
Në traditën folklorike të etnomuzikologjisë shqiptare ka pasur emra të njohur si instrumentistë, duke qenë në radhë të parë mjeshtra artizanalë, por edhe ekzekutues virtuozë. Kësaj radhe do të ndalem te një instrumentist shumë i njohur në Malësi të Madhe, por jo sa duhet i prezantuar, i gjurmuar dhe i studiuar, Dodë Nikollë Gjonaj nga fshati Rudinë – Triesh. E veçova këtë emër të njohur të interpretimit të muzikës folklorike shqiptare sepse, siç e kanë vlerësuar instrumentistët, artistët popullorë dhe mjeshtrit më të rrallë dhe më të njohur të etnomuzikologjisë shqiptare, me të cilët ka bashkëpunuar ngushtë dhe mjaft gjatë në shumë festivale kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, ai posedon jo vetëm nivelin e lartë të talentit për sajimin e instrumentit dhe ekzekutimit me të, por edhe duke qenë prodhues dhe konsumues i këtij arti. Atë, shumica e njohin si instrumentist, si mjeshtër që prodhon instrumente muzikore dhe ekzekuton me to. Por janë të paktë ata që e njohin botën e tij të pasur të artistit krijues, të talentit të realizuar me përkushtim dhe këmbëngulje, si dhe tërësisë krijuese që ai ka manifestuar dhe manifeston.
Virtuoz në çifteli
Te Dodë Gjonaj janë njëzuar, që në fëmijëri, në radhë të parë talenti i lindur i artistit dhe pasioni. Çiftelia, që është instrumenti muzikor më i preferuar ndër shqiptarët e krahinave veriore dhe verilindore të Shqipërisë etnike, ishte dashuria e tij e parë dhe do të mbetet e fundit. Ai këtë instrument e zotëron qysh në moshën 5-vjeçare, kurse një vit më vonë ka ekspozuar në skenë me këtë instrument në SHKA “Besa”, në një koncert të mbajtur në Triesh, ku morën pjesë shumë shoqëri e ansamble folklorike nga Komuna e Titogradit (sot Podgorica), duke u bërë instrumentisti më i ri dhe i vetmi që luajti në çifteli.
Aq bukur, aq mrekullueshëm dhe me mjeshtëri të rrallë ka luajtur në këtë instrument saqë unë e kam parë disa herë t’i bie çiftelisë në pozita të ndryshme – në këmbë, ulur këmbëkryq, pas qafe, me të cilat kam mbetur i mahnitur. Që nga mosha 11-vjeçare ka qenë anëtar i rregullt i SHKA ”Besa” e Trieshit. Me kalimin e kohës ai u bë mjeshtër virtuoz në çifteli, më i miri në Malësinë e Mbishkodrës. Nga duart e këtij muzikanti (artisti) virtuoz, që ka arritur shkallën më të lartë të interpretimit në çifteli, dolën dhjetëra instrumentistë të rinj të shquar trieshianë-malësorë, të cilët interpretuan në shumë koncerte e festivale të ndryshme.
Ai është ekzekutuesi i çiftelisë, i cili përmes një instrumenti të thjeshtë me dy tela, shprehu një botë të tërë virtuoze, një botë të tërë ndjenjash sublime, një botë të tërë të artit që i referohet shpirtit, këngës e valles ritmike, e cila buron nga gjeni krijues shqiptar, që japin melodinë e cila pastron ndjenjat, forcon moralin, besimin te forca krijuese e njeriut, thyejnë monotoninë dhe rinojnë shpirtin. Meloditë e tij të ekzekutuara me çifteli janë melodi antologjike. Nuk u ndal vetëm në çifteli. Interpretoi edhe në sharki, lahutë, fizarmonikë. Mësimet e para në fizarmonikë i mori nga gjeniu, mjeshtri dhe kompozitori i famshëm Agim Krajka.
Krijimtaria artistike
Të rrallë janë muzikantët, artistët dhe krijuesit shqiptarë të cilësdo lëmi qofshin, që arrijnë ta zotërojnë talentin, intuitën, mjeshtërinë, afinitetin, përkushtimin, vullnetin dhe kredon krijuese në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që tërë jetën ia kanë kushtuar artit të popullit, për ta shprehur botën e brendshme shpirtërore, sikur e ka shprehur dhe e shpreh në krijimtarinë e tij etnomuzikologjike Dodë Gjonaj.
Gjatë periudhave të ndryshme, ai ka kompozuar muzikë për këngëtarë të famshëm, pjesë orkestrale, melodi të ndryshme dhe ka vënë në skenë dhjetëra valle popullore. Një pjesë e madhe e melodive të kompozuara nga ai nuk janë publikuar ende, por shpreson se një ditë do t’i prezantohen publikut shqiptar.
Në kohën e kryerjes së shërbimit ushtarak, ishte anëtar i një ansambli vallëzimi në Sarajevë. Në Podgoricë ishte anëtar i ansamblit të këngëve dhe valleve si instrumentist dhe këngëtar. Në ansamblin profesional “Stari grad” (Qyteti i Vjetër) ishte i vetmi shqiptar nga Mali i Zi i cili me kostume kombëtare interpretoi këngë dhe valle popullore shqipe.
Në vitin 1989, kur ka emigruar në Paris të Francës, është inkuadruar në Ansamblin Folklorik “Aleksandër Moisiu”, drejtues artistik i të cilit ka qenë deri në vitin 1993, kur ka emigruar në Miçigan të SHBA-së. Edhe atje, ai vazhdon kontributin e tij në muzikën folklorike dhe krijimtarinë e tij të suksesshme artistike. Rrugëtimin e tij muzikor e vazhdon në një grup muzikor të mirënjohur me muzikantë, profesionistë e këngëtarë me famë kombëtare, duke interpretuar sipas kërkesave të komunitetit, në dasma, lokale, koncerte etj.
