Model i përkushtimitndaj arsimit, kulturësdhe çështjes kombëtare

Profesor Latif Berisha mbetet simbol i dijes, qëndresës dhe përkushtimit kombëtar. Jeta, vepra dhe sakrifica e tij përfaqësojnë një model të përkushtimit dhe vazhdojnë të frymëzojnë brezat që besojnë në arsimin, kulturën dhe lirinë e popullit shqiptar. Emri i tij jeton përjetësisht në kujtesën e kombit shqiptar

Gjekë Gjonaj

Profesor Latif Berisha nga Smrekovnica e komunës së Vushtrrisë të Republikës së Kosovës, ishte dhe mbetet një nga figurat më të rëndësishme të intelektualizmit shqiptar në Kosovë. Jeta dhe vepra e tij përfaqësojnë një model të përkushtimit ndaj arsimit, kulturës dhe çështjes kombëtare. Ai do të kujtohet gjithmonë si një studiues i përkushtuar, poet, pedagog dhe veprimtar i denjë, i paepur dhe i palodhur për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar.
Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekovnicë të komunës së Vushtrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Vushtrri dhe Prishtinë. Qysh herët u dallua për dashurinë ndaj dijes dhe letërsisë. Në vitin 1949 filloi punën si mësues në shkollën fillore në Pantinë, ku nisi të shkruante poezi, disa prej të cilave u botuan në revistën letrare “Jeta e Re”. Më pas punoi si inspektor në Sekretariatin për Arsim, Kulturë dhe Shëndetësi dhe ishte anëtar i kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.
Nga viti 1954 punoi mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Vushtrri, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në studimet e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Beogradit. Gjatë studimeve botoi përmbledhjen poetike “Tufa” në vitin 1957 dhe ishte ndër themeluesit e Shoqërisë letrare “Përpjekja” të studentëve shqiptarë në Beograd. Pas diplomimit në vitin 1959, punoi profesor në Gjimnazin e Mitrovicës.
Në vitin 1963 vijoi studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Beogradit, ku magjistroi me temën “Skënderbeu në letërsinë e shkruar shqipe”. Në vitin 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ndërsa në vitin 1968 ligjërues i Historisë së Letërsisë Shqipe. Ai punoi vite me radhë në studimin e figurës së Skënderbeut në letërsinë shqipe, projekt të cilin nuk arriti ta përfundojë.
Gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, pas largimit të dhunshëm nga puna prej regjimit serb në vitin 1991, profesor Berisha u angazhua fuqishëm në lëvizjen gjithëshqiptare për liri dhe pavarësi. Ai ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i degës së saj në Mitrovicë, duke dhënë kontribut të veçantë në sektorin e kulturës dhe jetës intelektuale. Ishte gjithashtu anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më 24 mars të vitit 1999, në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, profesor Latif Berisha u vra nga forcat serbe në pragun e shtëpisë së tij në Mitrovicë. Rënia e tij ishte një humbje e madhe për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare.
Veprimtaria e tij shkencore dhe letrare është e pasur dhe me ndikim të madh në filologjinë shqiptare. Përveç vëllimit poetik “Tufa”, ai botoi një varg studimesh të rëndësishme për letërsinë shqiptare, figurat e Rilindjes Kombëtare dhe marrëdhëniet kulturore shqiptare. Ai ishte gjithashtu hartues i teksteve shkollore dhe kontribuues i palodhur në studimet albanologjike.
Pas luftës, Biblioteka e Qytetit e Mitrovicës mori emrin e tij.
Në vitin 2004, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo medalje iu dorëzua familjes së tij në vitin 2009, në një akademi përkujtimore në Mitrovicë.
Profesor Latif Berisha mbetet simbol i dijes, qëndresës dhe përkushtimit kombëtar. Vepra dhe sakrifica e tij vazhdojnë të frymëzojnë brezat që besojnë në arsimin, kulturën dhe lirinë e popullit shqiptar. Emri i tij jeton përjetësisht në kujtesën e kombit shqiptar.

Të fundit

më të lexuarat