Çdo punë e mirë, çdo vepër e madhe, çdo detyrë e rëndësishme, kur kryhet me vullnet e ndërgjegje të pastër shpirtërore, pa dyshim, sjell gëzim në mendje, zemër e shpirt të çdo personi. Kështu mund të thuhet edhe për mërgimtarin malësor me zemër bujare, Shtjefën Gojçaj, i cili dëshiron bashkimin e trojeve shqiptare.
Ai lindi në vitin 1948, në fshatin Skorraq – Traboin të krahinës së Hotit, në një familje të thjeshtë, me prindër dhe paraardhës që janë dalluar për trimëri, atdhetarizëm, mikpritje, ndershmëri dhe ndjenja përparimtare. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje ndërmjet varfërisë, vështirësive familjare dhe rrethanave jo të favorshme politike të kohës për shqiptarët, por me përkujdesjen dhe dashurinë prindërore, që nuk ia zëvendësoi asgjë në botë. Ai ka një përvojë, pjekuri dhe veprimtari atdhetare mbi 50-vjeçare, të grumbulluar në mjedisin e tij të lindjes, në shkollimin fillor në Arzë dhe në Tuz, në shkollën e mesme profesionale ekonomike në Gjakovë dhe në vazhdimin e studimeve me korrespondencë në Prishtinë.
Ka qenë ekonomisti i parë i diplomuar në Malësi. Ka punuar si sekretar në shkollën fillore “Jedinstvo” (Bashkimi) në Arzë, pastaj në Kombinatin e Aluminit në Podgoricë dhe së fundi në bankë. Gjendja jo e lakmueshme ekonomike dhe situata e tensionuar politike e regjimit të atëhershëm titist, e shtynë që të largohet nga vendlindja, më 11 tetor 1984. Prej atëherë jeton në Detroit, me bashkëshorten Gjysten dhe fëmijët Antonin, Artën dhe Arianën.
Është njeri i edukuar me frymën e pagëzimit kombëtar, misionar i thjeshtë, njeri i aksionit dhe i sfidave, duke e ruajtur dinjitetin e shembujve të ndritshëm të paraardhësve të vet, të cilët nuk kursyen as gjënë më të shtrenjtë – jetën për mbrojtjen e tokave shqiptare nga zaptuesit e kohës.
Kontributet në vendlindje
Në çdo fazë të jetës së tij, përveç edukimit familjar në frymën e vlerave dhe traditës shqiptare, mirëqenies dhe arsimimit të tyre, ka kontribuar për transformimin dhe zhvillimin e vendlindjes dhe është angazhuar në aktivitete dhe veprimtari të ndryshme kombëtare. Ky biznesmen punëtor dhe veprimtar i palodhur u angazhua me zell e përkushtim të rrallë në të gjitha aktivitetet për ringjalljen e jetës në Hot. Ai refuzoi punën në Gjykatën Komunale në Gjakovë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Beograd për t’u ndihmuar bashkëfshatarëve (popullit) të vet të shumëvuajtur, asokohe pa kushte elementare për jetesë. Në moshë të re 18-vjeçare rikthehet në vendlindje. Falë aftësive të tij profesionale dhe gatishmërisë në organizimin e aktiviteteve të shumta infrastrukturore dhe arsimore ka zgjedhur bashkëpunëtorë dhe miq, me të cilët ka ndarë ide dhe veprime të përbashkëta. Ndjehet krenar dhe i privilegjuar që pati rastin të bashkëpunojë me burrat (figurat) më të shquar të Hotit të asaj kohe – Nikollë Lucë Keqin Gjonaj, Rrok Pjetër Gilën Gojçaj, deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, pastaj me intelektualin, mësimdhënësin, drejtorin, gazetarin, studiuesin dhe mbledhësin e krijimtarisë gojore të Malësisë, Mirash Lucë Gojçaj, Martin Gjonaj, Luigj Junçaj, Nua Gojçaj e shumë veprimtarë të tjerë, që lanë gjurmë të pashlyera në fusha të ndryshme të jetës.
Shtjefën Gojçaj punoi në vendlindje vullnetarisht, pa asnjë kompensim, me shumë pasion e përpikëri plot 14 vite (1970-1984). Numri i aktiviteteve dhe kontributeve të Shtjefën Gojçajt në vendlindje janë të shumta, por ne po përmendim vetëm disa prej tyre, siç janë: ndërtimi i shkollës fillore në Arzë, elektrifikimi i fshatrave të Hotit, zgjerimi dhe asfaltimi i rrugëve lokale deri në qytezën e Tuzit, hapja e linjës së autobusit Hot-Titograd (sot Podgoricë), themelimi i bashkësisë lokale të Hotit etj.
Ka pasur rast dhe mundësi të aktivizohet në rrjedhat politike të Malit të Zi, ndoshta më shumë se të tjerët që pranuan poste të ndryshme. Motoja e jetës së tij ishte dhe mbeti: “Të mos gënjejë, të mos vjedhë dhe të mos spiunojë për asnjë përfitim personal”. Duke e njohur si të tillë, strukturat malazeze e kanë lënë rehat.
Nuk kurseu asgjë për të ndihmuar të tjerët
Malësorët e kanë pasur traditë ndihmën ndaj njëri-tjetrit. Këtë tipar (virtyt) nga prindërit (familja) e ka trashëguar edhe Shtjefën Gojçaj. Çdoherë ka pasur dëshirë t’i ndihmojë njerëzit në nevojë. Për këtë gjë nuk ka kursyer kohën, as paratë.
“Nuk kam qenë i pasur”, thotë ai, “por natyra e punëve që kryeja, më mundësoi të njihem me të gjitha punët administrative dhe financiare ku jetoja dhe veproja. Në këtë drejtim”, shton ai, “kam qenë i interesuar që brenda mundësive të mia t’i ndihmoj njerëzit, pavarësisht se kush janë”.
Gjithmonë është përpjekur të kujdeset që t’i gëzojë dhe t’i bëjë të lumtur shumë njerëz. Ai kurrë nuk i ka ndarë njerëzit përveç nëse janë të mirë apo të këqij. Të mirëve t’u ndihmojë që të jenë edhe më të mirë, kurse të këqijtë të përpiqet t’i udhëzojë në një mënyrë të këndshme dhe të mirë që të pendohen dhe të ndryshojnë.
Të gjitha kontributet, të cilat ai i quan simbolike, në të vërtetë janë të mëdha, sepse janë dhënë me shumë dëshirë e vullnet, prandaj ato i sjellin kënaqësi.
Person i nderuar në komunitetin shqiptar në Amerikë
Shtjefën Gojçaj njihet në komunitetin shqiptar në Amerikë si njeri fisnik me shpirt njerëzor, me zemër bujare, biznesmen i ndershëm, atdhetar i palëkundur dhe ithtar i bashkimit kombëtar. Ai ishte pjesëmarrës në shumë protesta e fushata lobuese antiserbe, të organizuara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jo vetëm në Detroit por edhe në Çikago, Nju-Jork, Uashington e vende të tjera. Asohere ishte mjaft e vështirë për të marrë pjesë në to, ngase para Ambasadës jugosllave shqiptarët i merrnin (incizonin) me kamera dhe regjimi i atëhershëm jugosllav nuk lejonte udhëtimin e këtyre njerëzve në vendlindje. Mbase ka pasur raste që disa prej tyre të arrestohen dhe të keqtrajtohen nga qeveria e kohës.
Përveç kësaj është mbështetës dhe kontribuues financiar i Fondit “Vendlindja thërret”. Nuk ka munguar në aktivitetet e ndryshme që ka organizuar komuniteti shqiptar në Amerikë. Është njëri ndër themeluesit e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe” në Miçigan. Ka ngritur zërin për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe padrejtësive që u bëheshin atyre në trojet stërgjyshore. Po ashtu ka qenë organizator i Simpoziumit shkencor “Hoti në rrjedhat e shekujve”, organizator për grumbullimin e kontributeve financiare për të ndihmuar vendlindjen dhe koordinator për grumbullimin e mjeteve financiare për ndërtimin e shtëpisë muze të heroit tonë kombëtar, Dedë Gjo’ Lulit, në Bardhaj të Hotit.
Kështu i ka diktuar zemra dhe nuk kërkon kurrfarë privilegji. Ai, siç e njoh unë, i do shqiptarët. Dëshiron ta shohë mirë Malësinë. Kur populli shqiptar është mirë, kam përshtypjen se ndjehet i përmbushur dhe pushon pa shqetësime.
Aspirata për bashkimin kombëtar
Për Shtjefën Gojçaj bashkimi i shqiptarëve është dhe mbetet një ëndërr që nuk shuhet. Ai dëshiron dhe shpreson që shqiptarët të festojnë një ditë bashkimin kombëtar nën flamurin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut brenda kufijve të vet natyrorë, në paqe dhe bashkëpunim me fqinjët e tyre dhe si pjesë e integruar dhe e pandarë e Evropës, aty ku historikisht e ka vendin kombi shqiptar. Në pyetjen time se a do të rikthehet përgjithmonë në Malësi, që e mban në zemër dhe në mendje ditë dhe natë, përgjigjet: “Do të kthehem vetëm nëse ndodh bashkimi i trojeve shqiptare në një Shqipëri etnike”.