Artistja me gjilpërë

Artizania e mrekullueshme e shekullit, edhe në moshën 98-vjeçare vazhdon të ruajë gjallë mjeshtërinë e punimit me dorë të kostumeve tradicionale të Malësisë së Madhe

Gjekë Gjonaj

Zonja e nderuar Tole Lekë Berishaj (Elezaj) ka lindur në Lashaj (Pjetroshan) – Bajzë-Kastrat të Malësisë së Madhe dhe është martuar në Grudë – Berishaj të Komunës së Tuzit. Ajo prej shumë viteve jeton në qendër të Tuzit. Megjithëse e kërrusur, edhe në moshën 98-vjeçare nuk ndalet së punuari me dorë të kostumeve popullore shqiptare të Malësisë së Madhe – xhubletën dhe çakçirët.
Në bisedën që bëmë para pak kohësh, kjo artizane e mrekullueshme e shekullit ishte duke punuar një postavë (pjesa e fundme e xhubletës, e bërë prej shajaku të bardhë). Kjo grua e vogël me trup, por e madhe me vlera kombëtare, me duart e saj të arta gjithmonë është e qeshur, me një shpirt dhe fisnikëri tipike malësore. Është për t’ia pasur lakmi ta shohësh se me sa mjeshtëri e fut perin në gjilpërë dhe me sa përpikëri krijon me dorë veshjen kombëtare në këtë moshë kaq të thyer. Të këtillë e mbaj mend para dyzet e pesë vitesh, kur e takova për herë të parë në shtëpinë e saj në Tuz, dhe kështu mbeti.
Viteve të fundit është mësuar me gazetarë të shumë mediave shqiptare, të cilët e kanë intervistuar, prandaj bisedon me ta natyrshëm në të folmen e saj të bukur gegërishte, që të kënaq dhe të mbush me emocione e krenari. Në pyetjen tonë se deri kur do të punojë me dorë xhubletën, përgjigjet: “Derisa t’i vë duart kryq” (derisa të jem gjallë). Domethënë vetëm vdekja e ndanë nga mbretëresha e kostumeve shqiptare – xhubleta.

Martesa me shkuesi
Në kohën e vajzërisë së saj në Shqipëri çiftet janë martuar me shkuesi e jo me dashuri si sot. Sipas këtij zakoni të vjetër, që ka ekzistuar në shoqërinë shqiptare, u fejua dhe u martua edhe Tole Lekaj Elezaj. Ajo u fejua në moshën 14-vjeçare, kurse katër vite më vonë u martua me Nikë Lucë Berishajn, në fshatin Priftën të Grudës.
Çifti Berishaj u njoh me njëri-tjetrin ditën e martesës.
“Unë jam martuar me kanun, që domethënë të bëhesh shtëpi, t’ia shtosh një njeri më shumë familjes, sa për krahë pune, sa për të shtuar fëmijë. Vajzat në kohën tonë nuk i pyeste kush se me cilin burrë do të martohet. Ato nuk kishin të drejtë të zgjedhin fatin e vet. Duhej të shkojnë për atë për të cilin e fejojnë prindërit, pa i pyetur fare. Madje, ishte turp të thoshin nuk më pëlqen ai djali (burri i ardhshëm). Fjala e të zotit të shtëpisë (kryefamiljarit) duhej respektuar patjetër”, rrëfen gjyshja Tole.
Ajo thotë se familja e saj ishte e pasur dhe numëronte 50 anëtarë të familjes.
“Në familjen e burrit erdha me veshjen e xhubletës origjinale, me të gjitha elementet e saj përbërëse. Me vete solla edhe pesë palë xhubleta të tjera, të cilat m’i kishte punuar nëna për t’i pasur një kohë të gjatë, meqë unë asokohe nuk e dija bërjen e xhubletës”, pohon Tolja.

Fillimet e para me teknikën dhe mjeshtërinë e punimit të xhubletës
Lidhja e parë është lidhja gjenetike, sepse e trashëgon xhubletën e nënës së saj me të cilën ajo është martuar. Pas një kohe, kur iu vjetruan xhubletat e nënës, të cilat i solli bashkë me pajën e nusërisë, asaj iu zgjua interesimi për punimin e xhubletës me dorë. Duke e parë (shikuar) xhubletën e nënës, filloi ta mësojë vetë këtë artizanat dhe ia doli me sukses.
”Në kohën e vajzërisë nuk jam marrë me punimin e veshjeve, por kam shkruar me rruaza yrnekun. Qysh atëherë e kam pasur pasion punimin e kostumeve popullore në mënyrë tradicionale. Falë dashurisë dhe vullnetit të madh, pasi që jam martuar, fillova dalëngadalë e me shumë kujdes punimin e xhubletës. Mbasi e përfundova xhubletën e parë, mbeta shumë e kënaqur me punën e bërë. Kjo më motivoi dhe më nxiti edhe më shumë që të vazhdoj së punuari me gjilpërë jo vetëm veshjen popullore të femrave, por edhe të burrave të Malësisë së Madhe. Kam punuar të tri llojet e xhubletës: veshjen e femrave të reja, që zakonisht ka qenë me vija të bardha e të zeza; veshjen e nuseve që ka qenë me vija të zeza dhe të kuqe, ku dominojnë ngjyrat më të ndezura; dhe veshjen e grave të moshuara, që ka qenë thuajse krejtësisht e zezë. Përveç xhubletës kam thurur edhe çakçirë, çorapë për meshkuj dhe elemente të tjera përbërëse të këtyre kostumeve popullore. Punimi i tyre bëhet me gjilpërë prej copave të tirkut dhe spikut. Të punosh me dorë një xhubletë ose një palë çakçirë është punë e zorshme ngase kanë teknika të veçanta, por kurrë nuk kam përtuar t’i punoj, fillimisht me kandila vajguri e qiri, në mungesë të rrymës elektrike”.

