Kapedani guximtar, përherë në shërbim të nevojave të trieshianëve

Jeta e tij është një luftë dhe përpjekje e pareshtur për të bërë gjëra të mira në jetë për vendlindjen dhe për bashkëfshatarët e vet. Gjatë tërë jetës së tij ishte në shërbim të trieshianëve, duke i ndihmuar ata me gjithçka mundej, në çdo kohë të ditës apo natës, në çdo situatë dhe në çdo rast e nevojë që kishin ata

Gjekë Gjonaj

Trieshi në të kaluarën ka nxjerrë emra të njohur të profesioneve të ndryshme, mes të cilëve edhe kuadro ushtarake me grada që kanë shërbyer në ushtritë e kohës. Njëri prej tyre është edhe Dodë Prëka Lucaj nga fshati Stjepoh.
Ai u lind më 10 gusht 1925, në një familje të varfër, por të ndershme e fisnike bajraktarësh. Ishte pasardhës i familjes së Dedë Nishkut Lucaj, nëntoger. Lindja e tij përkon me krizën e thelluar të urisë, që u shfaq në mesin e banorëve të viseve të Shqipërisë së Veriut, pra edhe të Trieshit dhe krahinave të tjera të Malësisë së Madhe.

Fëmijëria në varfëri të skajshme
Vitet e fëmijërisë së tij ishin jashtëzakonisht të vështira, sepse trieshianët e asaj kohe, në këtë trevë malore me gurishta e shkëmbinj në kufi me Shqipërinë, jetonin pa kushte elementare për jetesë, në një varfëri të skajshme e cila kërcënonte jetët e njerëzve. Pothuajse çdo gjë mungonte. Në veçanti, shpesh nuk kishte as bukë të mjaftueshme, pa ujë të pijshëm, pa kujdes shëndetësor e arsim në gjuhën amtare.
Në këto rrethana trieshianëve, sikurse edhe malësorëve shqiptarë të tjerë nga Hoti, Gruda e Koja, u mohohej e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në shkolla, administratë, organizime të ndryshme me karakter kombëtar. Po ashtu nuk u lejohej përdorimi i flamurit kombëtar.
Meqë ishte vëlla i vetëm, në moshë të re u përfshi në punë të rënda blegtorale dhe bujqësore për të ndihmuar prindërit dhe dy motrat në sigurimin e ushqimit dhe veshmbathjes.

Nuk ishte e lehtë që në vitet ’80 të shekullit të kaluar të bëjë emër të mirë dhe të ruajë të pastër figurën morale dhe politike, në një kohë që sistemi socialist kishte marrë tatëpjetën e pakthyeshme. Por Doda nuk mund të bënte ndryshe. Ai studentëve trieshianë që studionin në Kosovë, në besë ua jepte certifikatën e lindjes me mbiemër shqip, me prapashtesën “aj” e jo “ iq”, siç ishin të regjistruar në librin e amzës në Zyrën e gjendjes civile

Shkollimi dhe aktiviteti ushtarak, politik e civil
Dodë Prëka, siç mësojmë nga shënimet e tij biografike, pas shkollës fillore ka kryer shkollën ushtarake në Beograd, sikurse edhe kurset për mësues, tregti, drejtësi dhe për politikë. Ishte pjesëmarrës i Luftës Nacionalçlirimtare që nga viti 1943. Për veprimtarinë e tij luftarake gëzoi statusin e luftëtarit. Kishte gradën e kapedanit (kapitenit) të klasit të parë të Ushtrisë Jugosllave. Mbrojti me ngulm (zell) vlerat e Luftës Antifashiste. Për kontributin e tij ushtarak në kohën e monizmit u vlerësua me disa dekorata e mirënjohje nga institucionet më të larta përkatëse shtetërore të ish-Jugosllavisë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Dodë Prëka u punësua si nëpunës – ofiqar i gjendjes civile në Zyrën e vendit në Triesh, ku edhe u pensionua. Ndërkohë gjatë një viti shkollor 1953/1954 ka punuar si mësues në Triesh.

