Misionar i spikatur me vizione shumëpërfshirëse krijuese letrare

Që nga viti 1967 Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri merret me vjeljen e folklorit, kurse njësitë e tij janë botuar në disa vëllime të IAP-it. Është kryesisht mbledhës i këngëve epike historike dhe i këngëve epike legjendare. Vazhdon punën e hulumtimit dhe të mbledhjes së folklorit edhe në Republikën e Shqipërisë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi

Shaban Hasangjekaj

Krahina e Rugovës, trevë e Komunës së Pejës, me pozitë gjeografike tipike kodrinore-malore, e shtrirë rrëzë e përballë Alpeve Shqiptare, e pasqyruar me maja të larta të bjeshkëve, me lugje të thella, me pyje të gjelbra gjithë vitin, me lëndina e rudina me lumenj e përrenj zhurmues, me vera të ngrohta e dimra të ashpër, ka influencuar në vetitë dhe virtytet e banorëve, në zhdërvjelltësi fizike e mendore, si dhe në psikologjinë dhe impulsivitetin energjik të tyre.
Është rajon i banuar krejtësisht me popullatë shqiptare, i ndarë në 14 fshatra me përbërjet e vëllazërive të mëdha të fisit Kelmend: Lajç, Vukël, Nikç e Selcë, si dhe të një pakice të fiseve: Kastrat, Shalë e Shkrel, i njohur dhe i përmendur si vatër burimi i shumë personaliteteve të shquara e në zë, zejesh e profilesh të ndryshme profesionale, ndër të cilët veçohet epikologu i mirënjohur Prof. Dr. Zymer Uikan Neziri, mbledhës e studiues i letërsisë popullore dhe profesor universitar.
U lind më 6 nëntor 1946 në Siparant (Zahaq) të komunës së Pejës në një familje patriotike, atdhedashëse e bujare, e vëllazërisë Lajç të fisit Kelmend, të ardhur nga fshati Shtupeq i Vogël i krahinës së Rugovës. Ciklin e ulët të shkollës fillore (I-IV) e kreu në vendlindje – Siparant (Zahaq), kurse të lartin (V-VIII) në Pejë në vitin 1960. Me këtë rast dua të theksoj se me moshatarin, shokun dhe mikun tim të çmuar dhe respektuar Zymer Ujkan Nezirin, në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar i filluam, vijuam dhe i përfunduam mësimet e rregullta në gjuhën shqipe (ca lëndë edhe në atë serbokroate) në Gjimnazin “11 Maji” të Pejës (sot “Bedri Pejani”). Shkollën Normale “Milladin Popoviq” të Prishtinës, po ashtu e kreu në vitin 1966.
Studimet e larta në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe i kreu në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, në vitin 1969. dhe studimet e shkallës së dytë në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në vitin 1971.
Në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, gjatë viteve 1972-1974 vijoi edhe mësimet e studimeve të shkallës së tretë në degën e Letërsisë dhe mbrojti temën e magjistraturës “Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë” me mentor akademikun Prof. dr. Rexhep Qosja.
Pas shumë vite pengesash politike, në vitin 1995 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës mbrojti disertacionin e doktoratës me temën “Poezia legjendare e Rugovës”, po ashtu me mentor akademikun Prof. Dr. Rexhep Qosja.
Gjatë kohës së studimeve (1967-1971), Zymer Ujkan Neziri punoi përkohësisht në dy shkolla fillore (Zllakuqan e Klinë) dhe në katër shkolla të mesme (Lipjan, Pejë, Prizren dhe Prishtinë). Për shkak të veprimtarisë në Lëvizjen Studentore të vitit 1968 në Kosovë, e larguan nga puna në Klinë, Lipjan dhe Pejë.
Pas përfundimit të studimeve themelore, në vitin 1971, prof. Zymer Ujkan Neziri u pranua asistent në Degën e Folklorit dhe të Etnologjisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, nga ku e përjashtuan në vitin 1973 me vendim të organeve politike të Kosovës, po ashtu për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare në Lëvizjen Studentore të vitit 1968 në Kosovë.
Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, Prof. Zymer Ujkan Neziri ka qenë tri herë i arrestuar (në vitet 1967, 1968, 1981) dhe pesë herë i përjashtuar nga puna (në vitet 1968, 1969, 1970, 1973 dhe 1990). Për rreth tridhjetë vjet nuk ka pasur pasaportë udhëtimi jashtë shtetit (në vitet 1968-1978 dhe 1981-1999).
Shumë vite punoi jashtë profesionit, pa dëshirën e tij, përkthyes dhe redaktor gjuhësor në Bankën e Kosovës, në periudhën kohore 1977-1990. Puna e tij është censuruar, prandaj në revistën shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës ka filluar të botojë tek në fund të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar.
Pas zhbërjes së Federatës së Jugosllavisë, organet drejtuese të Institutit e lejuan që të kthehet sërish në Institut, pas 19 vjetësh, në qershor të vitit 1993, në vendin e përshtatshëm të punës asistent (vitet 1971-1973).
Prof. Zymer Ujkan Neziri ka qenë udhëheqës i Degës së Folklorit dhe anëtar i Këshillit drejtues të IAP-it në kohën 1996-2003. Ka qenë anëtar redaksie në revistën “Gjurmime albanologjike – Folklor dhe etnologji” në periudhën kohore 2006-2013, ku në vitet 1972-1973 ishte sekretar shkencor në fillim të daljes së saj.
Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ka marrë titujt: në vitin 1996 bashkëpunëtor shkencor – profesor asistent; në vitin 2000, bashkëpunëtor i lartë profesor i asociuar; në vitin 2003, këshilltar shkencor – profesor i rregullt.
Në detyrën e profesorit të jashtëm, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ka punuar në këto institucione të larta arsimore: SHLP në Prizren në vitet 1998-1999, Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës (2002-2006), Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (2003-2006), Fakultetin e Edukimit në Prizren të Universitetit të Prishtinës (2001-2014), Universiteti i Prishtinës AKM Prishtinë dhe Fakultetin Filozofik të Universitetit të Shkupit (2012-2014).
Që nga viti 1967 Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri merret me vjeljen e folklorit, kurse njësitë e tij janë botuar në disa vëllime të IAP-it. Është kryesisht mbledhës i këngëve epike historike dhe i këngëve epike legjendare. Vazhdon punën e hulumtimit dhe të mbledhjes së folklorit edhe në Republikën e Shqipërisë, në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi.

  1. Në Krahinën e Rugovës mblodhi e incizoi poezinë epike legjendare (1979-1988). Projektin e kreu me vetëfinancim, material që përmban 15 vëllime të veçanta dhe që vlerësohet ndër koleksionet më të mëdha arkivore të shekullit të kaluar me këngë të Eposit të Kreshnikëve. Ka mbi 100 mijë vargje. Ky koleksion këngësh nga Rugova “Këngë të kreshnikëve dhe balada” u realizua sipas projektit hulumtues shkencor për disertacion doktorate. Ruhet në Arkivin e IAP-it në Prishtinë. (nga 15 vëllime, vetëm pesë janë botuar)
  2. Koleksionin e dytë, i incizuar dhe i shtruar, po ashtu në 15 vëllime këngësh të kreshnikëve nga pesë vende të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi, e realizoi në cilësinë e bartësit të projektit. Ky projekt u miratua në IAP, u financua nga MASHT-i dhe u krye në periudhën 2012-2016. Është dëshmi për dosjen e Eposit të Kreshnikëve për UNESCO. Ky koleksion ruhet në arkivin e IAP-it në Prishtinë, si dhe në Arkivin e QSA-së në Tiranë. Ka mbi 100 mijë vargje.
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, përveç punës hulumtuese të disahershme në arkivat e Tiranës, ka realizuar edhe dy qëndrime studimore në SHBA, në Universitetin e Harvardit në periudhat kohore: shtator-tetor 2002 e shkurt 2007 dhe një në Vjenë të Austrisë, në nëntor të vitit 2005.
