
(vijon nga numri i kaluar)
Pas kthimit në Plavë, këtë artiste me rrënjët në tokën shqiptare e shqetësuan dhe e revoltuan padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve në komunën e Plavës. Ndërsa institucionet shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi heshtën, zëri i Kaltrina Hotit u ngrit lart dhe prerë. Ajo nuk heshti. Nuk u përkul. Denoncoi padrejtësinë për mosrespektimin e dygjuhësisë në emërtimin e tabelave të rrugëve në këtë komunë, e drejtë kjo e garantuar me Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, që në hyrje të qytetit dhe vendbanimit me popullatë shqiptare të vendosen tabela dygjuhëshe, por kjo në komunën e Plavës nuk ka ndodhur. Ajo kërkoi një veprim dhe nisi një thirrje, e cila u përhap me shpejtësi dhe u bë një jehonë kombëtare.
Vendosja e tabelës së komunikacionit në qytetin e Beranit, ku, siç pohon ajo, shkruante “Kosova është në Serbi“, që e paraqiste qytetin e Pejës si pjesë të Serbisë, e tronditi thellë.
“Kjo më tronditi shumë, veçanërisht sepse pak kohë më parë hapa një ekspozitë arti në Shkodër duke sjellë mesazhe që lidhen me identitetin dhe lirinë. Kur u ktheva në Plavë, vendosa të bëj një video për këtë tabelë. Kryetari i Komunës refuzoi të vepronte dhe askush nuk dukej se mendonte që kjo ishte një çështje urgjente.
U përballa me presion nga komuniteti që më thoshte: ‘Lëre, mos u përziej në ato gjëra, mos u shqetëso’. Por nuk munda ta bëja këtë. Pas këtij veprimi, shumë njerëz në qytet u kthyen kundër meje. Më akuzuan për përhapje urrejtjeje, vetëm sepse nuk lejova që Kosova të quhej Serbi. Ende kam pasoja për videon që postova nga kjo ngjarje, por nuk kam keqardhje. Komuna e Plavës është mësuar të mos e dëgjojë zërin e shqiptarëve dhe është vështirë për mua të më pranojë si banore të saj. Megjithatë, unë vazhdoj me qetësi të pikturoj, të shkruaj dhe të ndërtoj një jetë kuptimplotë”, shprehet ajo.
Hapja e galerisë “Hoti”, aty ku kultura shqiptare merr jetë
Në këtë udhëtim, Kaltrina Hoti hapi një galeri arti, për të cilën ajo thotë se është një hapësirë ku arti dhe kultura shqiptare do të marrin jetë, ku njerëzit mund të lidhen me rrënjët e tyre dhe të promovojnë veprat e artistëve nga Plava dhe Hoti.
“E ndërtova galerinë pranë kasolles së vjetër, sepse për mua ky vend ka një kuptim të veçantë, është një urë lidhëse midis së kaluarës dhe së ardhmes. Babai im ka lindur në këto male të Hotit. Unë kaloj shumë kohë atje duke kultivuar anën time artistike, pranë kasolles së vjetër ku ai është rritur. Galeria është bërë më shumë se një vend arti. Është bërë një simbol i rezistencës, shpresës, identitetit që nuk mund të shuhet. Qëkur kam ardhur, kam vënë re se brezi i ri në Plavë nuk është i orientuar drejt promovimit të identitetit në kultivimin e kulturës së tyre në mënyrën e duhur”, thekson ajo.
Është e rëndësishme për Hotin që fëmijët të jenë të përfshirë, megjithëse ajo nuk mundi ta bënte këtë, sepse rruga nga Hoti nuk lidhej me Plavën.
“Për momentin, unë vazhdoj punën time artistike në male. Kur dua të punoj me fëmijë, zakonisht shkoj në qytet dhe bashkëpunoj me ta në hapësira të ndryshme. Pas dy viteve të para të punës me gati 20 fëmijë, kryetari i Komunës nuk më mbështeti për të vazhduar misionin tim artistik, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të Plavës të njiheshin me artin, si bashkëmoshatarët e tyre në rajone të tjera shqiptare – në Tuz, Ulqin, Anë të Malit, Krajë”, shton Hoti.
Sipas saj, të jesh shqiptar në Hot dhe Plavë do të thotë që je atje, në letër, ekziston, por ata nuk duan të dëgjojnë zërin tënd.
“Ata nuk duan të bëjnë një prezantim. Brenda një kohe të shkurtër kuptova se e vetmja mënyrë për të thyer këtë akull është përmes kulturës. Kjo është një nga agjendat e para të galerisë sime, përveç vazhdimit të shprehjes së anës artistike, të hap derën në një mënyrë indirekte, paqësore, në mënyrë që të tjerët të shohin se ne jemi këtu”, thotë Hoti.
Që nga fillimi, shton ajo, këta njerëz (lexo shqiptarët) nga ky territor u injoruan plotësisht nga çdo këndvështrim.
“Kjo është arsyeja pse mendova që mënyra më e mirë për t’i bërë ata kuriozë për veten është t’u prezantoj diçka që nuk e kanë, diçka me të cilën nuk janë mësuar, përmes artit”, thekson ajo.
Ekspozitat individuale dhe kolektive
Artistja Kaltrina Hoti është pjesëmarrëse në shumë ekspozita personale dhe kolektive, me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, brenda dhe jashtë vendit. Veprat e saj janë vlerësuar nga kritika.
2017 – GR- GalleryStamford – Connecticut (GroupShow);
2018 – Gallery 104 – New York (GroupShow);
2019 – Prishtinë, ekspozitë personale në Bibliotekën “Pjetër Bogdani”;
2019 – Ulqin, Muzeu dhe Galeria “Kulla e Balshajve”, Qyteti i Vjetër (Kalaja);
2019 – Plavë, ekspozitë personale;
2019 – Plavë, ekspozitë e përbashkët;
2020 – Podgoricë, ekspozitë personale;
2021 – Tiranë, ekspozitë e përbashkët;
2021 – Tuz, pjesëmarrëse në koloninë e parë të piktorëve “Gjelosh Gjokaj”;
2022 – Tuz, ekspozitë personale;
2022 – Bijello Pole, ekspozitë personale;
2023 – Prishinë, ekspozitë e përbashkët;
2023 – Nju-Jork, ekspozitë e përbashkët;
2025 – Shkodër, ekspozitë personale;
2025 – Rozhajë, ekspozitë personale;
2025 – Hot (Shqipëri), në Muzeun “Malësia”, në Kullën e Çun Mulës.
Në galerinë e saj, në fshatin e prindërve, përveç ekspozitave të artit ka organizuar edhe veprimtari të rëndësishme etno-kulturore, siç është “Arti dhe natyra”, “Festivali i Lahutës”, me artistë nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria etj. Ajo ka qenë e ftuar nderi në disa takime mbarëkombëtare, panshqiptare, ndërballkanike, euro-atlantike, me tematikë: histori – identitet – integrim dhe bashkim kombëtar të shqiptarëve.
Manifestimi “Dita e kësulës – plisit pellazg”
Kaltrina Hoti në bashkëpunim me Shoqatën për Shkencë dhe Kulturë “Pellazgët” nga Tetova (Maqedonia e Veriut) së shpejti do të organizojë një ngjarje të veçantë kulturore në Plavë – një paradë që do t’i bëjë homazh njërit prej simboleve më të rëndësishme të identitetit shqiptar – plisit të bardhë. Ky simbol, i trashëguar brez pas brezi, gjithmonë ka përfaqësuar krenarinë, qëndrueshmërinë dhe përkatësinë kombëtare. Parada synon t’i bashkojë qytetarët, duke treguar se ruajtja e kulturës është një detyrë e përbashkët dhe një thesar për brezat e ardhshëm.
Një model i përkushtimit patriotik
Personazhi i këtij artikulli është një frymëzim, jo vetëm për gratë, por edhe për burrat shqiptarë, se si ta duan gjuhën shqipe, si ta ruajnë identitetin kombëtar shqiptar, si ta ngrenë fort zërin kundër padrejtësive që u bëhen shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë, në atdhe apo në mërgim.
Përveçse artiste dhe poete, ajo është një simbol i përkushtimit dhe patriotizmit për realizimin e të drejtave të njeriut, një shembull i gjallë dhe i rrallë se si përmes kulturës dhe artit mund të përpiqesh të ndikosh në vetëdijen e popullsisë shqiptare, në mënyrë që ata të mos gjunjëzohen para asnjë sundimtari apo force që shkel të drejtat e tyre njerëzore, të garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit në të cilin jetojnë. Jeta e saj është një dëshmi e përkushtimit të jashtëzakonshëm ndaj atdheut dhe kombit shqiptar.
Për artisten dhe poeten Kaltrinë, kombi dhe atdheu janë më të rëndësishëm se çdo gradë shkencore apo pozicion shoqëror. Ajo është një aktiviste e palodhur dhe e palëkundur, gjithmonë në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe kombëtare, një simbol i pastërtisë dhe patriotizmit njerëzor, një model i punës dhe përkushtimit patriotik.
(Fund)
