
Jovan Balaj – Baleviq, shqiptar, lindi më 1728 në Pelev Brijeg – Bratonozhiqi, afër Podgoricës, Mali i Zi. Jovan Balaj, si fëmijë nga Mali i Zi mbërriti në Bosnje përmes qendrave të atëhershme kulturore të Austro-Hungarisë – Karllovcit të Sremit, Temishvarit, i cili u quajt Vjena e vogël për shkak të arkitekturës së tij, ku përfundoi arsimin e ulët dhe të mesëm. Ai studioi dhe u diplomua në Fakultetin Filozofik dhe Juridik, d.m.th. studioi filozofi dhe drejtësi në Universitetin në Halle të Gjermanisë, ku gjithashtu mbrojti doktoraturën e tij në filozofi, më 1752. Balaj doktoroi shumë herët, domethënë në moshën 24-vjeçare, pasi kreu studimet në Universitetin e atëhershëm Mbretëror Friedrich në Halle (Universiteti i sotëm “Martin Luther”).
Pasi përfundoi studimet dhe mbrojti doktoraturën, u kthye në Hungari dhe më 1753 punoi si noter (avokat) dhe agjutant ushtarak, ndërsa në Karllovac të Sremit si shef policie dhe sekretar i administratës së qytetit. Ai përfundoi karrierën e tij profesionale në Rusi si oficer me gradën e kapitenit dhe majorit të ushtrisë ruse.
Gjatë udhëtimit të tij në Rusi, ai shkroi në Vjenë një ese informative dhe historiografike-gjeografike mbi Malin e Zi në latinisht, nga e cila u përkthyen dy vepra në rusisht. Me këtë Baleviqi përfundoi punën e tij letrare-shkencore.
Balaj mbrojti temën e doktoratës “Disertacioni filozofik (shqyrtimi) mbi përhapjen e fesë me mjete militante”, në qytetin gjerman Halle, në atë kohë një qendër universitare shumë e njohur. Po ashtu e botoi librin me të njëjtin titull në gjuhën latine (Dissertatio philosophica de propagatione religionis armatra).
Për gati dy shekuj nuk dihej për këtë vepër të rëndësishme filozofike të Baleviqit. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XX shkenca arriti të merrte informacione themelore mbi të.
Më në fund, më 2002, me rastin e 250-vjetorit të mbrojtjes dhe publikimit të disertacionit të doktoraturës së Balajt – Baleviqit, me kopjen e disertacionit e cila ruhet në Bibliotekën e Universitetit “Martin Luther” (dikur Universiteti Mbretëror Fridrich) në Halle (ekziston dhe një kopje në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në Vjenë), teksti i përkthyer nga gjuha latine dhe i botuar u bë i pranishëm për opinionin profesional dhe laik.
Filozofi serb, dr. Andrija Stojkoviq, në librin e tij “Fillimet e filozofisë te serbët”, botuar më 1970 (Beograd) ka shkruar se Baleviqi e botoi shqyrtimin e tij filozofik mbi propagandën e fesë, në Halle, më 1752, dhe se ai ishte disertacioni i parë filozofik te serbët. Gjithashtu, dr. Goran Sekulloviq, në librin e tij “Durimi – pagesa njerëzore – mbi Jovan Baljeviqin, doktorin e parë malazias të filozofisë 1728-1769” (Podgoricë, 2015). Andaj, të dy ata e kanë falsifikuar përkatësinë kombëtare të Balajt – Baleviqit duke qenë se vetë Balaj – Baleviqi në faqen e parë të kopertinës së disertacionit të doktoraturës, në kopjen origjinale në gjuhën latine është deklaruar dhe nënshkruar se është shqiptar.
Si përfundim mund të konstatojmë se Jovan Balaj ka qenë filozof dhe jurist shqiptar, doktor i filozofisë, shkencëtar, poliglot, person i gjithanshëm, avokat, nëpunës civil austriak, oficer i lartë ushtarak rus. Ka folur disa gjuhë të huaja: gjermanisht, greqisht, hebraisht, rusisht, vllahisht dhe latinisht. Ka vdekur herët, në vitin 1769.