    Në Harvard, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, ka bërë hulumtime në koleksionin e profesorit amerikan Millmen Peri (Milman Parry) për epikën gojore shqiptare, të mbledhur dhe të incizuar në vitet 1934-1935, në pjesën veriore të Vilajetit të Kosovës, në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Ky koleksion vlerësohet në SHBA si më i madhi i këtij lloji nga Ballkani Perëndimor, për të cilin janë shkruar shumë disertacione doktoratash dhe studime të tjera. Po ashtu, ka hulumtuar edhe në Koleksionin e ndihmësit të tij, Albert Lord (Allbard Llord), këngë epike nga Shqipëria e Veriut të shënuara në vitin 1937. Edhe ky koleksion me rreth 20 mijë vargje të Eposit të Kreshnikëve, vlerësohet se është më i madhi i këtij lloji i mbledhur nga një i huaj.
    Në Vjenë të Austrisë, në cilësinë e bursistit të Ministrisë Federale të Arsimit të Shkencës dhe Kulturës të Qeverisë së Austrisë, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ka realizuar projektin “Dorëshkrimet shqip të folklorit të Maksimilian Lambercit (Maximilian Lampertz) në Akademinë e Shkencave të Austrisë – Arkivi gjegjës, si dhe në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë – Dorëshkrime, Autografe dhe Koleksion Trashëgimie”. Ka shikuar dhe ka analizuar dorëshkrimet e Lambercit në rreth 60 dosje: folklor, folkloristikë, mitologji, etnologji, gjuhësi, letërsi, histori etj.
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri nga viti 1969 publikoi rreth mbi 400 zëra bibliografikë për folklorin, letërsinë, etnologjinë, historinë etj., ndonëse për shumë vite iu censuruan punimet e tij.
    Studime dhe artikuj për letërsinë gojore, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri botoi në: “Gjurmime albanologjike” në Prishtinë, “Kultura popullore” në Tiranë, “Çështje të folklorit shqiptar” në Tiranë, “Seminari ndërkombëtar…” në Prishtinë dhe në organe të tjera shkencore dhe informative brenda dhe jashtë vendit (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Rumani, Itali, Japoni, Poloni, Austri, SHBA, si dhe në proces botimi: Bosnjë e Hercegovinë, SHBA, Hungari-Austri, Kinë).
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Nezirit i janë botuar një vistër veprash, kryesisht me këngë epike nga Eposi i Kreshnikëve. Ndër veprat e tij të botuara janë vëllimi “Epika legjendare e Rugovës”, V (1997), antologjia “Këngë të Kreshnikëve” (1999, 2001, 2003, 2009, 2011, 2013), monografia “Poetika krahasimit. Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë” (2004), përmbledhja “Studime për folklorin, I: Eposi i Kreshnikëve dhe epika historike” (2006), përmbledhja “Studime për folklorin, II: Epika gojore dhe etnokultura”, (2008), vëllimi “Epika legjendare e Rugovës” I (2009), vëllimi “Epika legjendare e Rugovës” II (2011), përmbledhja “Studime për folklorin, III: Eposi i Kreshnikëve” (2018).
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri është bashkëpërgatitës për shtyp i veprave të Institutit Albanologjik të Prishtinës: Libri “30 vjet të Institutit Albanologjik 1967-1997” (1997), bashkëredaktor; përmbledhja e kumtesave “Rëndësia e veprës së Gustav Majerit për studimet albanologjike”, (1998), “Pajtimi i gjaqeve” 1990-1991 (1999, 2001), “Rëndësia e veprës së prof. Eqrem Çabejt për studimet albanologjike” (2003), “Anton Çetta, figurë poliedrike e kulturës shqiptare” (2001) etj. Pastaj radaktor librit të Destan Bajraktarit “Këngë vajzash” (2000), Edibe Selimit – Osmanit “Lirika popullore në trevat e Tetovës dhe Gostivarit” (2007), bashkëkryeredaktor dhe përgatitës i përmbledhjes së kumtesave “Plava e Gucia në shekuj” (2016), kryeredaktor dhe përgatitës për shtyp i përmbledhjes së kumtesave “Kelmendi në shekuj” (2013), kryeredaktor dhe përgatitës për shtyp i përmbledhjes së kumtesave “Visare të trashëgimisë shpirtërore të Pejës me rrethinë”, I (2017), redaktor i librit të Bedri Halimit “Opoja – aspekti folklorik” (2017), redaktor dhe bashkëpërgatitës për shtyp i përmbledhjes së kumtesave “Demonstratat e vitit 1968, II” (2018), kryeredaktor dhe përgatitës për shtyp i librit “40 vjetori i SHKA ‘Rapsha’” (2018) dhe redaktor dhe përgatitës për shtyp i përmbledhjes me kumtesa “Folklori në krahinën e Llapushës” (2019).
