Një jetë me fëmijët

Shemsija bën pjesë në grupin e femrave që e çelën rrugën e emancipimit të femrës anamalase. Të shkollohej në gjuhën amtare pas mbarimit të shkollës fillore ishte e pamundur, sepse shkollë të tillë nuk kishte në Mal të Zi. Në vitin 1965 u regjistrua në Shkollën Normale në Prishtinë, të cilën e përfundoi me sukses dhe diplomoi në qershor të vitit 1970

Shemsije Hoxha – Seferi lindi në Katërkollë, më 27 maj 1950. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1965. Shemsija ëndërronte të arsimohej. Dashurinë për arsimin dhe kulturën e kishte trashëguar nga babai, mësuesi i njohur i Anës së Malit, mësues Xhemali, i cili e dinte mirë rëndësinë e shkollimit të femrës, me çka i ushqeu dhe fëmijët.
Shemsija bën pjesë në grupin e femrave që e çelën rrugën e emancipimit të femrës anamalase. Të shkollohej në gjuhën amtare pas mbarimit të shkollës fillore ishte e pamundur, sepse shkollë të tillë nuk kishte në Mal të Zi. Në vitin 1965 u regjistrua në Shkollën Normale në Prishtinë, të cilën e përfundoi me sukses dhe diplomoi në qershor të vitit 1970.
Më 1 tetor 1970 ajo filloi punën si mësuese në fshatrat e Anës së Malit, aty ku e kërkonte nevoja. Në fillim në shkollën fillore në Katërkollë, pastaj në Kllezën, Krythë, Kravar, si dhe në Megjureç. Udhëtimi ishte i gjatë e puna me paralele të kombinuara i kishte vështirësitë e veta. Por mësuesja e palodhur i mësonte fëmijët, mësonte edhe vetë me qëllim të ngritjes profesionale dhe kështu më 1978, në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu“ diplomoi në degën për Edukatore.
Në vitin 1978, në Katerkollë u hap kopshti i parë për fëmijë, në të cilin u regjistruan 50 fëmijë.
“Interesimi i prindërve për regjistrim të fëmijëve në kopsht ishte i madh“, kujton edukatore Shemsija.
Kopshti i parë u vendos në lokalet e ish-shkollës së Katërkollës, të rindërtuar dhe të adaptuar për nevojat e fëmijëve të moshës parashkollore. Por pak kohë pas fillimit, në vitin 1979, detyrohen të zhvendosen në një klasë të shkollës “Bedri Elezaga“ pasi që tërmeti e dëmtoi objektin e kopshtit.
15 maji i vitit 1985 përbën një ditë të shënuar për arsimin parashkollor në Anën e Malit dhe në karrierën e edukatore Shemsijes, sepse këtë ditë u hap objekti i ri dedikuar fëmijëve parashkollorë, falë donacionit të qytetarëve të Komunës Katvajk nga Holanda.
Ky objekt u inaugurua në praninë e shumë vendasve, banorëve të Anës së Malit, përfaqësuesve të ministrive të Arsimit, Kulturës, Mbrojtjes dhe Përkujdesjes së Fëmijëve si dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal.
Kopshti i ri ishte objekt solid, i ndërtuar me material të fortë, i pajisur me inventar, lodra dhe material didaktik të mjaftueshëm. Ai kishte dy klasa, kuzhinën, korridor të mjaftueshëm për pranimin e fëmijëve, oborrin me rekuizita për aktivitete në natyrë etj..
Punën në këtë kopsht e filloi edukatorja e parë e Anës së Malit, Shemsije Seferi.
“Në fillim ky kopsht nisi me një grup edukativo-arsimor. Ditën e parë kam pasur 19 fëmijë, që e dokumenton dhe fotoja e shkrepur nga fotografi Lika. Puna me fëmijë më sillte kënaqësi”, shprehet ajo.
Që prej 31 tetorit 2003 gëzon pensionin e merituar pas një pune 33-vjeçare në edukimin e brezave të rinj.

Lumnije Bisha

Të fundit

më të lexuarat