Kërkohet angazhim maksimal dhe bashkëpunim i ndërsjellë

Dua të siguroj qytetarët e komunës së Tuzit se ne jemi të vendosur për të mbrojtur interesat e komunës sonë. Procesi i ndarjes së kufijve është një çështje e rëndësishme që prek zhvillimin dhe të ardhmen e komunës sonë, dhe ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për ta zgjidhur atë në mënyrë sa më të drejtë. Bashkëpunimi institucional dhe angazhimi ynë i pandërprerë do të sigurojnë që Komuna e Tuzit të marrë atë që i takon, duke siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët

Koha javore: Z. Gjelaj, a mund të na thoni se çfarë nuk është zgjidhur në përcaktimin dhe ndarjen e kufijve administrativë të komunës së Tuzit me atë të Podgoricës?
L. Gjelaj:
Problemi i ndarjes së kufijve administrativë midis Komunës së Tuzit dhe Podgoricës, që ka nisur në vitin 2018, ende mbetet i pazgjidhur. Kjo situatë ka ardhur kryesisht për shkak të obstruksioneve nga pala e Podgoricës. Çështjet kryesore që mbeten të kontestuara lidhen me disa zona specifike si: pjesa e Rakiqit (nga “Niagara” deri te shtëpitë e familjes Popoviq), një pjesë e tokës në Vllanë (Dubrava) dhe zonat Rikaveci, Luhari dhe Ledina. Ne si komunë kemi paraqitur argumente të forta, të bazuara në harta gjeografike dhe dokumente historike, për të mbrojtur të drejtën tonë mbi këto territore. Madje kemi propozuar edhe arbitrazh në rast se nuk arrihet një marrëveshje dypalëshe. E rëndësishme është që ky proces të përfundojë në mënyrë të drejtë, jo vetëm për stabilitetin dhe zhvillimin e Komunës së Tuzit, por edhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Podgoricën.

Koha javore: Cilat janë veprimet e Komunës së Tuzit deri tani për realizimin e këtij synimi?
L. Gjelaj:
Komuna e Tuzit ka ndërmarrë hapa të shumtë dhe të mirëpërcaktuar për të zgjidhur këtë çështje. Për këtë qëllim, kemi ngritur një komision të posaçëm, të kryesuar nga Nik Gjeloshaj, së bashku me Emin Axhoviqin dhe Nermin Alibashiqin. Ky komision ka punuar intensivisht për të mbrojtur interesat e komunës së Tuzit dhe për të adresuar problemet me Podgoricën. Gjatë këtyre viteve janë zhvilluar disa takime me komisionin e Podgoricës. Për fat të keq, mospërfillja dhe mungesa e angazhimit nga pala tjetër kanë zvarritur procesin. Pas shumë diskutimeve, ne kemi propozuar një zgjidhje pragmatike: të ruhet ndarja aktuale ligjore e kufijve dhe, në vend të një arbitrazhi të gjatë, të kërkojmë një përqindje të të ardhurave nga pasuritë publike të përbashkëta që ndodhen në zonat e kontestuara. Ky propozim ka si qëllim të shmangë proceset e zgjatura arbitrare, duke siguruar një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për Komunën e Tuzit.

Koha javore: Cilat janë barrierat që vazhdojnë ta zvarrisin këtë çështje?
L. Gjelaj:
Procesi i ndarjes së kufijve ka hasur disa barriera kryesore duke munguar një dinamikë e qëndrueshme në negociata. Procesi është ndërlikuar shpesh për shkak të zgjedhjeve të shpeshta të cilat janë mbajtur në kryeqytet dhe ka ndikuar në ndryshimin dhe verifikimin e komisioneve nga pala e Podgoricës, ka pasur vonesa të qëllimshme që kanë ndikuar në ecurinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Megjithatë, zhvillimet e fundit janë pozitive. Me iniciativën e ministrit Marash Dukaj u organizua një takim, ku mora pjesë unë si kryetar i Komunës së Tuzit, kryetari i Zetës dhe kryebashkiaku i Kryeqytetit Podgoricë. Në këtë takim, të gjitha palët treguan një disponim jashtëzakonisht pozitiv për përfundimin e procesit. Ministri propozoi një afat njëmujor për ta përmbyllur çështjen, një propozim që u pranua plotësisht nga të gjithë.Veçanërisht duhet përgëzuar qëndrimi konstruktiv i kryetarit të Podgoricës, z. Mujoviq, i cili tregoi gatishmëri për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe efikase që do të ishte në dobi të të gjitha palëve.

Koha javore: Cila është zgjidhja përfundimtare?
L. Gjelaj:
Për të përfunduar këtë proces, kërkohet angazhim maksimal dhe bashkëpunim i ndërsjellë nga të gjitha palët e përfshira. Unë jam i bindur se me përkushtimin dhe dialogun e duhur, kjo çështje do të marrë një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare brenda afateve të përcaktuara. Dua të siguroj qytetarët e komunës së Tuzit se ne jemi të vendosur për të mbrojtur interesat e komunës sonë. Procesi i ndarjes së kufijve është një çështje e rëndësishme që prek zhvillimin dhe të ardhmen e komunës sonë, dhe ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për ta zgjidhur atë në mënyrë sa më të drejtë. Bashkëpunimi institucional dhe angazhimi ynë i pandërprerë do të sigurojnë që Komuna e Tuzit të marrë atë që i takon, duke siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.

Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat