Poetikë e dashurisë dhe ndjenjës universale

Shkrimtari dhe poeti Muzafer Ramiqi, u lind në vitin 1967, në fshatin Pozharan të Kosovës. Rrjedh nga një familje atdhedashëse, fisnike, bujare dhe sakrifikuese. Shkollimin fillor e ka përfunduar në vendlindje, kurse atë të mesëm në vendlindje dhe në Viti. Ka përfunduar studimet Bachelor në drejtimin Menaxhimi i Burimeve Njerëzore në Kolegjin “Pjetër Budi” si dhe studimet Master në drejtimin Menaxhment i Përgjithshëm në Kolegjin “Universum” në Prishtinë. Me shkrime merret që nga fëmijëria dhe deri tash ka botuar katër përmbledhje me poezi. Në kohën e rinisë ka botuar në shtypin periodik të kohës në revistat “Zëri”,” Bota e Re”, revista e Fakultetit te Mjekësisë “Refleksi”. Ka marrë pjesë në orë të numërta poetike. Si student ka qenë udhëheqës i grupit letrar dhe recitator të fshatit. Përveçse në gjuhën shqipe, Muzaferi ka shkruar ose përkthyer vepra edhe në gjuhën angleze, frënge, rumune dhe kineze. Është prezantuar me një cikël poezish në gjuhën shqipe dhe rumune në antologjinë “Apele iubirri” (Ujërat e dashurisë) në vitin 2012 në Bukuresht të Rumanisë. Po ashtu në revistën “Pelegrin”, ka botuar një cikël poezish dhe së fundmi edhe në revistën “Poetry Hall”, revistë dygjuhësore angleze dhe kineze, volumi 3, 15 Prill 2020 i janë botuar dy poezi në gjuhën angleze dhe kineze

Koha Javore: Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?
M.Ramiqi: Libri im më i ri titullohet “Dashuri në shtegtim” dhe është botuar në verën e vitit 2019.

Koha Javore: Për çfarë bën fjalë libri?
M.Ramiqi: Si gjithë librat e mi edhe në librin e ri “Dashuri në shtegtim” dominon motivi i dashurisë si ndjenjë univerzale, e cila gjindet në çdo qenie, jo vetëm te njeriu. Flas për dashurinë ndaj njeriut, ndaj partnerit, prindërve, fëmijëve, vëllezërve, motrave, miqve, të panjohurve, ndaj tokës, qiellit, ajrit, gjithësisë…me një fjalë çdo gjëje.

Koha Javore: Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?
M.Ramiqi: Mesazhi im është një ndërgjegjësim për të investuar më shumë në ndjenja, ngase njerëzimi kohëve të fundit e ka humbur fokusin. Njerzit çdo ditë e më shumë po bëhen vetjak, injorues ndaj të tjerëve dhe rrethinës. Fare nuk iu bëhet vonë për tjerët dhe nuk lodhen aspak në kultivimin e marrëdhënieve me njëri-tjetrin.

Koha Javore: Çfarë strukture ka libri?
M.Ramiqi: Në libër kam përfshirë gjithsej 102 poezi dhe është i ndarë në katër kapituj ose cikle: 1. Rrugët, 2. Ecje, 3. Qëllimi dhe 4. Dashuria.

Koha Javore: Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?
M.Ramiqi: Mua më frymëzojnë jetët e njerëzve, historitë e tyre, fatet e njerëzve, fati i njerëzimit. Nga po shkon kjo botë, ka po shkojmë ne si shoqëri dhe mundohem që t’i thërras ndërgjegjes së njerzve për t’u ndërgjegjësuar për fatin e botës.

Koha Javore: Sa libra keni botuar deri tani? Na tregoni më tepër për veprat tjera letrare tuaja.
M.Ramiqi: Deri tani kam botuar gjithsej 4 (katër) libra me poezi: 1. “Anemia e kujtimeve”, 1997, Shtëpia botuese Asdreni, Shkup. 2.”Mendoj për ty”, 2003, Shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë, 3. “Portat e heshtjes”, 2011, Shtëpia botuese Prishtina Press, Prishtinë dhe 4. “Dashuri në shtegtim”, 2019, Shtëpia botuese Meshari, Prishtinë.

Koha Javore: Cilin libër do ta veçonit nga veprimtaria juaj?
M.Ramiqi:
Të flasësh për librat është si të flasësh për fëmijët e tu. Është vështirë të dallosh se cilin do e doje më shumë, përkundër dallimeve që mund të kenë mes vete. Por, për nga realizimi teknik dhe artistik, do e veçoja librin “Portat e heshtjes”, që për mua është një realizim gati i përsosur dhe do dëshiroja të përkthehet dhe në gjuhët e huaja, sidomos në angleze për vlerat që ka, vlera që i reziston kohës.

