Përkushtimi ka qenë gjithmonë më i madh se pengesat

Të jesh në detyrën e drejtuesit të dy redaksive në shqip, por edhe të një redaksie e popujve të tjerë pakicë, në një mjedis ku gazetarët shpeshherë ndikohen nga rrymat politike, është vërtetë një sfidë

Koha Javore: Z. Gilaj, nga viti 2022, fillimisht jeni emëruar koordinator i Redaksive të programit në gjuhën shqipe në Radiotelevizionin e Malit të Zi dhe sot jeni redaktor në Radio dhe Televizion, përgjegjës i Programit për pakica. Cili ka qenë angazhimi dhe prioriteti juaj për të ngritur dhe avancuar përmbajtjen programore të këtyre dy redaksive?
S. Gilaj:
Kur mora këtë detyrë, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Malit të Zi, zotëri Boris Raoniq, e ndjeva jo vetëm si një përgjegjësi profesionale, por edhe si mision. Në fakt, për të gjithë ne gazetarët, sidomos ata që kanë përvojën time 25 vjeçare, është më se e qartë se profesioni ynë është vetë mision. Kur m’u dha mundësia që ta pranoja përgjegjësinë e redaktorit, e pranova me kënaqësi sepse më në fund, mund të provoja të ndikoja në përmirësimin e gjendjes së redaksisë në gjuhën shqipe dhe pa humbur kohë dhe me plot vullnet, iu qasa punës. Nuk ishte i vështirë hartimi i planit të veprimit, ku si pika kryesore parashtrova: modernizimin, fuqizimin dhe zgjerimin e përmbajtjes programore, duke i dhënë zë më të fuqishëm faktorit shqiptar në Mal të Zi. Është normale se puna ime nuk ishte individuale, por në sinkroni me kolegët e mi. Fokusi im kryesor si redaktor, ka qenë ngritja e cilësisë së gazetarisë që ofrojmë, edhe pse kjo nuk mungonte, mirëpo unë i dhashë detyrë vetes që sadopak, cilësia të ngrihet, duke u bazuar në profesionalizëm, objektivitet dhe risi. Në këtë drejtim, fillimisht kemi sjellë punësime të reja, pra zëra të rinj në media. Prurjet e reja kanë sjellë freski si në radio ashtu edhe në televizion, sepse kur bashkohet përvoja dhe vullneti i të rinjve të talentuar, suksesi s’ka si të mungojë. Synimi im ka qenë që redaksitë në shqip të mos jenë vetëm segmente, por dritare që pasqyrojnë jetën, kulturën dhe shqetësimet e shqiptarëve në Mal të Zi. Që nga fillimi kemi punuar të gjithë, në të dy redaksitë, me përkushtim për të modernizuar përmbajtjet, duke i bërë emisionet, ato ekzistuese, më dinamike, por edhe duke sjellë emisione plotësisht të reja.

Synimi im ka qenë që redaksitë në shqip të mos jenë vetëm segmente, por dritare që pasqyrojnë jetën, kulturën dhe shqetësimet e shqiptarëve në Mal të Zi. Që nga fillimi kemi punuar të gjithë, në të dy redaksitë, me përkushtim për të modernizuar përmbajtjet, duke i bërë emisionet, ato ekzistuese, më dinamike, por edhe duke sjellë emisione plotësisht të reja

Koha Javore: Cilat janë sfidat që i keni hasur gjatë menaxhimit tuaj drejt një misioni, që është informimi objektiv i publikut shqiptar në Mal të Zi?
S. Gilaj:
Të jesh në detyrën e drejtuesit të dy redaksive në shqip, por edhe të një redaksie e popujve të tjerë pakicë, në një mjedis ku gazetarët shpeshherë ndikohen nga rrymat politike, është vërtetë një sfidë. Mirëpo, gjithmonë, edhe kur isha gazetar, por edhe sot, kemi luftuar që ta ruajmë pavarësinë, të sigurojmë që të jemi të paanshëm, të saktë dhe të balancuar, me një kujdes të theksuar ndaj paanësisë, përherë në krah të profesionalizmit. Dëgjuesit dhe shikuesit sot kërkojnë lajme të shpejta, të sakta dhe të qasshme kudo. Për këtë arsye, jemi duke punuar për të sjellë formate të reja të gazetarisë digjitale, gjegjësisht në platformat online dhe kemi rritur komunikim me publikun përmes rrjeteve sociale. Këtu kemi faqet tona në internet, ueb faqen e RTMZ në Shqip, ashtu edhe në rrjetet sociale dhe platforma të tjera (MNE Play) dhe Radio e Malit të Zi Shqip, online 24 orë. Sfidë tjetër e rëndësishme ka qenë rritja e audiencës, pra dëgjueshmëria dhe shikueshmëria si dhe përshtatja me tendencat e reja. Në këtë drejtim kemi investuar në përmirësimin e prezencës sonë online dhe në formatet digjitale, që na ndihmojnë të arrijmë një publik më të gjerë, sidomos me të rinjtë, por edhe me diasporën tonë, si në Evropë ashtu edhe në SHBA e vende të tjera. Çdo punë i ka sfidat e veta, por përkushtimi ka qenë gjithmonë më i madh se pengesat.

