Modernizim i arsimit dheruajtje e trashëgimisëhistorike, kulturoredhe gjuhësore

Lulanaj në këtë intervistë për “Koha javore” flet për Strategjinë për Reformën Arsimore 2025/2035, përmirësimin e kushteve në shkolla - digjitalizimin; përfshirjen e autorëve shqiptarë në tekstet shkollore; pasurimin e lëndëve arsimore ku promovohen historia, kultura, zhvillimi, arti dhe gjuha shqipe, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional me të gjitha ministritë në rajon

Koha javore: Z. Lulanaj, së pari urime për emërimin tuaj sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacioneve. A mund të na thoni, si e konceptoni këtë detyrë të re dhe cilat janë synimet tuaja kryesore në fushën e arsimit?
F. Lulanaj:
Për fillim, ju uroj për punën tuaj në informimin e shqiptarëve në Malin e Zi dhe ju falënderoj për interesimin dhe vizitën tuaj në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacioneve. Ne kemi marrë përsipër përgjegjësinë që ta kemi si detyrë kryesore ruajtjen dhe përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi, veçanërisht në fushat jetësore për ruajtjen e identitetit kombëtar, ku dallohen fushat e ekonomisë, kulturës, historisë, informimit, arsimit dhe ruajtjes së gjuhës amtare. Vëmendja jonë, midis të tjerash në fushën e arsimit, është gjithashtu: përmirësimi i kushteve në infrastrukturë ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe ose edhe në gjuhën shqipe, promovimi i vlerave kombëtare, përfshirja më e gjerë e historisë dhe gjeografisë kombëtare në tekste shkollore, përfshirja më e gjerë e autorëve shqiptarë në literaturën shkollore, arritjet në fushën e artit dhe arteve muzikore nga shqiptarët në Malin e Zi, përdorimi i gjuhës amtare, krijimi i kushteve për arsimimin dhe profesionalizimin e kuadrit arsimor.

Koha javore: Arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi ka një traditë të rëndësishme, por shpesh është vlerësuar se ka nevojë për përmirësime të mëtejshme. Cilat janë fushat ku mendoni se duhen ndërmarrë hapa konkrete për avancimin e tij?
F. Lulanaj:
Me ardhjen e Prof. dr. Angjella Jakshiq – Stojanoviq në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacioneve, ka filluar një rinovim i plotë në sistemin arsimor të Malit të Zi. Vetëm në dy vitet e fundit janë investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturën shkollore. Gjithashtu, me qëllim përmirësimin e kornizës ligjore, deri tani janë miratuar mbi njëzet ligje arsimore që qartë përmirësojnë të gjitha aspektet që kontribuojnë në përmirësimin e sistemit. Natyrisht, vëmendje po i kushtohet edhe arsimit në gjuhën shqipe.
Sigurisht, siç kalon koha, në fushën e arsimit lindin edhe nevoja të reja që i përshtaten kohës që po kalojmë.
Këtë vit është përgatitur dhe miratuar Strategjia për Reformën Arsimore 2025/2035, e cila parashikon të gjitha aktivitetet që do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë infrastrukturore dhe sistemin arsimor në Malin e Zi. Sipas kësaj Strategjie, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe arsimit në gjuhën shqipe. Në të ardhmen, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet infrastrukturës shkollore, digjitalizimit të shkollave, pasurimit të bibliotekave shkollore me tituj të rinj, sigurimit të mjeteve didaktike në gjuhën shqipe, pasurimit të lëndëve arsimore ku promovohen historia, kultura, zhvillimi, arti dhe gjuha shqipe.
Në fillim të vitit të ri shkollor, Ministria ka siguruar mjete didaktike në gjuhën shqipe për të gjitha shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Në këto mjete përfshihen harta, alfabet dore dhe me shkrim, tabela e shumëzimit dhe e ndarjes, kalendari natyror, orari i mësimit, numra të lëvizshëm, numërues dhe shkronja të lëvizshme etj.

Koha javore: Duke qenë se Ministria bashkon arsimin, shkencën dhe inovacionin, në ç’mënyrë mendoni se kjo qasje e integruar mund të reflektojë edhe te shkollat shqipe dhe te nxënësit shqiptarë?
F. Lulanaj:
Jam i sigurt se arsimi, shkenca dhe inovacionet janë tri fusha që plotësojnë njëra-tjetrën, veçanërisht në kohën në të cilën jetojmë. Natyrisht, kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Malin e Zi dhe te nxënësit që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.
Në këtë mënyrë do të krijohen mundësi të reja për të pasur një arsim që ndjek epokën e digjitalizimit dhe tendencat moderne për një arsimim cilësor dhe efikas.

Koha javore: Një dimension i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërinstitucional. Si e shihni mundësinë e intensifikimit të marrëdhënieve në fushën e arsimit mes Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës?
F. Lulanaj:
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka një bashkëpunim të shkëlqyer me organet shtetërore dhe lokale që në punën e tyre kanë gjithashtu mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të popujve pakicë dhe pakicave tjera nacionale në Mal të Zi. Marrëdhënie të mira kemi gjithashtu me të gjitha ministritë përkatëse në rajon.
Është e rëndësishme të theksohet se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacioneve në një kohë të shkurtër kryen edhe nostrifikimin e diplomave nga këto dy vende.
Në Fakultetin Filozofik, në Programin Studimor për Përgatitjen e Mësuesve në Gjuhën Shqipe të Universitetit të Malit të Zi japin mësim pedagogë nga Shqipëria.
Ministria merr pjesë çdo vit në Panairin e Librit në Tiranë dhe ka një promovim të rëndësishëm të librave, mjeteve mësimore dhe përkthimeve të veprave të autorëve që botojnë në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Jam i sigurt se nga ana e ministres ka vullnet dhe dëshirë për një bashkëpunim edhe më produktiv, në mënyrë që të sigurojmë kushtet dhe mundësitë më të mira për arsimimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Koha javore: Në rolin tuaj si sekretar shtetëror, çfarë mesazhi do të dëshironit t’u përcillnit prindërve, mësuesve dhe nxënësve shqiptarë lidhur me perspektivën që ka arsimi shqip në Mal të Zi?
F. Lulanaj: Me punën, vullnetin dhe rezultatet që shënojmë si Ministri dhe si kolektiv, jam i bindur se do të arrijmë qëllimin që arsimi dhe edukimi i të rinjve të arrijë standardet evropiane.
Rezultatet e reja tregojnë se jemi në rrugën e duhur që të gjithë nxënësit në Malin e Zi të vazhdojnë arsimin dhe shkollimin me kënaqësi dhe rezultate të mira. Patjetër se ky qëllim është edhe për arsimin ne gjuhën shqipe në Malin e Zi. Ky qëllim është një detyrë, frymëzim dhe kënaqësi për ne të gjithë që jemi pjesë e ekipit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacioneve.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat