Misionar i paepur i vlerave të larta krijuese

“Njeriu dhe vjershëtari Radovan Zogoviq e përjetoi dramën kosovare edhe si dramë të vërtetë malaziase. Nga ardhacaku, kolonisti, u shndërrua në dëshmitar, i cili i pari, edhe si vjershëtar, edhe si njeri, edhe si komunist, edhe si malazez, dëshmoi ç’janë ata që në Kosovë sollën ardhacakët dhe i populluan në tokën e lashtë shqiptare. Radovan Zogoviq si vjershëtar është mishëruar me Ali Binakun e moshuar, simbolin e shqiptarisë kosovare, dhe në emër të tij dhe të vetin foli, mund të thuhet, në eposin e parë modern të poezisë malazeze”, shprehet Akademiku Jevrem Brkoviq në recensionin për veprën “Ardhësit - Këngët e Ali Binakut”

Shaban Hasangjekaj

“Populli malazez e kishte pasur fatin të kishte vjershëtarin e madh – që nga Njegoshi e deri më sot më të madhin, Radovan Zogoviqin, ardhacakun dukagjinas, kosovarin sipas fëmijërisë dhe rritjes, i cili si malazez ardhacak ndjeu qenien dhe shpirtin e tokës dukagjinase dhe rrënjët shqiptare të ngulitura thellë në atë tokë kosovare. Radovan Zogoviqi si askush tjetër, e ndjeu, përjetoi dhe e jetoi dramën shqiptare kosovare, të shkaktuar nga ardhja e kolonistëve dhe vendosja e tyre në Kosovë e në Dukagjin!
Njeriu dhe vjershëtari Radovan Zogoviq e përjetoi dramën kosovare edhe si dramë të vërtetë malaziase. Nga ardhacaku, kolonisti, u shndërrua në dëshmitar, i cili i pari, edhe si vjershëtar, edhe si njeri, edhe si komunist, edhe si malazez, dëshmoi ç’janë ata që në Kosovë sollën ardhacakët dhe i populluan në tokën e lashtë shqiptare. Radovan Zogoviq si vjershëtar është mishëruar me Ali Binakun e moshuar, simbolin e shqiptarisë kosovare, dhe në emër të tij dhe të vetin foli, mund të thuhet, në eposin e parë modern të poezisë malazeze”.
Janë këto fjalë shprehëse në recensionin e shkrimtarit të mirënjohur, tani të ndjerë malazez, Jevrem Brkoviq, kushtuar veprës poetike “Ardhësit – Këngët e Ali Binakut” (titulli i origjinalit “Došljaci – pjesme Ali Binaka”), përkthyer nga Prof. Dr. Anton Nikë Berisha dhe botuar nga Shtëpia Botuese ”Faik Konica” në Prishtinë, në vitin 2016.
Radovan Zogoviq (Zogović) u lind më 19 gusht 1901 në fshatin Mashnicë të Polimles (tani të Komunës së Plavës), Mali i Zi. Klasën e parë të shkollës fillore e kreu në Mbretërinë e Malit të Zi, të dytën nën Austrinë, ndërsa të tretën dhe të katërtën në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene. Në shënimet e veta Zogoviqi kishte shkruar: “Në kohën prej tri vitesh, kam qenë i detyruar të di, të këndoj dhe ta përfill ligjin, tri himne të tri shteteve të ndryshme, nga të cilat himni i Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve ishte i përbërë nga tri himne të gjata, krejtësisht të ndryshme”.
Gjimnazin e ulët e mbaroi në Beran. Në vitin e tretë të gjimnazit shkroi disa tregime të shkurtra kundër alkoolit dhe atyre që e përdornin dhe merreshin me shijen e tij, ndërsa në vitin e katërt filloi të botojë këngë popullore dhe të dhëna etnografike.
Dy vjet e gjysmë të gjimnazit të lartë, Radovan Zogoviq i mbaroi në Pejë për arsye se aty u shpërngul familja e tij, si rrjedhojë e kolonizimit të Dukagjinit dhe të Kosovës.
Si gjimnazist botoi shkrime anonime në gazetën malazeze “Mali Radojica” (“Radojica i Vogël”) dhe në ndonjë revistë humoristike të Beogradit. Poezinë e parë me tematikë nga e kaluara mesjetare e botoi në revistën “Venac” (“Kunora”) më 1926/1927. Në gjysmë të vitit të shtatë të Gjimnazit të Pejës përjashtohet për arsye se në një hartim i sulmoi popat (priftërinjtë) ortodoksë.
Mbas mbarimit të gjimnazit, regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Shkup, pikërisht në vitin e parë të diktaturës së kral Aleksandrit, që njëherit është koha e thellimit të krizave të mëdha politike dhe ekonomike. Në atë kohë, siç thekson Zogoviqi, në tekstin e tij autobiografik “Postajanje i postojanje” (“Formimi dhe ekzistenca”), vetëm letërsia përligjte një kundërvënie dhe parashënjonte një të ardhme të dëshiruar.