Koha Javore: Në çfarë kushtesh teknike ndodhen sot këto dy redaksi dhe sa të kompletuara janë ato me kuadrot që e realizojnë programin informativ?
S. Gilaj:
Në aspektin teknik, kemi bërë hapa përpara, por ende ka vend për përmirësime. Kemi investuar në pajisje të reja dhe në përmirësimin e kushteve të punës, por nevojiten ende mjete më moderne për të garantuar një cilësi konkurruese. Këtu duhet cekur që përveç obligimit të shtëpisë sonë, kemi hasur në mirëkuptim edhe nga diaspora jonë, në SHBA konkretisht.
Ata para dy vitesh na dhanë një donacion me të cilin u pajisëm me një kamerë HD, për nevojat e redaksisë shqip në televizion, kurse këtë vit patëm edhe një donacion tjetër, që besoj se do ta shfrytëzojmë për blerjen e një droni, po ashtu për nevojat e redaksisë së televizionit. Po përmes donacioneve, u pajisëm me disa kompjuterë, laptopë e printera, ku shfrytëzoj rastin të falënderoj Shoqatën “Malësia” nga Kalifornia, Shoqatën “Malësia e Madhe” nga Nju Jorku si dhe Shoqatën “Kraja” po nga Nju Jorku për donacionet dhe ndihmat bujare të tyre. Sa i përket stafit, kemi një ekip të përkushtuar dhe profesionist, por gjithmonë ka nevojë për rritje dhe zgjerim të redaksisë me njerëz të rinj e që e duan profesionin e gazetarit. Jemi një ekip i përkushtuar, me gazetarë që punojnë për të sjellë përmbajtje interesante për dëgjuesit dhe shikuesit tanë, por na nevojiten edhe më shumë mundësi për trajnim dhe më shumë hapësirë.

Në Televizion, krahas emisioneve ekzistuese “Lajmet” dhe “Mozaiku”, edhe pse ishte planifikuar vite më parë, vetëm vitin e kaluar filluam me emisionin “Në fokus”, kurse nga sivjet teleshikuesve u sollëm në shqip edhe edicionin informativ të zgjeruar “Ditari”. Me “Në fokus” tentojmë që të analizojnë më thellësisht çështjet me rëndësi për shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë, duke sjellë intervista dhe reportazhe nga përditshmëria

Ndonëse kemi bërë hapa përpara në përmirësimin e kushteve teknike, ende kemi nevojë për investime në pajisje më moderne, për të ofruar cilësi edhe më të mira, krahasuar me mediat e tjera. Ndërsa, për funksionimin sa më të mirë të redaksive të Programit për pakica, arritëm që të zgjerojmë redaksitë por edhe të kompletojmë stafin drejtues, me dy redaktorë për pakica në Radio dhe Televizion, Marash Dedvukaj dhe Nikë Kalaj dhe për herë të parë në historinë e servisit publik të Malit të Zi, kemi dy redaktore të Redaksive, Violetë Gjokaj dhe Envera Dukaj. Më duhet të përmend këtu edhe se në Programin për pakica emërohet për herë të parë një redaktore e Redaksisë në gjuhët e pakicave të tjera, Aida Rastoder.