Vlerat njerëzore dhe shpirtërore
Edhe pse ishte komunist i edukuar në frymën e “marksizëm-leninizmit jugosllav, i mishëruar me historinë e huaj”, Dodë Prëka ishte i mbrujtur me ndjenja atdhedashurie, jo vetëm ndaj kombit të vet, por të mbarë njerëzimit, sepse ai kultivonte një kulturë mbarënjerëzore. Ai asnjëherë nuk kishte turp dhe frikë nga e kaluara e tij.
Jeta e tij është një luftë dhe përpjekje e pareshtur për të bërë gjëra të mira në jetë për vendlindjen dhe për bashkëfshatarët e vet. Gjatë tërë jetës së tij ishte në shërbim të trieshianëve, duke i ndihmuar ata me gjithçka mundej, në çdo kohë të ditës apo natës, në çdo situatë dhe në çdo rast e nevojë që kishin ata. Orari i punës së tij nuk zgjaste tetë orë. Ai 24 orë ishte në shërbim të trieshianëve. Kushdo dhe kurdo shkonte në zyrë ku ai punonte apo në shtëpinë e tij, përveç mikpritjes së ngrohtë tradicionale, fjalëve të ëmbla dhe buzëqeshjes së çiltër (dëlirë), nuk kthehej pa e mbaruar punën për të cilën kishte ardhur. Në këtë rrugëtim ai la gjurmë të pashlyeshme në Triesh, duke shërbyer me ndërgjegje dhe përkushtim të rrallë, pavarësisht kufizimeve politike të kohës dhe vështirësive të njohura. Ngado që shkonte kishte autoritet dhe gëzonte respekt nga njerëzit, sepse kishte disa veçori të dallueshme të cilat e bënin të pranueshëm kudo ku jetonte dhe vepronte.

Figura morale
Dodë Prëka, jo vetëm se ishte një burrë zotëri, shumë pedant dhe familjar i matur, por ishte edhe njeri i mirë, i sinqertë, i ndershëm, i drejtë dhe guximtar.
Nuk ishte e lehtë që në vitet ’80 të shekullit të kaluar të bëjë emër të mirë dhe të ruajë të pastër figurën morale dhe politike, në një kohë që sistemi socialist kishte marrë tatëpjetën e pakthyeshme. Por Doda nuk mund të bënte ndryshe. Ai studentëve trieshianë që studionin në Kosovë, në besë (besim) ua jepte certifikatën e lindjes me mbiemër shqip, me prapashtesën “aj” e jo “ iq”, siç ishin të regjistruar në librin e amzës në Zyrën e gjendjes civile. Padrejtësia që u bëhej trieshianëve shqiptarë nga regjimi komunist i kohës duke ua ndaluar shkrimin e emrave dhe mbiemrave në gjuhën e tyre amtare, mbizotëroi vetëdijen e tij se ky mund të ishte një veprim i kundërligjshëm, që rrezikonte punën dhe të ardhmen e tij.

Përpjekjet e pasuksesshme të njerëzve keqdashës, s’e nënshtruan dot
Ky gjest atdhetarie i tij nuk kaloi pa rënë në sytë dhe veshët vëzhgues të spiunëve të UDB-së jugosllave, të cilët në vitin 1981 ngritën ndaj tij akuza, padi e shpifje të paargumentuara e të paqena me qëllim që të dëmtojnë imazhin dhe respektin që gëzonte nga trieshianët dhe njerëzit e tjerë. Fatmirësisht, ky skenar klasik i, siç thekson ai në shënimet e tij biografike, njerëzve keqdashës dhe keqbërës, ishte i pamjaftueshëm në qëllimin që kishin.
Mendoj se trieshianët sigurisht e dinë dhe e kanë të qartë se në asnjë periudhë kohore nuk mund ta dëmtojë, ta errësojë e ta zhvlerësojë veprimtarinë e ndershme ushtarake e civile të të Dodë Prëkës, as në jetë as pas vdekjes së tij, më 20 nëntor 2014, në mërgim, në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe prehen eshtrat e tij.

Të fundit

më të lexuarat