    Nga publicistika historike për brezin 1968, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ka botuar veprat: “Isa Demaj, jeta dhe veprimtaria atdhetare” (2000), “Avdi Kelmendi, jeta dhe veprimtaria atdhetare” (bashkautor, 2002, 2016), bashkëpërgatitës për shtyp i librit të Xhevat Hasanit “Me Selman Lajçin nëpër Sanxhak” (2015), redaktor i përmbledhjes me kumtesa “Demarkacioni Kosovë-Mali i Zi” (2015), tri botime, redaktor i librit të Bedri Tahirit “Drenica, djep i trimërisë” (2015), bashkëkryeredaktor i librit të Meriman Brahës “Goli Otoku” (2018) dhe bashkëredaktor dhe përgatitja për shtyp e librit të Komisionit shtetëror për kufirin me Malin e Zi “Raport…” (2018).
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ka në dorëshkrim edhe disa monografi e vepra studimore.
    Puna dhe veprimtaria shumëpërfshirëse në lëmi të ndryshme letrare e Prof. Dr. Zymer Ujkan Nezirit është e përqendruar edhe në projekte ndërkombëtare. Është bashkërealizues i projektit ndërkombëtar në Harvard (2003-2007) për përgatitjen e këngëve epike shqipe të mbledhura nga profesori i Harvardit, Allbert Llord. Në ekipin realizues të projektit janë edhe profesorët David Elmer (Universiteti i Harvardit), Nicola Scaldaferri (Universiteti i Milanos) dhe John Kosti (Universiteti i Teksasit në Austin).
    Ka marrë pjesë me kumtesa, kryesisht nga fusha e studimit të epikës sonë gojore, në shumë tubime shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Poloni (3), Bosnjë e Hercegovinë, SHBA, Hungari-Austri, Kinë.
    Ai ka qenë bartës i projekteve të organizimit të konferencave dhe simpoziumeve shkencore ndërkombëtare.
    Në periudhën kohore 2008-2019 ka qenë përgjegjës ose bashkëpërgjegjës i organizimit të konferencave shkencore ndërkombëtare në Prishtinë:
    Në vitin 2008: “Demonstratat e vitit 1968”, konferencë shkencore ndërkombëtare, IAP – IH – SHBP, bashkëpërgjegjës;
    Në vitin 2010: “Eposi i Kreshnikëve”, konferencë shkencore ndërkombëtare QSAR, përgjegjës;
    Në vitin 2011: “Demonstratat e vitit 1981”, konferencë shkencore, IAP – SHPB, përgjegjës;
    Në vitin 2014: “Eposi i Kreshnikëve”, konferenca II shkencore ndërkombëtare IPAP-QSA, përgjegjës;
    Në vitin 2015: “Skënderbeu dhe Huniadi – Beteja II e Kosovës, 1448”, konferencë shkencore ndërkombëtare IH-OSA, Prishtinë, bashkëpërgjegjës;
    Në vitin 2017: “70-vjetori i AFA Rugova”, tryezë shkencore QRTK – Pejë, përgjegjës;
    Në vitin 2018: “Skënderbeu dhe Huniadi – Beteja II e Kosovës, 1448”, projekt për konferencën shkencore ndërkombëtare IH-ASA-ITK, Prishtinë, bashkëpërgjegjës;
    Në periudhën kohore 1997-2019, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ka qenë përgjegjës ose bashkëpërgjegjës i organizimit të simpoziumeve e sesioneve shkencore:
    Më 1997: “Gustav Majeri”, simpozium shkencor, IAP, Prishtinë, përgjegjës;
    Më 1998: “Eqrem Çabej”, simpozium shkencor, IAP, Prishtinë, përgjegjës;
    Më 2001: “Demonstratat e vitit 1981”, simpozium shkencor, IAP, Prishtinë, bashkëpërgjegjës;
    Më 2010: “Anton Çetta”, sesion shkencor, IAP, Prishtinë, bashkëpërgjegjës;
    Më 2012: “Kelmendi në shekuj”, simpozium shkencor, Prishtinë-Shkodër, përgjegjës;
    Më 2018: “Lahutarët e Sanxhakut”, simpozium shkencor. Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, Prishtinë, bashkëpërgjegjës;
    Më 2018: “Folklori në Krahinën e Llapushës – Komuna e Malishevës”, Malishevë, simpozium shkencor, përgjegjës;
    Më 2018: “550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut”, simpozium shkencor, LAPSH, Naim Frashëri, Vindish, Cyrih, bashkëpërgjegjës;
    Më 2018: “550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut”, simpozium shkencor, shoqatat “Ilirida”, “Pilsing”, Mynih, bashkëpërgjegjës;
    Më 2018: “50-vjetori i demonstratave të vitit 1968”, IAP-IH-SHBP, Prishtinë, simpozium shkencor, përgjegjës;
    Më 2018: “Rugova në vitin 2019”, simpozium shkencor, Klubi i Intelektualëve të Rugovës dhe Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, përgjegjës; dhe
    Më 2019: “Folklori në Drenicë – Komuna e Skenderajt”, Skenderaj, simpozium shkencor, përgjegjës.
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, i cili kohë më parë u zgjodh anëtar i Akademisë Evropiane ka qenë profesor i ftuar në disa universitete të Evropës.
    Në vitin 2004, ka qenë profesor mysafir në tri universitete të Polonisë (Varshavë, Torunj, Poznanj), dhe në Itali, në Universitetin e Kozencës, ku ka mbajtur ligjërata nga fusha e epikës gojore. Nga kjo fushë në vitin 2005, ka mbajtur një ligjëratë në Paris, në Qendrën Saint Denis.
    Më 2008 ka mbajtur një ligjëratë edhe në Vjenë të Austrisë në Qendrën Lalish, si dhe në Universitetin e Vjenës.
    Më 2011 ka qenë përsëri profesor mysafir në Universitetin e Turunit në Poloni.
    Më 2007 ka ligjëruar në Universitetin e Durrësit, më 2012 në Universitetin “Vitrina” të Tiranës, më 2013 në Universitetin e Tiranës, si dhe më 2014 në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe më 2015 në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës.
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri është edhe anëtar i ca shoqatave prestigjioze ndërkombëtare.
    Është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Etnologjisë dhe të Folklorit (Societe Internationale d’Ethnologie et de Folklore SIEF). Po ashtu, është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Epike (The international Association of Epic Studies) dhe pjesëmarrës në themelimin e saj në Pekin, më 18 nëntor 2012, dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
    Është laureat dhe bartës i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve.
    Në vitin 2008 është nderuar me mirënjohje me rastin e shënimit të 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1968, në të cilat ishte organizues dhe pjesëmarrës aktiv.
    Në vitin 2009 është fitues i çmimit “Pjetër Bogdani” nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën “Studime për folklorin, II” dhe në vitin 2012 është fitues i Medaljes së Artë për punën kërkimore-shkencore nga Instituti Biografik Amerikan, Karolina e Veriut, SHBA.
    Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri me familje jeton në Prishtinë. Edhe pse në pension, në moshën 79-vjeçare ende është mjaft aktiv në veprimtarinë krijuese-letrare, produktiv e elegant si përherë në jetën e vet të bujshme me batica dhe zbatica.
    Në fund të këtij portreti, shokut dhe mikut tim të nderuar dhe respektuar i uroj shëndet, mbarësi dhe të gjitha të mirat në jetë, me dëshirën që edhe më tutje të na gëzojë me veprimtarinë e vet krijuese.

Të fundit

më të lexuarat