Përmes interpretimit të këngës shpreh emocionet e mia

Këngëtari, Shtjefën Ujkaj ka realizuar disa këngë që njihen si këngë shumë të suksesshme, duke filluar nga “Mungesa e nënës”, “Sinjorina” , “Kerr e pare”, “Dasma ka fillu”, dhe së fundmi kënga e titulluar “Bukuroshja jem”. Të gjitha këto këngë u punuan nga bashkëpunëtorë të spikatur, si: Ilir Berani, Astrit Stafai, Liridon Ulaj, Miti Geci, Vilson Biba, Nurtel, etj. Videoklipet e këtyre këngëve janë realizuar nga “Dart Channel” nga Tirana, “Alba Pro” nga SHBA-ja, “Rezart Halili Production” e të tjerë. Këngëtari Shtjefën Ujkaj prej disa vitesh ka bashkëpunim të shkëlqyer dhe tejet korrekt me produksionin e njohur muzikor “Eurolindi”, me drejtor dhe producent, Bujar Avdimetaj

Koha Javore: Shtjefën, si filloi rrugëtimi Juaj drejt muzikës dhe pse zgjodhët këtë profesion?
Sh. Ujkaj:
Rrugëtimi im drejt muzikës filloi që nga momenti kur zbulova talentin tim. Kjo ndodhi kohë më përpara që në moshën e fëmijërisë. Atëherë fillova angazhimin tim, u anëtarësova në Shoqërinë Kulturore – Artistike “Besa”. Si solist në këtë shoqatë mora pjesë nëpër festivale të ndryshme që organizoheshin si brenda, ashtu dhe jashtë vendit.

Koha Javore: Në çfarë viti debutuat në skenë dhe çfarë mbresash keni? Si ishte reagimi i publikut?
Sh. Ujkaj:
Për herë të parë në skenë jam paraqitur në moshën gjashtë vjeçare. Reagimi i publikut ishte tejet pozitiv, ku u mirëprita me një entuziazëm të madh. Ndërsa këngën time të parë që titullohet “Lamtumirë shkolla ime” e lançova në vitin 2013, dhe nga ky vit, mund të them se iu përkushtova me seriozitet rrugëtimit tim në muzikë. Admirimi i përhershëm dhe komplimentet pozitive që merrja nga publiku kurdoherë që këndoja, kanë qenë motivim shtesë që unë të vazhdoja në kontinuitet rrugëtimin drejt artit muzikor.

Koha Javore: Si vazhdoi karriera Juaj muzikore ndër vite?
Sh. Ujkaj:
Që nga lançimi i këngës së lartpërmendur, unë fillova të këndoj nëpër ahëngje të ndryshme familjare si: mbrëmje të maturës, organizime ditëlindjesh, fejesa e dasma, koncerte e festivale. Sigurisht që fillimet nuk ishin shumë të lehta, e sidomos kur merr përsipër angazhime të tilla me përgjegjësi, por dua të them që të gjitha ato i kam përfunduar me sukses. Tani çdo gjë është më e lehtë, ngaqë më është bërë rutinë. Vazhdoj të këndoj dhe çdo ditë ndihem më mirë që e ushtroj këtë profesion.

Koha Javore: Përveç këndimit solo, a keni pasur ndonjë bashkëpunim (duet)? Nëse po, sa sukses ka pasur?
Sh. Ujkaj:
Po, unë kam bashkëpunuar me një këngëtare shumë të talentuar e shumë të re në moshë. Fjala është për këngëtaren Klodiana Vata nga qyteti i Shkodrës. Bashkëpunimi që ne të dy realizuam bashkë ishte tejet i suksesshëm, për ç’gjë ndihem i kënaqur që e realizuam.

Koha Javore: Na tregoni pak për këngët e tjera që keni realizuar gjatë këtyre viteve, për videoklipet dhe bashkëpunimin Tuaj me produksionet muzikore?
Sh. Ujkaj:
Unë kam realizuar disa këngë që njihen si këngë shumë të suksesshme, duke filluar nga “Mungesa e nënës”, “Sinjorina” , “Kerr e pare”, “Dasma ka fillu”, dhe së fundmi publikova këngën e titulluar “Bukuroshja jem”. Të gjitha këto këngë u punuan nga bashkëpunëtorë të spikatur, si: Ilir Berani, Astrit Stafai, Liridon Ulaj, Miti Geci, Vilson Biba, Nurtel, etj.
Po ashtu, për videoklipet e këtyre këngëve janë përkujdesur “Dart Channel” nga Tirana, “Alba Pro” nga SHBA-ja, “Rezart Halili Production” e të tjerë. Gjithashtu prej disa vitesh kam bashkëpunim të shkëlqyer dhe tejet korrekt me produksionin e njohur muzikor “Eurolindi”, me drejtor dhe profucent, Bujar Avdimetaj. Dua të them se për çdo këngë e po ashtu edhe për secilin bashkëpunëtorë jam shumë i kënaqur.

Koha Javore: Kënga Juaj e fundit është mirëpritur nga audienca e gjerë mbarshqiptare. Kush e realizoi dhe çfarë mesazhi përçon?
Sh. Ujkaj:
Kënga është e punuar nga kompozitori i njohur Nertil Morina “Nurtel” nga Prishtina, kurse videoklipi u realizua nga Rezart HALILI production. Kënga u mirëprit, ndërsa shfrytëzoj rastin t’i përshëndes të gjithë ata që më mbështeten. Kënga “Bukuroshja jëm” përçon një mesazh dashurie, e ndër të tjera thotë se “s’ ka më mirë se kur dy zemra dashurinë e kanë brenda”.

Koha Javore: Me profesion jeni gazetar, megjithatë muzikën e bëni me shumë admirim dhe pasion. Ku korrespondon gazetaria me muzikën?
Sh. Ujkaj:
Si gazetaria, ashtu edhe muzika, të dyja kanë të bëjnë me publikun, me kamerat dhe mikrofonin. Meqenëse unë kam punuar edhe tekste të këngëve të mia, them se profesioni i gazetarisë këtë ma ka bërë shumë më të lehtë, sepse më ka mundësuar që të shpehi emocionet e mia nëpërmjet teksteve të ndryshme, ku më pas i kam interpretuar përmes këngës.

Koha Javore: Si e shihni muzikën shqipe sot? Sa po kultivohet muzika e mirëfilltë nga gjeneratat e reja?
Sh. Ujkaj:
Të flasësh për këtë temë nuk është aspak e lehtë. Opinioni im për muziken sot është se çdo gjë është bërë komerciale, e sigurisht që në muzikë sot ka më shumë kuantitet sesa kualitet. Kjo është fakt dhe dita-ditës dëgjojmë këngë me tekste që përdorin një gjuhë të bastardhuar, me fjalë shumë të ndyra, gjë që mendoj se këto lloj tekstesh e mesazhesh që trasmetojnë “artistët” që prodhojnë këngë të tilla, nuk do të duhej që të dominonin në muzikën e mirëfilltë shqipe.

Koha Javore: Cilat janë planet Tuaja të afërta dhe mesazhi drejtuar të gjithë atyre që duan të arrisin e të afirmohen si këngëtar?
Sh. Ujkaj:
Do të vazhdoj të punoj projekte të reja, do të përpiqem që të jem sa më gjithëpërfshirës në mënyrë që këngët e mia të mos përçojnë mesazhe personale, por ato t’i drejtohen një publiku të gjerë duke prekur tematika të ndryshme.
Së pari, të gjithë atyre që duan të arrisin suskse në muzikë ju uroj fat, e po ashtu nga përvoja ime ju them që të mos presin ndihmë nga të tjerët. Punoni fort dhe mos u ndalni. Edhe po të ndodhë befasia, ju sërish mos u dorëzoni. Çdo dështim duhet ta mirëprisni, sepse aty do e gjeni fuqinë për të vazhduar dhe për t’u bërë akoma më të zotët në veprimtarinë tuaj.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat