Në shërbim të dijes dhe brezave

Ata dëshmuan me jetën dhe veprimtarinë e tyre se mësuesi nuk është vetëm udhëheqës i dijes, por edhe kontribues i madh në zhvillimin shoqëror e kulturor të vendlindjes

Luljeta Avdiu – Cura

Mësues i brezit që hodhi themelet e arsimit shqip në Anën e Malit
Sabri S. Seferi u lind më 25 dhjetor 1943 në fshatin Krythë, Ana e Malit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën tetëvjeçare e përfundoi në Katërkollë. Në kushte të vështira ekonomike dhe infrastrukturore, ai i ndoqi studimet pedagogjike në Shkollën Normale “Milladin Popoviq” në Prishtinë, e më pas në Gjakovë. Diplomoi në vitin 1966 në Shkollën Normale “Hysni Zajmi”, duke u kualifikuar si mësues.
Më 1 tetor 1966 filloi punën si mësues në fshatin Kllezën, ku u përball me mungesë infrastrukture, energjie elektrike, ujësjellësi dhe rrugësh automobilistike. Megjithatë, dashuria për dijen dhe për nxënësit e mbajti të përkushtuar ndaj profesionit.
Në vitet ’70 ai punoi edhe në Megjureç, në një shkollë katërklasëshe të kombinuar, ndërsa nga viti 1980, pas ndërtimit të shkollës së re të tipit montazh, vijoi detyrën e tij në kushte më të përshtatshme. Përvoja e tij përfshiu gjithashtu punën në shkollat e fshatrave Kravar dhe Millë, ku mësimi zhvillohej shpesh në godina private për shkak të mungesës së objekteve arsimore. Sabriu ka punuar po ashtu në Krythë në dy intervale kohore – fillimisht pas përfundimit të shkollës normale, pastaj përsëri pas vitit 1979, kur shkolla pësoi dëmtime nga tërmeti dhe mësimi u organizua në kushte të improvizuara.
Mësues Sabriu u shqua për përdorimin e metodave bashkëkohore, përgatitjen e kartotekave për nxënësit dhe evidentimin e ecurisë së tyre. Ai theksonte gjithmonë rëndësinë e edukimit moral, kulturor dhe qytetar, përpos njohurive shkollore. Përkushtimi i tij u vlerësua gjerësisht nga drejtorët e shkollave dhe inspektorët e arsimit, të cilët në raportet e tyre theksonin gjithmonë cilësitë e tij si punëtor i palodhur, me rezultate të larta dhe qëndrim korrekt në punë.
Shpesh ai fitonte falënderime dhe stimuj moralë për kontributin e dhënë, duke u cilësuar si shembull frymëzues për kolegët dhe nxënësit. Në vitin 2003 doli në pension, pas 37 vitesh pune të pandërprerë.
Përveç angazhimit si mësues, Sabri Seferi dha një kontribut të çmuar në zhvillimin e komunitetit. Ai ishte iniciator në elektrifikimin e fshatit, ndërtimin e ujësjellësit, asfaltimin e rrugëve dhe veprimtari të tjera që përmirësuan jetën e përditshme të banorëve.
Sabri S. Seferi përfaqëson gjeneratën e mësuesve që, me përkushtim dhe sakrifica të shumta, hodhën themelet e arsimit shqip në Anën e Malit. Veprimtaria e tij mbetet një dëshmi e gjallë e rolit të mësuesit jo vetëm si edukator, por edhe si kontribues i zhvillimit shoqëror e kulturor të komunitetit.
U nda nga jeta më 14.11.2020.

Edukatore me përkushtim të rrallë
Shemsije Seferi u lind më 1950 dhe u rrit në Katërkollë, ku kreu arsimin fillor e më pas vijoi studimet pedagogjike dhe diplomoi në vitin 1970 në Shkollën Normale “Milladin Popoviq” në Prishtinë. Po këtë vit filloi punën me afat të caktuar dhe për vite me radhë ka punuar nga një fshat në tjetrin, si në Krythë, Kllezën, Kravar e Megjureç.
Në vitin 1978 filloi punën si edukatore në kopsht, në objektin e shkollës së vjetër në Katërkollë. Tërmeti i vitit 1979 bëri të pamundur që fëmijët parashkollorë të vijonin mësimin në shkollën e vjetër, prandaj kaluan në mjediset e shkollës së re deri në vitin 1985. Në vendin e ish-objektit të Komunës së Katërkollës u ndërtua kopshti i ri, të cilin e ndiqnin fëmijët nga mosha trivjeçare deri në moshën e shkuarjes në klasën e parë. Shemsije Seferi e ushtroi profesionin e saj për 33 vite rresht, deri më 31 tetor 2003, kur doli në pension.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, ajo punoi me pasion dhe energji, duke u përkujdesur për formimin intelektual, moral dhe shoqëror të fëmijëve.
Raportet e këshilltareve arsimore e vlerësonin gjithmonë përkushtimin dhe metodologjinë e saj bashkëkohore. Vlerësime të tilla e shtynin Shemsijen të punonte edhe më me pasion, gjithmonë e gatshme që me nxënësit e saj të merrte pjesë në programet shkollore me këngë, recitime dhe skeçe, të cilat përbënin pjesët më tërheqëse të aktiviteteve shkollore.
Në një intervistë për revistën e nxënësve “Shkëndijat” të Shkollës fillore “Bedri Elezaga”, ajo shprehej:
“Fëmija është krijesa më e shtrenjtë për çdo familje. Si ta duash – do të dojë; si ta drejtosh – do të hecë. Fëmijën duhet shikuar si një individ që po rritet e jo si një njeri në miniaturë. Duhet kuptuar se fëmijët dhe të rriturit mendojnë krejt ndryshe.”
Ky mendim pasqyron filozofinë e saj edukative, ku fëmija shihet si qenie e lirë, me dinjitet dhe me nevoja zhvillimi të veçanta.
Hapja e kopshtit të fëmijëve në Katërkollë shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit parashkollor në Anën e Malit. Deri në fund të viteve ’70, edukimi parashkollor ishte pothuajse i panjohur në këtë zonë. Emri i Shemsije Seferit lidhet ngushtë me këtë fillim të ndritur, si edukatorja e parë që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e komunitetit.
Përveç kontributit të vyer si edukatore, Shemsije Seferi u dallua edhe në fushën kulturore. Që në moshën e fëmijërisë ajo mori pjesë në programe kulturore-artistike në shkollë, duke shfaqur talent dhe pasion për artin. Ky përkushtim e shoqëroi gjatë gjithë jetës së saj, duke u bërë pjesë e pandashme e formimit të saj shpirtëror.
Më vonë, ajo ishte anëtare aktive e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Buna”, ku dha kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Anën e Malit.
Shemsije Seferi mbetet shembull i edukatores që përveç edukimit dhe arsimimit, i dha brezave edhe një model të gjallë për dashurinë ndaj artit dhe kulturës.
Shemsije dhe Sabri Seferi bashkëjetuan në harmoni duke e mbështetur njëri-tjetrin në profesionin fisnik të mësuesisë. Ata rritën dhe edukuan dy djem: Agimin, i cili jeton me familjen në SHBA, dhe Besnikun, i cili jeton në vendlindje me familje.

(Shënim: Për hartimin e portreteve u shfrytëzuan të dhëna nga librat: “Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi 1916-1966” i Prof. Dr. Palokë Berishës dhe “Arsimi shqip në Anë të Malit 1945-1985” i Syme Kokajt)

Të fundit

më të lexuarat