Shtatë dekada punë në mbajtjen gjallë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore
Kjo malësore e veçantë gati tërë jetën ia kushtoi punimit të veshjeve kombëtare. Shtatë dekada i ka punuar pandërprerë këto veshje me qejf, ditë dhe natë, që kjo trashëgimi kulturore të përhapet e mos të humbasë. Kjo zeje i ka mundësuar asaj edhe në rritjen dhe shkollimin e tre djemve – Pjetrit, Luigjit dhe Rrokut dhe vajzës Hanës, ngase burrin tashmë të ndjerë e kishte të sëmurë dhe nuk kishte mundësi të sigurojë nevojat financiare për familjen. “Nëna Tole”, siç thotë djali i saj Luigji, profesor i biologjisë në pension, “nuk ishte vetëm nënë por edhe baba”.
Punimet e saj artizanale më së shumti i ka shitur në Amerikë, ndërsa në Malësi shumë pak, për shkak të mosinteresimit të duhur. “Arti” i saj i thurur me gjilpërë është prezantuar në manifestime e festivale të ndryshme folklorike kombëtare e mbarëkombëtare në shumë vende ku jetojnë shqiptarët, brenda jashtë kufijve të Malësisë. Në këtë mënyrë ajo mbajti gjallë, ruajti dhe promovoi me dinjitet trashëgiminë kulturore. Përveç kësaj, xhubletat e punuara me duart e saj ndodhen dhe ruhen me fanatizëm jo vetëm në shumë familje në trojet shqiptare, por ato janë pjesë e koleksionit të veshjeve kombëtare në muzeun e dhuratave të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë. Kjo artizane e pavdekshme, e cila gjatë këtyre shtatë dekadave mund të ketë punuar mbi 200 xhubleta e dhjetëra çakçirë e jelekë për burra, është bërë protagoniste e kronikave televizive më të njohura shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të Malit të Zi .

Vlerësimet dhe nderimet e merituara
U deshën të kalojë më se një gjysmë shekulli punë, me përkushtim e mjeshtëri të madhe të kësaj heroine malësore në punimin e kostumeve popullore shqiptare, që institucionet e përgjumura përkatëse shqiptare të “zgjohen” nga gjumi dhe më në fund të vlerësojnë kontributin e saj të jashtëzakonshëm në ruajtjen e traditës përmes punimit të kostumeve kombëtare të Malësisë, veçmas xhubletës.
Në kuadër të pranimit të xhubletës në UNESCO, së cilës gjyshja Tole Berishaj i gëzohet shumë, Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” i dha asaj titullin e nderit “Artizania e Shekullit” për punën dhe përkushtimin që ajo bëri në ruajtjen dhe trashëgiminë e dijebërjes së xhubletës”.
Komuna e Tuzit nënës Tole Berishaj i ndau Mirënjohje “për përkushtimin jetësor në ruajtjen e trashëgimisë kulturore si artizane e dalluar e kostumeve kombëtare shqiptare, me theks të veçantë xhubletën, si dhe trashëgiminë e këtij profesioni të shenjtë tek brezat e rinj”.
Po ky institucion i ndau asaj Kartën “Qytetar Nderi i Komunës së Tuzit”.
Tole Berishaj u nderua me titullin “Qytetare Nderi” edhe nga Bashkia Malësia e Madhe, me motivacionin: “Për punën dhe përkushtimin e saj në punimin e xhubletës si aset i fuqishëm etno-kulturor si dhe duke nxitur e trashëguar dijebërjen edhe ndër brezat e mëvonshëm, deri në ditët e sotme, ku falë dhe kontributit të saj xhubleta është nën mbrojtjen e UNESKO-s, duke lartësuar kurdoherë trevën tonë Malësinë e Madhe e më gjerë”. Kështu kjo grua shumë e veçantë është femra më e vlerësuar ndonjëherë në Malësi nga institucionet shqiptare.

Mbesa Amanda, shpresa e vetme e trashëgimit të zanatit
Dëshira e kamotshme e kësaj artizaneje të vetme në Malësi, e cila përveçse ruan historinë, kulturën dhe traditën tonë, ka qenë që shumë gra malësore ta mësojnë këtë zanat, mirëpo asnjëra nuk ka shprehur interesim. Shpresa e vetme e trashëgimit të zanatit të nënës Tole është mbesa Amanda, studente e Fashion Design, e cila nga dashuria që ka treguar për xhubletën, i ka ndihmuar gjyshes viteve të fundit në qepjen dhe stilizimin e xhubletës.

Të fundit

më të lexuarat