
(vijon nga numri i kaluar)
Kaltrina Hoti, edhe përkundër të gjitha vështirësive dhe pengesave të shumta gjatë jetës në mërgim, vendosi t’i kthehet ëndrrës së saj – pikturës dhe vargut. Vendosi t’i largojë të gjithë personat dhe çdo energji negative, që e ndalonte nga vetja e saj. Nuk ishte e lehtë, por e dinte që duhet ta bëjë. Për fat të keq, martesa mbaroi. Ajo me fëmijët e saj vazhdoi rrugëtimin e jetës, duke krijuar profilin e saj letrar dhe artistik. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk i ndërpreu shkrimet e saj. Tani që krijoi hapësirën e saj, ishte koha të punojë. I bashkoi shkrimet dhe vendosi të botojë përmbledhjen e parë të poezive.
Hapi i dytë ishte arti. Për katër vite ishte studente e Chuck DeHaan, nga i cili mësoi që piktura nuk është vetëm ngjyra në pëlhurë, por një udhëtim i thellë brenda shpirtit.
“Profesori im, Chuck DeHaan, ndikoi në rikthimin tim. Ai më tregoi, përmes tij, kulturën amerikane – puno, por mos i harro kurrë rrënjët e tua. Një artist i vërtetë, nëse nuk është i lidhur me vendin e tij, nuk mund të krijojë art. Ai mund të krijojë piktura, por jo art”, thotë Hoti.
Po ashtu nga ai mësoi të mos harrojë kurrë identitetin e vet, sepse pa të, arti humb kuptimin. Shprehja që i mbeti nga ai në kujtesën e saj është: “Kurrë mos pikturo diçka që nuk e kupton”.
Pika e saj e kthesës, vazhdon ajo, erdhi kur e kuptoi se arti ishte gjuha e saj e vërtetë.
“Me brushën në dorë, unë flisja më shumë se me fjalë. Piktura u bë një mjet për të shprehur atë që nuk mund të thosha me zë. Fillova ta paraqes artin tim në Teksas, Nju-Jork, Floridë… Brenda meje ende kishte një zë të heshtur, një vuajtje të fshehur nga rrënjët dhe nga historia ime. Shkrimi erdhi si një tjetër mënyrë për të çliruar atë që kisha mbajtur brenda”, shprehet ajo.
Frymëzimi artistik
Sipas Kaltrina Hotit, frymëzimi për një artist është vetë jeta.
“Unë frymëzohem nga ajo që gjeta pas 32 vitesh, tregoj një histori përmes ngjyrave, jo përmes një objekti. Mundohem të zgjoj ato ndjenja që ndonjëherë kemi frikë t’i shprehim. Këto janë fotografi që, përmes ngjyrave, duan të prekin ndjenjat që i kemi vënë në gjumë. Një ndjenjë dashurie, heshtjeje dhe paqeje. Kudo që të kthehemi, gjithmonë duhet të kërkojmë bukurinë, jo atë që na shqetëson”, thotë Hoti.
Në Amerikë, ku u bë e njohur si piktore, ajo vizatoi tema krejtësisht të ndryshme, sepse, siç thotë ajo, ishte e etur për atë që ka tani në Mal të Zi.
“Nuk do të vizatoj atë që nuk e ndiej dhe atë që nuk e di. Unë besoj se është më mirë të jesh një artist i vogël në vendin tënd sesa një i madh në botë. Dua që Kaltrina Hoti nga Plava (Mali i Zi) të jetë në biografinë time”, thekson piktorja.
Kthimi në shtëpi – Rrugëtimi i identitetit
Pas shumë vitesh larg, në vitin 2018 ndjeu se duhej të kthehej në shtëpinë e saj. Zemra i thoshte se atje ku kishte lindur, në Plavë, kishte diçka që e priste, një pjesë të shpirtit të saj, që ende nuk ishte shuar. Para se të kthehej ishte autore e tre librave në gjuhën angleze, u bë piktore e njohur në atë zonë, ku hapi disa ekspozita. Kur e pa që dyert po hapeshin atje, atëherë tha: Çfarë dua në realitet? Tani e konsideron veten një shpirt që fluturon nëpër kohë dhe kërkon një fole të sigurt për t’u kthyer.
Duke iu përgjigjur pyetjes se pse u kthye në Mal të Zi, Hoti theksoi se e pyeti veten: “A dëshiron të ekzistosh apo të jetosh?”
“Nëse dëshiron të jetosh, atëherë jeto aty ku është guri yt. Jam lodhur duke qenë një person tjetër, diku ku nuk të tregojnë emrin tënd të vërtetë.
U përpoqa të kthehesha në Prishtinë, por fati kishte një plan tjetër. Në vend të Prishtinës, u gjenda përsëri në Plavë, në vendlindjen time të lashtë dhe të njohur, e cila kishte ndryshuar shumë, sikurse edhe unë. Më pritën me dyshime. Ata nuk e kuptonin stilin tim, mënyrën se si shfaqesha, si flisja. Nuk pranonin atë që unë kisha bërë në botë. Nuk pranonin që isha e lirë dhe e hapur. Nuk u dorëzova. E dija që duhej të qëndroja dhe të luftoja për atë që unë isha, për vlerën time, për identitetin tim”, shprehet ajo.
Artistja thotë se ka takuar njerëz që e kishin humbur besimin, që kishin harruar historinë dhe gjuhën e tyre.
“Por pashë edhe dritën, një dëshirë të madhe për të rikthyer atë që u kishte marrë. E ngrita zërin për të drejtat e komunitetit tim. Edhe pse nuk kisha asnjë pozitë politike, arrita të nxis temat e duhura dhe akte të nevojshme për përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Plavë dhe Hot. Hoti, ishte pa rrugë, pa internet, pa rrymë elektrike pjesa e epërme e tij. Pas shtatë vitesh, më në fund, në vitin 2025 Hoti ka rrugë të asfaltuar, ka rrymë dhe së shpejti edhe internet”, shprehet me kënaqësi Kaltrina.
Të gjitha përpjekjet dhe angazhimet e saj i përballoi falë artit, pa të cilin, siç pohon ajo, nuk do të kishte fuqi t’i përballojë.
Ëndrrën e saj për t’u kthyer në vendlindje e ka përshkruar në poezinë “Toka ju njeh”:
“Nuk më shqetëson
Ti që mban ferexhe të zezë,
Nuk më shqetëson as ti
Që abetaren s’e hape kurrë,
Nuk më shqetëson ai flamur i bardhë,
Por as plisi i harruar i gjyshit tënd,
Nuk më shqetëson
As mohimi i rrënjës krenare,
E di,
Një ditë do të kthehem,
Te trungu i lashtë,
Rrënja me nyja të lidhura,
Dhe prushi i bekuar nga dielli,
Toka ju njeh”.
(vazhdon)
