
Më 29 mars të vitit 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë, u vra një ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, patrioti dhe heroi legjendar Bajram Curri. Megjithëse kanë kaluar 98 vjet nga vrasja e tij, ende edhe sot e kësaj dite ka diskutime dhe kundërshti për rrethanat në të cilat mori fund jeta e tij. Ndërkohë, shkaqet që çuan Bajram Currin në këtë përfundim tragjik, janë të evidentuara në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar, një pjesë e të cilave,për arsye të ndryshme, ende nuk janë bërë publike.
Patrioti shqiptar, atdhetari dhe veprimtari i denjë i çështjes kombëtare, Bajram Curri, u kalit me idetë e Lëvizjes Shqiptare të Prizrenit që e përjetoi mjaft afër si periudhë, me vrasjen e të atit Shaqir Agës. Në shtëpinë Currve të Gjakovës kanë qenë zotëri të cilësuar me këtë titull, të Krasniqes. Titullin deri te Bajram Curri, familja e pati Agë. Prej qëndresës së të atit ndaj trupave turke në vitin 1860 në malësitë e Krasniqes, Mahmud Pasha shtrëngohet të tërhiqet në Gjakovë, ku rreshtoi disa anëtarë të familjes së tij dhe parinë e vendit, për t’i burgosur në Krushën e Madhe, fshat në Komunën e Rahovecit.
Të burgosur në fshatin e sipërshënuar, në vitin 1862 u lind Bajram Curri. Pas gjashtë muajsh të lindjes së tij, Sulltan Abdyl Hazizi vendosi t’i lirojë kosovarët e burgosur.
Duke qenë se Bajramit me kohë iu dëgjua zëri në krahinën e tij, si për kundërshtitë ndaj bejlerëve të Kryeziut, një komandant xhandarmërie e zgjodhi kapiten në Prizren, më vonë major në Prishtinë, e së fundi kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e gjithë Vilajetit të Kosovës. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900. Udhëheqës i Lëvizjes Anti-imperialiste në Kosovë dhe një nga prijësit kryesor të Mbledhjes së Ferizajit, të korrikut të vitit 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e Kushtetutës. Ndihmoi në themelimin e klubeve e shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. Ishte nënkryetar i Klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908, ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, u bëri qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës.
Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e Mbledhjes së Junikut, mori pjesë na kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullor që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit në korrikun e vitit 1912 dhe në Fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakovën në krye të forcave kryengritëse, hyri në Shkup. Mbresëlënëse në futjen në dorë të Shkupit, është besa e përgjithshme që u vendos për të mos cenuar rendin e rehatinë e qytetarëve.
Pas vitit 1912 punoi në Kosovë për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të vitit 1913, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913, ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhjes serbo-malazeze. Në vitin 1914, mori pjesë në luftën kundër evprimeve antikombëtare e separatiste të revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtria austriake në Gjakovë në vitin 1916, Bajram Curri shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë dhe për zhvillimin arsimor.
Në vitin 1918, Bajram Curri zgjedhet anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe behet një nga udhëheqësit e tij kryesor. I ngarkuar nga ky komitet, i dërgon një protestë Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919, në të cilën kërkonte që të njiheshin të drejtat e Shqiperisë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë t’i jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratat kombëtare. Në Kongresin e Lushnjës, Bajam Curri zgjedhet anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura. Ai udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e Lëvizjes Sediste. Me anë të ndikimit të tij, bën të mundur që të dërgojë jashtë shtetit me bursë shtetërore të rinj premtues, si: Rexhep Krasniqi, Xhevat Kortsha e Krist Maloki. Ishte kundër forcimit të pozitave të Ahmet Zogut në shtetin shqiptar, iu kundërvu atij që në fillim. Në ndihmë të Qeverisë së Tiranës, bashkëpunon për paqësimin e situatës në Revoltën e Mirditës. Në dhjetor të vitit 1921, caktohet Komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura në qeverinë disaditore të Hasan Prishtinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu, vendoset në Krasniqe, ku vazhdon luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të shpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët.
Bajram Curri mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me Elezisuf Ndreun dhe Mustafa Krujën me emrin “Lidhja e shenjtë”. Krijon një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), nga ku kërcënon Qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunon me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.
Veprimtari i çështjes kombëtare, patrioti dhe atdhetari Bajram Curri ishte ndër udhëheqësit kryesor të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hapi rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit të vitit 1924. Në vjeshtën e vitit 1924, shkon në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes Kombëtare çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdon luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.
Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë 27 marsit – 20 dhjetor të vitit 1920. Ushtria e Ahmet Zogut ishte shkaktare që Bajram Curri bëri vetëvrasje në Shpellën e Dragobisë për mos t’i rënë asaj i gjallë në dorë.