Nuk mund të shkëputej nga rrënjët e tij

Ai e pa dhe e përjetoi Amerikën. Mori prej saj, për aq sa ia lejuan mundësitë, anët më të mira dhe më të këqija që ajo kishte për të ofruar. Prandaj, pas më shumë se dy dekadash jetese në mërgim, ai mori një vendim: “Do të kthehem nga mërgimi për herë të fundit!”

Gjekë Gjonaj

Emigrimi i malësorëve shqiptarë nuk është diçka e re, por është një plagë e dhimbshme, serioze, që është e vështirë të shërohet. Malësorët sikur shqiptarët e tjerë në Mal të Zi ikën (u shpërngulën) nga varfëria, frika dhe shtypja që i kishin duruar për vite me radhë, por jo nga shtëpia e tyre. Edhe shoku im i shkollës, i cili nuk dëshiron t’i përmendet emri, u nis dekada më parë “me një strajcë në thes (me një thes me rroba në shpinë)”, siç thonë malësorët, duke mos ditur (asgjë fare) se ku po shkonte ose çfarë do ta priste atje. Ai u largua vetëm në mes të natës, duke hipur në një taksi në pronësi të një njeriu nga Hoti, ku kishte edhe dy malësorë të tjerë që ai nuk i njihte. Së bashku ata u nisën në një udhëtim të mundimshëm disaorësh për në Bari të Italisë.
Pasi u dërgua në një kamp dhe u mor në pyetje nga policia lokale italiane, iu dha statusi i refugjatit politik dhe iu dha një strehim që i ndante me refugjatë të tjerë nga vende të ndryshme. Atje qëndroi një vit e gjysmë, për të vijuar më pas në Detroit – Shtete të Bashkuara të Amerikës. Në Miçigan punoi punët më të rënda fizike, që në vendlindje nuk i kishte punuar kurrë, për të siguruar jetesën, pasi atje nuk kishte asgjë nga ajo që e kishte lënë në Malësi.
Nuk e pëlqeu jetën e tij të re në Amerikë. Mbeti thellësisht i lidhur me vendlindjen e tij. Çdo natë ai ëndërronte kujtimet e fëmijërisë, ruajtjen e dhenëve në ato kreshta, tingujt e lahutës, fyellit, çiftelisë, zumares dhe instrumenteve të tjera muzikore popullore, shokët e shkollës, klasës, mësuesit, vallet popullore, festat e ndejat pas darkës, ecjet dhe rrëshqitjet në dëborë dhe mbi të gjitha familjen e tij, të cilën nuk mund ta fshinte (shlyente) nga mendja as në rrugë, as në punë, as në gjumë. E ndjeu mungesën e vendlindjes dhe në fillim humbi shpresën për të parë përsëri shtëpinë e paraardhësve të tij, gjyshërve, nënës dhe babait, vëllezërve, motrave dhe komshinjve.
Kudo që shikonte, para syve i shkreptinin këto imazhe të brendshme shpirtërore, të cilat ia shpërthenin zemrën çdo ditë e natë dhe nuk e linin të qetë shpirtin e këtij malësori zemërthyer, të shqetësuar nga dëshira për t’u kthyer nga mërgimi njëherë e përgjithmonë, në Malësi. Ai e pa dhe e përjetoi Amerikën. Mori prej saj, për aq sa ia lejuan mundësitë, anët më të mira dhe më të këqija që ajo kishte për të ofruar. Thellë-thellë, ai thjesht nuk mund të shkëputej nga rrënjët e tij. Prandaj, pas më shumë se dy dekadash jetese në mërgim, ai mori një vendim: “Do të kthehem nga mërgimi për herë të fundit!”
Natën para se të hynte në aeroplan për t’u larguar përgjithmonë nga Amerika, mërgimtari malësor paketoi rrobat e tij të pakta dhe disa dollarë (bakshish) për t’ia çuar familjes së tij në shtëpi. Ai nuk e pa nënën për të cilën e ndjente shumë mungesën, për më se dy dekada. Ai i bleu nënës një palë këpucë, një këmishë dhe shami me lule, sepse e dinte që i kishte për qejf. Nuk bleu asgjë për babanë e tij, përveçse i solli disa dollarë për të plotësuar disa nga nevojat e tij. Ai nuk i harroi as motrat e tij, duke u blerë disa fustane për t’i veshur dhe për t’i ndërruar në dasmat e kushërinjve të tyre. Mezi priste të ishte me familjen dhe miqtë e tij, të fliste, të buzëqeshte, qeshte dhe të gëzohej me ta deri në orët e vona të natës.
Ata i thanë se, përveç prindërve, motrave dhe vëllezërve të tij, në aeroport do ta prisnin edhe nipërit dhe mbesat e tij, të cilët ishin rritur pa e parë kurrë. U bleu atyre më shumë gjëra, sepse fëmijët gëzohen më shumë sesa të tjerët. I mblodhi valixhet dhe i mori me vete. Bashkë me to, ai mori edhe një çantë të vogël për të mbajtur pak dollarë që i kishin dhënë miqtë për t’ua dërguar familjeve të veta. Gjatë gjithë natës, ai mendonte se kur të mbërrinte në Malësi, nuk do të linte asnjë vrimë a cep pa e vizituar, sepse i mungonin edhe zogjtë e malit, cicërima e të cilëve e zgjonte çdo mëngjes. Ditën e nisjes, miqtë e tij erdhën për ta përshëndetur. Të gjithë e uruan: “Udhëtim të mbarë dhe përshëndetje të gjithëve!”
Ai i dërgoi mesazh familjes se po largohej nga Amerika dhe po kthehet përgjithmonë në shtëpinë ku ka lindur dhe i ka mbushur 25 vjet. Në mesazh kishte shkuar: “Mos ia thoni nënës, ajo nuk do të flejë gjithë natën nga gëzimi!”
Fjeti pak gjatë fluturimit. Kokën e tij e kishte mbështetur në dritaren e aeroplanit, ndërsa ëndrrat e çonin te dera e shtëpisë. Familjarët që erdhën për ta pritur në aeroport u zgjuan herët. Ata prisnin me padurim ta shihnin dhe ta përqafonin të birin pas shumë vitesh pa e parë. Ai i pa ata nga lart, por ata nuk e panë atë. Pasi zbriti avioni në tokë, u ul shkallëve dhe përqafoi të gjithë, të cilët, të pushtuar nga malli, nuk mundën t’i mbanin lotët e gëzimit. Shkuan në shtëpi. Ai nuk mundi ta hapte derën e shtëpisë për shkak të vajit. Hynë brenda dhe e kaluan gjithë natën duke biseduar me njëri-tjetrin. I tregoi familjes së tij se çfarë lloj peshqeshesh (dhuratash) u kishte sjellë. I tha nënës së tij se kishte shkuar në mërgim vetëm me një merak (plagë në zemër), i vetëdijshëm se ajo e kishte pritur kaq gjatë për ta parë dhe për ta nuhatur erën e djalit përsëri. Dhe ja që kjo kohë ka ardhur, duke parë të gjithë familjen që la pas dhe të tjerët që lindën ndërkohë, të shëndetshëm dhe të bukur.
Malësori mërgimtar, megjithëse e la Malësinë e tij për një kohë të gjatë në kërkim të një jete më të mirë, është kthyer në vendlindje, nga ku nuk do të largohet kurrë, ndërsa trupi i tij do të varroset në tokën që e kishte dëshiruar aq shumë.

Të fundit

më të lexuarat