Bursën për të studiuar, Radovan Zogoviqi e humbi pasi botoi një shkrim rreth një shfaqjeje të dobët dhe nga ai çast jetoi nga puna që bënte vetë, edhe nga honoraret e gazetave dhe revistave ku botonte.
Në vitin e tretë të studimeve, Radovan Zogoviqi e shkroi tregimin “Bijela kuća” (Shtëpia e bardhë), ku trajtohet urdhri i shtetit që shqiptarët në Dukagjin ishin të detyruar t’i lyenin përjashta shtëpitë e tyre me ngjyrë të bardhë, për t’u dukur, për sy e faqe të bukura, ndërsa brenda ishte një gjendje tepër e mjerueshme.
Gjatë studimeve, Zogoviq u njoh me literaturën marksiste-leniniste, e cila bëri një ndikim të thellë në qenien e tij. Pas mbarimit të studimeve punoi si korrektor. Bashkë me Koço Racinin e shumëfishonte revistën ilegale “Iskra” (“Shkëndija”), organ i Partisë Komuniste të Maqedonisë. Duke e shpërndarë një numër të saj, e zuri policia, u dënua me një muaj burg dhe u përjashtua nga puna. Në atë kohë u bë edhe anëtar i Komitetit të Rrethit të PK të Pejës.
Në vitin 1934, Radovan Zogoviq emërohet profesor në gjimnazin e Shkupit. Më vonë kalon në gjimnazin e Zajeçarit në Serbi, ku për shkak të veprimtarisë komuniste përjashtohet nga puna.
Në shtator të vitit 1935, Radovan Zogoviq kalon në Beograd, ku bëhet anëtar i komisionit të Lidhjes Komuniste të Rinisë, që kishte për qëllim bashkimin e rinisë kundër fashizmit. Merrte pjesë në mbrëmjet letrare që organizoheshin në Universitetin e Beogradit, ku ligjëratat nuk ishin të censuruara.
Në mbarim të vitit 1937, Zogoviqi botoi në Zagreb përmbledhjen me poezi “Plameni golubovi”
(Pëllumbat e përflakur), e cila u ndalua së shituri, ndërsa Eli Finci u dënua me tre muaj burgim për arsye se në shtëpinë e tij u gjet një pjesë e tirazhit, që e barti nga Zagrebi në Beograd. Bashkëpunoi me emrin e vërtetë ose me pseudonim me një varg gazetash e revistash liberale që dilnin në gjithë hapësirën e Jugosllavisë.
Radovan Zogoviq për dy vite (1937-1939) ishte redaktor i revistës “Naša stvarnost” (Realiteti ynë), ndërsa revistën “Umjetnost i kritika” (Arti dhe kritika) e redaktoi me Velibor Gligoriqin.
Pas bombardimit të Beogradit, më 6 prill kthehet në Mal të Zi dhe merr pjesë në luftë. Bëhet anëtar i Shtabit kryesor të propagandimit të Malit të Zi. Në vitin 1943 shkruan poemën “Pjesma biografije druga Tita” (Kënga e biografisë së shokut Tito), që gjatë luftës përjetoi gjashtë botime.
Pas përfundimit të luftës e deri në vitin 1948 kryen një varg punësh të ndryshme, të natyrës politike, kulturore dhe letrare. Ishte edhe nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, si dhe redaktor i kulturës në gazetën e njohur “Borba” (Lufta) të Beogradit.
Ishte dhe deputet ne Kuvendin e Jugosllavisë.
Në vitin 1945, Radovan Zogoviq boton përmbledhjen me poezi të përkthyera të Majakovskit, ndërsa në vitin 1947 përmbledhjen me poezi të veta “Prkosne strofe” (Strofat krenare). Nga viti 1949, për shtatëmbëdhjetë vite u vu në izolim të plotë. Në vitin 1958, “Prosveta” e Beogradit ia botoi Zogoviqit veprën “Došljaci – pjesme Ali Binaka” (“Ardhësit – Këngët e Ali Binakut”), të përpunuar (ciklin prej 12 sosh), të cilën bashkë me poeten e njohur serbe Desanka Maksimoviq, e shpërndanë nëpër Beograd. Në vitin 1968 boton përmbledhjen me poezi “Artikulisana reč”
(Fjala e artikuluar), ndërsa po ashtu në vitin 1968 përmbledhjen “Pejzaži i nešto se dešava” (Peizazhe dhe diçka po ndodhë). Zogoviq boton edhe një varg veprash tjera letrare, ese dhe polemika. Pas vdekjes i botohet vepra “Prepjeva” (Përshtatja), me tekste të përthyera nga ai, që gjatë izolimit u botuan me emrin e Desanka Maksimoviqit si dhe “Postajanje i postojanje”
(Formimi dhe ekzistenca).
Radovan Zogoviq ka ndërruar jetë më 5 janar të vitit 1986.
Sipas dëshmisë së shkrimtarit Jevrem Brkoviq, është varrosur në varrezat e vogla të Deçanit të Kosovës, i cili edhe i vdekur kthehet në Kosovë, mes pasardhësve të Ali Binakut, të cilit edhe ia kushtoi veprën poetike “Ardhësit – Këngët e Ali Binakut”.

Të fundit

më të lexuarat