Në Francë dhe SHBA ka dhënë kurse për çifteli. Me nismën e tij është formuar edhe Kori i Kishës Katolike Shqiptaro-Amerikane “Shën Pali” në Miçigan, i cili performon edhe sot. Me iniciativën e tij dhe dëshirën e komunitetit shqiptaro-amerikan formoi Ansamblin e Valleve, të cilin e drejtoi deri në korrik 2008, kur u rikthye në vendlindje përgjithmonë nga kurbeti. Ka regjistrime të vjetra në Radio Televizionin Shqiptar, Radio Televizionin e Prishtinës, Radio Shkodër, Radio e Malit të Zi etj.
Dodë Gjonaj edhe sot e kësaj dite, kur po rrugëton në të shtatëdhjetat, nuk i ndahet instrumenteve, interpretimit tashmë të përkryer dhe dashurisë së lindur të veglave muzikore, këngës dhe valleve shqiptare.
Bashkëpunimi me artistë të famshëm
Në periudhën kohore sa ka qëndruar në Francë dhe në Amerikë, Dodë Gjonaj ka pasur nderin dhe privilegjin të takohet dhe të bashkëpunojë me artistë të famshëm. Në Paris të Francës bashkëpunoi me Ehad Musën, kitarist me famë botërore, kurse në Amerikë ka bashkëpunuar duke dhënë koncerte me artistin popullor dhe mjeshtrin e rrallë të etnomuzikologjisë shqiptare, Shaqir Hotin (i lindur në Rogovë të Hasit të Prizrenit) dhe me Ndue Shytin me origjinë nga rrethi i Pukës, “Paganini” shqiptar i çiftelisë. Ky i fundit, siç pohon Gjonaj, pas takimit dhe bashkëpunimit me të në disa shfaqje e koncerte, i kishte thënë:
“Unë në Shqipëri isha njëri ndër krijuesit dhe instrumentistët më të njohur në botën e muzikës shqiptare dhe përveç Artist i Popullit më quanin Mbret i çiftelisë. Mirëpo, kur erdha në Amerikë e gjeta një interpretues tjetër më të mirë të çiftelisë sesa unë. Ju jeni ai”.
Punues i shkëlqyer i instrumenteve tona muzikore popullore
Çiftelinë e tij të parë e ka punuar me dorë në moshën 13-vjeçare, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Me këtë mjeshtëri të punimit të veglave muzikore popullore vazhdoi të punojë më së shumti në moshën e adoleshencës. Shumë çifteli të punuara me mjeshtëri në fillimet e tij ua ka dhuruar shokëve, miqve dhe adhuruesve të këtij instrumenti tradicional muzikor. Asokohe nuk kishte mjete të nevojshme për punimin e çiftelisë dhe të instrumenteve tjera tradicionale të cilësisë së lartë. Punohej me mjete primitive, andaj edhe cilësia e veglave popullore nuk ishte e lartë. Kjo ishte arsyeja që ai për 29 vite e ndërpreu këtë lloj mjeshtërie, të cilën e rifilloi kur shkoi në Amerikë, sepse atje ekzistonin të gjitha mjetet moderne për përpunimin e të gjitha instrumenteve muzikore. Pasi atje e punoi çiftelinë e parë, miqtë e tij adhurues të muzikës folklorike filluan të kërkojnë me porosi jo vetëm çifteli, por edhe sharki, aude e instrumente tjera popullore. Veglat muzikore popullore që ai i punon nga druri i kregzës, pajës, arrës, manit, plepit etj. janë të cilësisë së lartë, prandaj janë shumë të shtrenjta në krahasim me instrumentet muzikore që prodhohen tani në të gjitha trevat shqiptare.
Ky krijues artistik e muzikor, i cili ka krijuar origjinalitetin e interpretimit autonom, nuk është vetëm intrumentist, koreograf, udhëheqës artistik, këngëtar, kompozitor i veprave muzikore dhe punues i shkëlqyer i instrumenteve tona muzikore tradicionale, por është një ndër artistët më të dalluar të muzikës popullore shqiptare.
Me një karrierë të pasur dhe të gjatë, ai la gjurmë në botën e muzikës folklorike shqiptare, duke u bërë një figurë e dashur dhe i respektuar nga kolegët dhe publiku në hapësirën mbarëkombëtare dhe më gjerë. Ai nuk ka nevojë për ne. Ne kemi nevojë për artin dhe talentin e tij. Gjithçka bëri Dodë Gjonaj për artin popullor do ta bënin të meritueshme dhënien (ndarjen) e një çmimi nga Komuna e Tuzit, pasi gjithë jetën ai e nderoi Malësinë, në skenat brenda dhe jashtë vendit, sepse përçoi anembanë identitetin e shqiptarisë.
Ky mjeshtër virtuoz e ka çarë rrugën e afirmimit të veglave muzikore tradicionale, këngëve, valleve dhe traditave etno-kulturore shqiptare krejt i vetëm, pa përkrahje institucionale, por me mbështetje të të fuqishme të publikut artdashës.
I dhimbset shumë arkivi (albumi) i tij i pasur nga pjesëmarrjet në festivalet më prestigjioze , më në zë, më me renome, të kohës në shtete të ndryshme të botës, të cilat i mbetën ( humbën) në Shtete të Bashkuara të Amerikës, që për të është një pasuri dhe vlerë e paçmuar artistike. Pavarësisht kësaj krijimtaria e tij artistike kurrë nuk do të vdesë.