Koha Javore: Kohëve të fundit keni zgjeruar hapësirën mediatike në gjuhën shqipe në Radiotelevizionin e Malit të Zi. Cilat janë risitë që keni sjellë?
S. Gilaj:
T’ju them të drejtën, që nga pranimi i detyrës së re, këtë e kam pasur si qëllim kryesor që i kisha vënë vetes. As në kohërat kur isha gazetar, si ekip asnjëherë nuk jemi mjaftuar me atë që kemi pasur, por kemi kërkuar ta rrisim punën e cilësinë tonë. Me sa duket e kam pasur fatin që me menaxhmentin e ri kam gjetur një mirëkuptim, ku këtyre drejtuesve u kam parashtruar synimet tona, të cilat në masë janë përkrahur. Si në Radio ashtu edhe në Televizion, nga drejtoria dhe redaktorët e rinj kemi përkrahjen dhe në vitet e fundit kemi sjellë programe të reja, formate më moderne dhe kemi rritur hapësirën që më parë mund të mos gjenin vend në radio dhe ekran. Unë do të ceki këtu, se e kam obligim ndaj kolegëve se që nga viti 2022 fillimisht në radio kemi arritur që të lidhemi me radiot kombëtare shqiptare, me Tiranën, Prishtinën e Shkupin përmes emisionit të përbashkët, “Pa Kufij”. Krahas emisioneve ekzistuese në radion e Malit të Zi, Lajmeve të mëngjesit, Ditarit të pasdites dhe emisionit “Në fund të javës”, kemi arritur që për një kohë të shkurtër të hapim Radion e parë online në shqip, 24 orë, programin e veçantë në gjuhën shqipe në Radion e Malit të Zi, që e ceka edhe më lart, “Radio e Malit të Zi Shqip”. Në Televizion, krahas emisioneve ekzistuese, “Lajmet” dhe “Mozaiku”, edhe pse ishte planifikuar vite më parë, vetëm vitin e kaluar filluam me emisionin “Në Fokus”, kurse nga sivjet teleshikuesve u sollëm në shqip edhe edicionin informativ të zgjeruar “Ditari” . Me “Në Fokus” tentojmë që të analizojnë më thellësisht çështjet me rëndësi për shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë, duke sjellë intervista dhe reportazhe nga përditshmëria. Përveç emisioneve të reja, një nga arritjet më të rëndësishme ka qenë shtimi i kohëzgjatjes së transmetimeve në gjuhën shqipe dhe llojllojshmëria e përmbajtjes. Krahas kësaj, duke parë se duhet të jemi në “trend”, kemi përmirësuar qasjen digjitale, duke e bërë programin tonë më të afërt në platforma të ndryshme online, duke siguruar kështu që edhe diaspora jonë, ata që na ndihmojnë gjithnjë, të kenë mundësi të ndjekin programet tona.

Koha Javore: Cili është vizioni, plani dhe synimi i këtyre dy redaksive në periudhën në vazhdim?
S. Gilaj:
Në periudhën në vijim, kemi si synim të vazhdojmë modernizimin e transmetimeve, të zgjerojmë formën e programeve dhe të fuqizojmë gazetarinë tonë. Një tjetër prioritet është fuqizimi i bashkëpunimeve rajonale dhe ndërkombëtare.
Shpresojmë se shumë shpejt do të hapim një studio në Ulqin, e cila do të shërbejë edhe për bashkëpunimin tonë më të afërt me RTSH-në dhe RTK-në, e pse jo edhe me RT-në e Maqedonisë së Veriut. Pra, me këtë duam të jemi zë i fortë, jo vetëm brenda kufijve të Malit të Zi, por edhe në hapësirën më të gjerë shqiptare. Vizioni ynë është të vazhdojmë të ndërtojmë një program sa më profesional, që pasqyron në mënyrë të drejtë dhe dinjitoze jetën e shqiptarëve në Mal të Zi. Plani ynë përfshin zgjerimin edhe më tej të programit, ku përmes rrugëtimit të shtimit të kapaciteteve të të punësuarve dhe rritjes së profesionalizmit, të jemi të gatshëm për të realizuar ëndrrën tonë të kamotshme, Kanalin televiziv enkas për shqiptarët në Mal të Zi. Në fund të fundit, misioni ynë është që çdo shqiptar në Mal të Zi dhe jashtë tij të ndjejë se ka një zë të fortë dhe të besueshëm. Besojmë se me punë të përkushtuar dhe me mbështetje, mund t’i arrijmë të gjitha.

Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat