Koha Javore: David, të njohim si kengëtar të ri të muzikës moderne, muzikë e cila nuk është shumë prezente në Malësi. Çfarë të shtyri të fokusohesh pikërisht tek kjo rrymë muzikore?
D.Dreshaj: Është e vërtetë se më njihni si këngëtar të ri të muzikës moderne, muzikë e cila nuk është prezente as në Malësi e as në Mal të Zi në përgjithësi. U fokusova këtu pasi ishte dëshira ime, pasioni dhe ambiciet e mëdha. Po ashtu edhe dashuria për të gjetur zhandrin dhe stilin tim në muzikë.
Koha Javore: Ke disa projekte-këngë mjaft të suksesshme, ku para pak ditësh ke publikuar edhe këngën e titulluar “Ta fala”. Si është pritur kjo këngë deri më tani dhe sa i kënaqur je ti?
D.Dreshaj: Po, kam disa projekte-këngë goxha të sukseshme, ku ndër to është edhe kënga “Ta fala”, që u publikua javën e kaluar. Kjo këngë u mirëprit nga fansat, dëgjuesit dhe adhuruesit e muzikës sime, kështu që për këtë fakt unë ndjehem shumë i kënaqur.
Koha Javore: Cila është kënga jote që mund ta veçosh si më të sukseshmen?
D.Dreshaj: Këngën që mund ta veçoj si më të suksesshmen deri tani është “ Nuk e dua”, në versionin shqip. Por nuk e anashkaloj as këngën “I believe” në versionin në gjuhën angleze.
Koha Javore: Përveç këndimit, a luan ndonjë instrument? Nëse po, cili është instrumenti që të pëlqen më së shumti?
D.Dreshaj: Përveç këndimit, dua të them se kam ndjekur disa kurse profesionale. Për disa vite me radhë intensivisht i jam kushtuar degës së kantos në Podgoricë, po ashtu edhe në Shkodër. Pianoja dhe kitara janë instrumentet që më pëlqejnë e që luaj me to.
Koha Javore: A ke bërë kontratë me ndonjë produksion muzikor të Shqipërisë apo të Kosovës? Nëse po, sa i kënaqur je me bashkëpunimin që ke me ta?
D.Dreshaj: Sa i përket kësaj çështjeje, unë akoma jam nën menaxhimin e vetes dhe të familjes sime. Kështu që nuk kam bërë asnjë kontratë me asnjë produksion.
Koha Javore: Sa e vështirë është të gjesh bashkëpunëtorët e duhur për këngën, klipin dhe për çdo gjë tjetër deri tek finalizimi dhe publikimi i projektit?
D.Dreshaj: Derisa të vësh çdo gjë në binar, them se është goxha e vështirë. Pasi një projekt, një këngë, një videoklip kanë shumë punë. Sa i përket pjesës së këngës dhe të bashkëpunëtorëve, kjo çdo herë varet nga stili i këngës që dua të punoj, por them dhe mundohem çdo herë të jem i kujdesshëm sa i përket kësaj pjese. Pastaj është ajo pjesa e videoklipit, po ashtu është një pjesë e vështirë, këtu hyn dukja, veshja e të gjitha të tjerat derisa bihet në vijë ajo çfarë duam. Çdo gjë e don përkushtimin dhe vëmendjen e vet. Dua të ceki se unë e kam një ekip njëzet personash pas meje, meqë dëshiroj që gjërat të bëhen në detaje, duke filluar nga personi i angazhuar për grim, stilisti i veshjes, fotografi, e çdo gjë tjetër që nevojitet për një projekt të mirë.
Koha Javore: Përveç muzikës, me çfarë tjetër merresh?
D.Dreshaj: Përveç angazhimit tim në muzikë, këngëvë të mia, teksteve të këngëve ku punoj nëpër studio muzikore të ndryshme, si: Tiranë, Prishtinë, Shkup, Maqedoni të Veriut etj. unë merrem edhe me sport, me palestër. Po ashtu nuk mund të ndaj nga vetja as pikturimin, basketbollin dhe tenisin. Të gjitha këto janë pjesë të jetës sime, duke përfshirë edhe leximin, pasi që unë në shkollë kam qenë çdoherë i shkëlqyeshëm.
Koha Javore: Jemi në prag të verës, cilat janë planet e tua për këtë sezon? A mund të presim ndonjë bashkëpunim (duet)?
D.Dreshaj: Po, jemi në prag të sezonit të verës dhe planet, këngët e projektet janë të shumta për këtë periudhë kohore. Patjetër që gjatë këtij viti do të ketë edhe bashkëpunime.
Koha Javore: Një përshëndetje për adhuruesit e muzikës tënde.
D.Dreshaj: Të gjithë adhuruesit e muzikës sime i përshëndes. Vlerësimi dhe mbështetja e tyre për mua si artist kanë shumë rëndësi, dua të them se pa ta unë nuk do të mund të vazhdoja me projektet e mia.
Bisedoi: Shtjefën Ujkaj
