
Çdo trieshian, pa dallim moshe apo profesioni, ndien krenari për bijën dhe motrën e tyre, Prof. dr. Gjystina Cacaj – Shushka. Me punën, përkushtimin dhe pasionin e pashuar për dijen, ajo arriti të ndërtojë një vepër të madhe në fushën e albanologjisë, duke hyrë në histori si gruaja e parë shqiptare nga Mali i Zi që fitoi titullin doktor i shkencave filologjike.
Në vitet ’50 të shekullit XX, arsimimi i vajzave malësore ishte një sfidë e madhe, shpeshherë pothuajse i paarritshëm, për shkak të rrethanave historike, politike, ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, Gjystina, e rritur në një familje të njohur trieshiane, e njohur për virtyte të larta morale dhe ndjenja të thella atdhedashurie, e përballoi këtë realitet me forcën e mendjes dhe të shpirtit. Ajo u bë shpresë dhe shembull frymëzimi për bashkëkombësit e saj, duke ndriçuar rrugën drejt emancipimit dhe dijes.
Shkollimi fillor dhe i mesëm
Gjystina Cacaj u lind në Triesh, më 12 gusht 1938. Vështirësitë ekonomike të kohës e detyruan babanë e saj, Pjetrin, të shpërngulet së bashku me vëllezërit në Tuz, Podgoricë dhe Shkodër, në kërkim të një jete më të mirë. Ajo i mori mësimet e para në Tuz dhe ishte ndër vajzat e para të Malësisë që, pas Luftës së Dytë Botërore, përfundoi me sukses shkollën shtatëvjeçare.
Në vitin shkollor 1958/1959 kreu Shkollën e Mesme të Mësuesisë (Normalen). Edhe pse kishte mundësi punësimi në Prishtinë, zgjodhi të kthehej në Malësi për të dhënë kontributin e saj në arsimimin e brezit të ri dhe për të nxitur përfshirjen e vajzave malësore në shkollë. Në vitin shkollor 1959/1960 filloi punën si mësuese në shkollën fillore në Vuksanlekaj, ku me devotshmëri dha mësim gjuhën shqipe dhe edukatën muzikore. Siç dëshmojnë edhe dorëshkrimet e saj, puna me fëmijët malësorë i sillte kënaqësi të veçantë shpirtërore.
Arritjet akademike
E etur për dije dhe formim të mëtejshëm, Gjystina u kthye në Prishtinë, ku punoi në Shkollën fillore “Emin Duraku”. Aty solli metoda bashkëkohore të mësimdhënies dhe forcoi bashkëpunimin ndërmjet mësuesve, prindërve dhe nxënësve.
Në vitin 1974 u diplomua në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit të Filologjisë. Doktoraturën e mbrojti në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, me temën “Gjuha në veprat e Naum Veqilharxhit”. Me këtë arritje, ajo u bë jo vetëm gruaja e parë shqiptare nga Mali i Zi me titullin doktor i shkencave filologjike, por edhe studiuesja e parë nga trevat shqiptare jashtë Shqipërisë që e mbrojti doktoraturën në Tiranë.
Në vitin 1980 u angazhua në Departamentin e Studimeve Albanologjike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit, ku punoi deri në vitin 1999, me përjashtim të vitit akademik 1984/85, kur qëndroi në Republikën Popullore të Kinës si eksperte e gjuhës shqipe. Për kontributin e saj atje u nderua me çmim shtetëror.
Në vitin 1995 u zgjodh docente e gjuhës shqipe, duke theksuar me krenari se ishte pedagogia e parë e kualifikuar e gjuhës së sotme shqipe në këtë departament që nga themelimi i tij në vitet 1924-1925.
Fusha e interesimeve dhe krijimtaria shkencore
Veprimtaria shkencore e Prof. dr. Gjystina Cacajt – Shushkës u përqendrua kryesisht në veprën e rilindësit kombëtar Naum Veqilharxhi. Ndër botimet e saj më të rëndësishme janë: “Vepra e Naum Veqilharxhit” (1994), “Ndihmesa e Naum Veqilharxhit në përkthimin e Biblës” (1997), “Gjuha në veprën e Naum Veqilharxhit” (1999), “Vepra e Naum Veqilharxhit në kontekstin e Rilindjes në Ballkan” (2002), “Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit” (2002), “Aspekte të veprës së Atë Anton Harapit” (2010), “Priručnik albanskog jezika” (1987), “Udžbenik po albanski jezik” (1989), “Albanski jezik” (1997).
Ajo është bashkautore e tre teksteve universitare për mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe autore e rreth 100 punimeve shkencore, të botuara në revista brenda dhe jashtë hapësirës shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, rajon dhe Evropë.
Edhe pas daljes në pension, Prof. Gjystina nuk iu nda kërkimit shkencor, duke vazhduar punën me mbështetjen dhe përkushtimin e bashkëshortit të saj, Xhevdet Shushka, të cilin e përmend gjithmonë me mirënjohje të thellë.
Një intelektuale me kulturë të lartë dhe personalitet të rrallë
Prof. dr. Gjystina Cacaj – Shushka është një grua me kulturë të gjerë, me shije të rafinuar letrare e artistike dhe me një sjellje të butë e fisnike, që i bënte të gjithë të ndiheshin mirë në praninë e saj. Bisedat me të ishin gjithmonë të qeta, të pasura me dituri dhe njerëzi. Ajo fliste me admirim për letërsinë shqiptare, për shkrimtarët tanë të mëdhenj dhe për figurat e shquara të kulturës, të cilat kishte pasur fatin t’i takonte nga afër.
Në veprimtarinë e saj akademike bashkëpunoi edhe me Martin Camajn, një nga figurat më të rëndësishme të gjuhësisë dhe letërsisë moderne shqiptare, i cili për vite me radhë drejtoi Departamentin e Studimeve Albanologjike në Mynih.
Sot, Prof. dr. Gjystina Cacaj – Shushka jeton pleqërinë e qetë pranë bashkëshortit të saj, Xhevdet Shushka, në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjakovë, duke mbetur një figurë e respektuar dhe një emër i pashlyeshëm në historinë e albanologjisë shqiptare.
