Koha Javore: Urime për videoklin e ri “Katile”! Si u mirëprit kënga dhe videoklipi?
L.Ramadani: Faleminderit shumë. Mendoj që kënga dhe videoklipi janë pritur mirë dhe e falënderoj shumë publikun për mbështjen e tyre të vazhdueshme. Ju jam mirënjohës me aq ngrohtësi që më kanë pranuar. Videoklipi u lançua me datën 20 mars 2021 dhe është vërshuar nga klikimet. Jam gëzuar shumë që kënga është pritur shumë mirë.
Koha Javore: Me kë keni bashkëpunuar pë realizimin e videoklipit?
L.Ramadani: Për realizimin e videoklipit kam bashkëpunuar me kompaninë XL Films, me një ekip të shkëlqyer, që i falënderoj për punën profesionale. Realizimi i videoklipit është bërë një pjesë në natyrë në vendlindjen time në Rahovicë, dhe një pjesë në ambientt të mbyllur në Prishtinë.
Idenë e inspirimit të këngës dhe tekstin mund ta di më së miri i nderuari ALBOS, sepse i ka bërë të gjitha. Mua më është propozuar ideja për projektin dhe e kam pranuar.
Koha Javore: Na tregoni pak për fillimet tuaja në muzikë? Kur filluat ta merrni muzikën më seriozisht si profesion?
L.Ramadani: Vazhdimisht kam shkruar tekste këngësh, ndërsa sa i përket muzikës kam kënduar më herët, që në moshën 10 vjeçare. Kam kënguar në aktivitete shkollore gjatë shkollës së mesme.
Muzikën e kam marrë seriozisht në vitin 2019, kur kam patur një takim të rastit me të madhin mbretin e muzikës Blerim Muharremi, që njihet në skenë Blero.
Më seriozisht muzikën si profesion e mora pas projektit tim të parë të këngës “Anila”. Pashë që u prit mirë nga publiku dhe me një motivim nga Blero, fillova të angazhohem me seriozitet.
Koha Javore: Të cilit zhanër e karakterizoni muzikën tuaj?
L.Ramadani: Mendoj baladë moderne urbane.
Koha Javore: Mund të na tregoni pak më tepër për këngën tuaj të parë “Anila” dhe inspirimi për të?
L.Ramadani: Emigrova si i ri nga vendlindja. Dhe kur kuptova se po bëhem baba, ishte një ndjenjë tepër e veçantë, që besoj që mund ta kuptoj çdokush që është prind, diçka që nuk përshkruhet. U gëzova shumë kur u bëra baba dhe i këndoja herë pas here vajzës time, Anilës. Kështu mendova që t’ia bëj një këngë kushtuar asaj. Ndjeja nevojën që ta gravoj diku këtë emocion dhe dashuri që ndjeva, shkruaja nga pak dhe tekstin e plotësoja çdo herë nga dashuria që ndjeja dhe që me jepte Anila.
Koha Javore: Cilat janë disa nga projektet tjera muzikore që keni?
L.Ramadani: Kam disa projekte të bukura dhe kur të jetë koha e përshtatshme do t’i ndaj me publikun.
Koha Javore: Keni patur sukses si aktor në teatër dhe film. Si kanë qenë përvojat në teatër dhe në ekran për ju?
L.Ramadani: I dua të dyja si teatrin edhe filmin dhe kam patur një eksperiencë shumë të mirë. Kur je në teatër është një emocion i veçantë që e ndjen për momentin dhe nuk e kthen dot mbrapa. Ndërsa në film është një adrenalinë. Të dyja më japin një emocion dhe kënaqësi të rrallë. E dua aktrimin dhe e shoh veten në botën e filmit.
Koha Javore: Cilat performansa do veçonit nga shfaqjet teatrale që ishin më mbresëlënëse për ju dhe pse?
L.Ramadani: Mund të them që shfaqja “Ku janë” me regji të Resul Jusufit, shfaqje kushtuar të zhdukurve, viktimave, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri që ne gëzojmë sot, është temë aktuale edhe sot. Si dhe shfaqja “Kur ska, a ka” që ka të bëjë me izolimin si shoqëri. Edhe kjo është temë aktuale sot, sepse jemi i vetmi popull padrejtësisht i izoluar në Ballkan.
Koha Javore: Kush ka qenë mentori juaj që ju ka mbështetur dhe udhëzuar në artin e aktrimit?
L.Ramadani: Kam bashkëpunuar me regjisorin Resul Jusufi, me të ndjerin Faruk Begolli, Melihate Qena, Fatmir Hyseni, etj. Për z. Resul Jusufi kam konsiderate të madhe, e çmoj dhe admiroj si njeri dhe artist. Resuli ka qenë rruga ime që mi ka hapur të gjitha dyert si artist. Ka qenë inspirimi për mua dhe e falënderoj për këtë.
Koha Javore: Mund të na tregoni më tepër për fillimet në aktrim dhe fillimet me Teatrin Modern “Po Po” në Ferizaj?
L.Ramadani: Aktrimin e kam filluar në vitin 2000. Kemi patur disa shfaqje të suksesshme me regji nga Fatmir Hyseni, si “Hije dhe drita”, e cila ka fituar vendin e parë. Po ashtu dhe shfaqje “Futja pa lidhje del me lidhje” me regji nga Resul Jusufi, që mori vendin e parë.
Teatri modern “Po Po” në Ferizaj ka qenë i vetmi në Kosovë në atë kohë, si teatër i mimikës, pantomimës dhe gjestikulacionit, me mimikë dhe gjeste pantomime dhe me qëndrim skenik. Nuk ka patur tjetër përveç këtij. Në vitin 2002 bashkë me grupin teatral kemi bërë festivali të llojit “cirku i rrugës”, që u mbajt mend shumë. Ky ishte karnavali i parë në Kosovë, që u mbajt në të gjitha qytetet e Kosovës pas luftës.
Koha Javore: Ku e gjeni veten më shumë midis muzikës apo aktrimit?
L.Ramadani: Edhe teatri dhe muzika janë pjese e botës time artistike. Mendoj që e gjej veten në të dyja – muzika dhe aktrimi, të dyja si artist besoj që më kompletojnë.
Koha Javore: Çfarë do të thotë muzika për Ju?
L.Ramadani: Muzika është ushqimi i shpirtit, që të frymëzon për gjithçka në jetë.
Koha Javore: Projektet tuaja të radhëse, nëse mund t’i ndani me lexuesit tanë?
L.Ramadani: Besoj projektin e radhës do e kem nga vjeshta, detajet e tjera do jenë surprizë.
E. B.