Koha Javore: Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?
M.Ramiqi:
Në kohën e rinisë kam lexuar shumë libra dhe besoj se ajo ka qenë koha e formësimit tim si krijues i ardhshëm. Nga poetët më eminent dhe që ka lënë mbresë të thellë në mua është poeti rus Sergej Jesenin, arsyeja pse mund të them se ishte një qasje krejt ndryshe ndaj poezisë dhe shtjellimit të temave.

Koha Javore: Çfarë pasione dhe qëllime të tjera keni në jetë?
M.Ramiqi: Për mua pasion është poezia, por kam mjaft tërheqje edhe ndaj arteve tjera, nga filmat sidomos. Herë pas here edhe gatimi, sidomos në kohën e pandemisë kam zhvilluar mjaft shkathtësi për gatim. Por mbi të gjitha ajo që më flen në zemër është bamirësia, t’u ndihmoj njërëzve me dijen dhe kapacitetet që kam. Pa dashur njerëzimin, s’mund t’i ndihmosh, prandaj rrjedhimisht del se edhe dashuria ndaj njerëzve është një lloj pasioni.

Koha Javore: Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?
M.Ramiqi: Siç e kam përmendur edhe më lart, më interesojnë fatet e njerëzve, raportet ndërnjerëzore, ngjarjet. Mbi të gjitha dashuria si ndjenjë më fisnike dhe më e lartë. Synimi im është që të trajtoj tema sociale, diversitetin kulturor, dallimet në pikëpamjet e njerëzve, luftimi i paragjykimeve dhe emancipimi kulturor, një urë lidhëse mes të kaluarës dhe së ardhmes.

Koha Javore: Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?
M.Ramiqi: Sot, teknologjia i ka mundësuar secilit që dëshiron të shkruaj çfarë dëshiron, shprehja e lirë është në nivelin më të lartë; kjo ka mundësuar që ti shmangemi cenzurave të ndryshme, qoftë atyre me karakter politik, fetar etj. Por prapë mendoj se duhet një lloj auto-cenzure, ku secili që shkruan të reflektoi pse jo dhe të konsultohet me ndonjë krijues profesional para postimit. Në anën tjetër, çështja e botimeve ka dalë prej kontrollit ngase shtëpitë botuese janë shndërruar në biznese, ndaj për të botuar sa më shumë libra nuk vendosin asnjë kriter. Shtëpitë botuese nuk bëjnë më as redaktimin as lektorimin, krejt çfarë bëjnë është vetëm se marrin numrin ISBN dhe këtë e bëjnë në marrëveshje me shtypshkronjat për të marrë ndonjë pjesë të fitimit.

Koha Javore: Si ka ndryshuar stili i shkrimit tuaj gjatë viteve?
M.Ramiqi: Unë kam filluar të shkruaj poezi që nga fëmijëria, diku përafërsisht nga mosha 12 vjeçare, në atë kohë krijimet e mia të para ishin të thjeshta kushtuar nënës, mësuesit, zogjve, natyrës…me rritjen time edhe natyra e krijimeve vinte e pjekej, në vitet 80-ta, kam synuar një stil të poezisë hermetike, dhe kam qenë mjaft i ndikuar nga gjendja e rëndë politike dhe nga mitologjia greke, të cilën si i ri e kam dasht shumë. Gjatë kohës studentore poezia ime ka marrë stilin e tanishëm dhe jam munduar ta trasoj këtë stil të poezive meditative refleksive, me pak fjalë me thënë shumë. Poezinë time e kisha krahasuar më parfumin, siç duhen shumë e shumë lule për të prodhuar disa pika parfum, ashtu është edhe poezia.

Koha Javore: Çfarë e bën të suksesshëm një shkrimtar?
M.Ramiqi: Përkushtimi ndaj poezisë, dashuria ndaj lexuesve, krijimi i një rrethi krijuesish të cilët të përkrahin dhe vullneti i fortë për të përballuar sfidat, sepse të qenit shkrimtar do edhe sakrificë, për këtë duhet edhe përkrahja e familjarëve.

Koha Javore: Ku mund të blihen librat tuaj?
M.Ramiqi: Nëse e keni fjalën për librat e mi, unë nuk kam shitur libra: ato i dhuroj; poezia ime nuk ka çmim, unë krijoj për lexuesit. Sidoqoftë, dëshira ime është që librat e mi të jenë të qasshëm edhe në versionet elekronike, që të mund t’ua ofroj sa më afër lexuesve kudo qofshin ata.

Koha Javore: Na flisni më shumë për qytetin nga vini, ku jetoni tani, jetën dhe disa nga veprimtaritë tuaja.
M.Ramiqi: Unë jam lindur e rritur në fshat, fshati im quhet Pozharan. Fshati im gjeografikisht i takon rajonit të Anamoravës, nën administrimin e Komunës së Vitisë dhe është ndër fshatrat më të mëdhenj në Kosovë dhe shquhet me nivelin e lartë të shkollimit të njerzve. Tash jetoj në Prishtinë, qyteti që ka shpirt dhe zemër.

Intervistoi: Ermira Babamusta

Të fundit

më të lexuarat