për art i ka ndjekur në Qendrën për Arsim Figurativ në Beograd në vitin 1975. Akademinë e Artit Figurativ e ka kryer në Prishtinë, në vitin 1982, në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Është anëtar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Artistëve Figurativë, me seli në Tiranë, anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi dhe anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Ulqinit.