Koha javore: Z. Çobi, si e vlerësoni pjesëmarrjen e partive shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi?
A. Çobi: Pjesëmarrja e partive shqiptare, konkretisht e Forumit Shqiptar, në Qeverinë e Malit të Zi është një hap strategjik dhe i përgjegjshëm. Pas dekadash margjinalizimi, ne kemi zgjedhur të jemi në tryezën ku merren vendimet, e jo të mbetemi vëzhgues pasivë, siç ndodhte rëndom me marrëveshjet e kaluara. Ky koalicion nuk është çështje numrash, por një mundësi për të kontrolluar proceset që prekin drejtpërdrejt jetën e bashkëkombësve tanë. Stabiliteti i kësaj qeverie varet edhe nga ne, gjë që na jep një fuqi negociuese që nuk e kemi pasur më parë.
Koha javore: Jo rrallëherë, në opinionin publik dëgjohen kritika për pjesëmarrjen tuaj në koalicionin qeverisës me partitë proserbe. Madje, ato shkojnë deri aty saqë, sipas tyre, pjesëmarrja juaj i shërben indirekt arritjes së qëllimit të tyre (partive proserbe). Si përgjigjeni ndaj këtyre kritikave?
A. Çobi: Kritikat janë pjesë e jetës demokratike, por politika është arti i së mundshmes. Ne nuk jemi në Qeveri për të bërë ideologji me partitë tjera, por për të realizuar programin tonë. Pjesëmarrja jonë është “vija e kuqe” që garanton kursin pro-perëndimor dhe pro-evropian të Malit të Zi. Duke qenë brenda, ne pengojmë çdo tentativë që mund të dëmtojë interesat kombëtare shqiptare apo orientimin euroatlantik të shtetit. Tërheqja do të linte hapësirë boshe që të tjerët ta shfrytëzonin kundër nesh.
Koha javore: Çfarë konsideroni ndër të arriturat tuaja më të mëdha në Kuvendin e Malit të Zi dhe Qeverinë e Malit të Zi?
A. Çobi: Ndër sukseset kryesore do të veçoja sigurimin e investimeve kapitale që kanë munguar për vite. Ju kujtoj se për 30 vjet, pushteti qendror zonat ku jetojnë shqiptarët i trajtonte me rëndësi të dorës së dytë, çka më së miri pasqyrohet në nivelin e investimeve. Edhe ato të pakta që janë bërë, janë përcjellë me korrupsione që kanë sjellë më shumë dëm se përparësi. Ura mbi Port Milenë është një shembull i mirëfilltë.
Sukses tjetër është edhe drejtimi i dikastereve me rëndësi në Qeveri, e jo vetëm me Ministrinë për Pakica, e cila gjithmonë u hidhej shqiptarëve si kockë për të qëndruar nën tavolinë, pasi nuk konsideroheshin të denjë për të udhëhequr diçka me më shumë rëndësi. Tashmë kemi ministra dhe zyrtarë të lartë që menaxhojnë dikastere kyçe. Kjo na ka mundësuar që të jemi aktivë dhe të sigurojmë investime serioze në infrastrukturë – nga Plava e Gucia deri në Krajë e Anë të Malit.
Koha javore: Kohë më parë i keni dërguar një shkresë Ministrisë së Kulturës dhe Mediave që të mos japë pëlqimin për legalizimin e objektit ilegal – kishës së vendosur nga Kisha Ortodokse Serbe në majën e Rumisë. Si do të veproni nëse ministrja e Kulturës dhe Mediave, megjithatë, jep pëlqimin për këtë objekt ilegal?
A. Çobi: Shkresa ime drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Mediave është e qartë: maja e Rumisë është simbol i bashkëjetesës dhe trashëgimisë kulturore, dhe çdo ndërhyrje e njëanshme është provokim. Objekti i vendosur aty është pa leje dhe pa asnjë bazë historike në atë formë.
Nëse Ministria jep pëlqimin për legalizim, ne do ta konsiderojmë këtë si goditje ndaj raporteve ndëretnike. Reagimi ynë do të jetë institucional dhe politik, pasi nuk mund të lejojmë që trashëgimia jonë të tjetërsohet.
Koha javore: Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar para do kohe ndryshimet dhe plotësimet e disa ligjeve në fushën e arsimit. Këto ndryshime kanë shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e shqiptarëve, sepse e komplikojnë procedurën e njohjes së diplomave. A i keni parashikuar pasojat që mund të kenë ndryshimet dhe plotësimet e këtyre ligjeve, sidomos për studentët shqiptarë të cilët studimet i kryejnë në gjuhën shqipe (jashtë Malit të Zi)?
A. Çobi: Ndryshimet ligjore në arsim mund të jenë vërtet shqetësuese për një numër të studentëve shqiptarë. Ne jemi koshientë se studentët tanë që studiojnë në Shqipëri apo Kosovë mund të përballen me barriera burokratike. Megjithatë, e njohim po ashtu nevojën që të ndërmerren hapa institucionalë për të luftuar diplomat false, problem që është bërë shumë shqetësues.
Qëndrimi ynë është se asnjë ligj nuk duhet të cenojë të drejtën e të rinjve tanë për t’u punësuar në vendlindje me diplomat e fituara në gjuhën amtare, për çka duhet të punohet me Shqipërinë dhe Kosovën që procedurat të lehtësohen aq sa është e mundur. Nëse shohim që këto ligje po përdoren si mjet diskriminimi, do të kërkojmë ndryshimin e tyre të menjëhershëm në Kuvend.
Koha javore: Cili është bashkëpunimi i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi?
A. Çobi: Pavarësisht ndarjeve partiake, ekziston një koordinim parimor për çështjet madhore që lidhen me të drejtat e shqiptarëve. Në Kuvend, kur bëhet fjalë për identitetin tonë, gjuhën apo të drejtat kolektive, ne komunikojmë. Megjithatë, duhet pranuar se ka vend për një sinkronizim shumë më të mirë dhe më sistematik.
Koha javore: Deputetët e partive shqiptare janë të ndarë në tre klube. A ka pasur përpjekje për t’u bashkuar në një klub? Më saktë, pse deputetët shqiptarë nuk janë pjesë e një klubi?
A. Çobi: Ndarja në tre klube është pasojë e dinamikave zgjedhore dhe e marrëveshjeve të koalicioneve të ndryshme me partnerët tjerë. Personalisht, konsideroj se një Klub i përbashkët i Deputetëve Shqiptarë do të ishte zgjidhja ideale për të rritur peshën tonë politike. Përpjekje ka pasur dhe ne kemi qenë të hapur, por të tjerët kanë vlerësuar ndryshe.
Intervistoi: I. Kallaba
