
“Institucionet e larta të Republikës së Kosovës dhe ndërtimi i veprimtarisë së tyre funksionale drejt promovimit të vlerave kombëtare në ngritjen e kapaciteteve të tyre intelektuale në formimin dhe promovimin e identitetit dhe unitetit të sferës intelektuale shqiptare gjithmonë vinin nga vizioni i tyre intelektual.
Njëri ndër ta ishte Idriz Ajeti, studiuesi më i shquar i degës së albanologjisë së Republikës së Kosovës dhe njëri ndër themeluesit e institucioneve më të larta shtetërore në aspektin akademik, i cili vinte me prejardhje nga komuna e Medvegjës, pjesëmarrësi dhe përfaqësuesi i Kosovës në Kongresin e Drejtshkrimit, i mbajtur në Tiranë në vitin 1972. Veprimtaria e tij shkencore dhe albanologjike u vlerësua lart nga studiuesit vendorë dhe ndërkombëtarë si një udhërrëfyes dhe si model për emancipimin dhe përpjekjet e popullatës shqiptare në ish-Jugosllavi, me theks të veçantë për identitetin kulturor dhe promovimin e saj përpara botës dhe kemi të drejtë ta quajmë figurën e tij ‘atashe kulturor i qytetarëve të Kosovës’ në mbarë botën shqiptare. Me rastin e mbushjes së 100-vjetorit të lindjes së tij, më 27 janar të vitit 2017, ishte mbajtur një ceremoni akademike e organizuar nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, akademikut Isa Mustafa, ku figura e Idriz Ajetit u vlerësua lart me epitetin e ‘albanologut të parë shqiptar në Kosovë’ dhe me drejtorin e parë të ‘Institutit të Albanologjisë së Republikës së Shqipërisë, Eqrem Çabej’, jo rastësisht nga udhëheqësit e lartë shtetërorë dhe nga të gjithë përfaqësuesit e botës akademike në të gjitha trevat shqiptare, u cilësua si ‘Eqrem Çabej i Kosovës’. Ky personalitet ishte drejtori i parë i Institutit Albanologjik, i cili u rithemelua më 28 shkurt të vitit 1967, ndërsa ky institucion në vitin 2017 festoi vitin e tij jubilar – 50-vjetorin e themelimit”, thuhet në shënimin e studiueses Mr. Donika Hoti, me titull “Jeta dhe veprimtaria intelektuale e akademikut Idriz Ajeti”, publikuar në portalin e gazetës “Bota sot”, më 13 shkurt 2019.
Idriz Ajeti lindi në fshatin Tupallë të Jabllanicës së Epërme të komunës së Medvegjës, më 26 qershor 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjën e Sijarinës në vitin 1930, të mesmen (gjimnazin) në Shkup në vitin 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në degën e romanistikës. Studimet i kreu pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1949, në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Që atëherë e deri në vitin 1953, në cilësinë e profesorit të gjuhës shqipe punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 e deri në atë 1960, në cilësinë e lektorit jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë – Beograd.
Në vitin 1958, Idriz Ajeti mbrojti disertacionin e doktoratës, me temën “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”.
Që në fillimet e viteve ‘60 bëhet docent, pastaj profesor inordinar dhe në vitin 1968 profesor ordinar dhe jepte mësim në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës.
Kontributi intelektual i akademik Idriz Ajetit ishte vërtet i madh dhe me vlerë të lartë shkencore. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në nxjerrjen e revistës së parë shkencore, e njohur me emrin “Gjurmime albanologjike”, në vitin 1962, menjëherë pas hapjes së Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit të Filologjisë të UP-së. Kontributi i tij njihet edhe si organizatori i parë i Seminarit të Kulturës Shqiptare për albanologët e huaj, në vitin 1974.
Me rithemelimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës në vitin 1967, bëhet drejtori i parë i këtij institucioni, që për qëllim ka studimin dhe promovimin e kulturës shpirtërore dhe materiale të popullatës shqiptare. Pastaj bëhet edhe dekan në Fakultetin Filozofik (1973-1975), si dhe rektori i dytë pas Dervish Rozhajës në UP. Në vitin 1989 bëhet anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitin 1998 zgjidhet kryetar i parë i Parlamentit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së, ndërsa në vitet 1979-1981 bëhet kryetari i dytë me radhë (pas Esad Mekulit) i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Të njëjtin funksion e ka ushtruar sërish nga viti 1996 deri në vitin 1999.
Akademiku Idriz Ajeti ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë në konferencën shkencore “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, më 20-21 nëntor 1992, e organizuar nga ASHSH, së bashku me Mahir Domin me një punim të përbashkët ka marrë pjesë në konferencën shkencore me temë “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, e organizuar nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë, ndërsa më 11-12 nëntor 2002, në Tiranë mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, me temën “Shqipja standarde dhe shoqëria kosovare sot”.
Për veprimtarinë e tij të bujshme dhe të begatë e shumëpërfshirëse shkencore, ai është nderuar me dekoratën shtetërore Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, e cila u jepet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të huajve, si dhe personaliteteve të botës shqiptare, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm rreth mirëkuptimit në mes popullatës shqiptare dhe kombeve të tjera në të gjitha fushat në frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Akademiku Idriz Ajeti është dekoruar edhe me medaljen Çmimi Presidencial për studiues. Kjo mirënjohje iu dhurohet vetëm qytetarëve të Kosovës, por edhe të huajve që tregojnë rezultate të larta në fushën e studimeve të shkencave humaniste dhe ekzakte. Ai po ashtu është bartës i Shpërblimit 7 Korriku dhe Shpërblimit të KAÇKJ-së.
Me rastin e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së akademikut Idriz Ajeti, në ceremoninë e organizuar nga Konferenca jubilare shkencore kushtuar veprimtarisë së tij shkencore, është nderuar me dy çmime: Çmimin e Karrierës dhe Medaljen Presidenciale të Meritave.
Veprimtaria shkencore e akademikut Ajeti është e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar librat: “Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX” (1960), “Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra” (1961), “Hymje në historinë e gjuhës shqipe” (1963), “Ortografia e gjuhës shqipe” (bashkautor) (1964), “Historia e gjuhës shqipe” (Morfologjia historike) (1969), “Probleme të historisë së gjuhës shqipe” (1971) (zgjodhi e mbarështroi), “Studije iz istorije albanskog jezika” (1982), “Studime gjuhësore në fushë të shqipes” I (1982), II (1985), III, IV (1989), “Shqiptarët dhe gjuha e tyre” (1994).
Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.
Në periudhën kohore 1997-2002, ASHAK-u botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.
Në bibliografinë e Akademikut Idriz Ajeti gjenden qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht dhe në gjuhë tjera të huaja. Ai ishte edhe autor i shumë teksteve shkollore dhe i përkthimeve të veprave të ndryshme nga serbishtja, por edhe nga gjuhë tjera të huaja.
Albanologu i parë shqiptar në Kosovë, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe anëtari i ASHAK-ut, Idriz Ajeti, është ndarë nga jeta më 13 shkurt 2019, në moshën 102-vjeçare, në Prishtinë,
ku dhe është varrosur me nderimet më të mëdha.
Akademiku Idriz Ajeti nuk ishte vetëm një studiues i gjuhës shqipe. Ai ishte vetë zëri i saj i gjallë që u shndërrua në institucion. Emri i tij do të mbetet përherë sinonim i dijes, i përkushtimit dhe i përpjekjes së palodhur për ta ngritur shqipen dhe shqiptarët në lartësinë që meritojnë.
