Intervistë me Dr. Ganimete Hoxha

Koha Javore: Kush është doktoreshë Ganimete Hoxha?
Dr. Ganimete Hoxha:
Kam lindur dhe jam rritur në Klinë, Kosovë. Arsimin fillor dhe të mesëm e kam mbaruar në vendlindje ndërsa Fakultetin e Mjekësisë e kam kryer në Prishtinë. Fati e deshi dhe u martova po atë vit më 1987 në Anë të Malit. Që atëherë jetoj këtu. Pra jamë bijë e Kosovës e nuse e Anës së Malit. Përndryshe të shtoj se kam specializuar në Beograd dhe jam specialiste e mjekësisë familjare. Jam nënë e dy fëmijëve, gëzoj emrin gjyshe nga dy nipa të cilët jetojnë në Prishtinë me prindërit e tyre.

Koha Javore: Çfarë peripecish u kanë përcjellur në karrierën Tuaj? Fjala është për përiudhën pas kryerjes së studimeve ngase një kohë të gjatë, siç jemi në dijeni, kenë qenë e papunë?
Dr. Ganimete Hoxha :
Punësimi im ka qënë më shumë i vështirë në atë kohë. Vetë sistemi i punësimit, jo vëtem i imi por edhe i shumë kolegëve. Kemi pritur në Entin për Punësim një kohë të gjatë që të na gjendet diku një punë në profesion. Sa mbaj mend aty kemi qenë të evidentuar diku rreth dhjetë mjekë! Unë e kisha pak më të vështirë ngase vija nga një vend tjetër, Kosova prandaj as që diskutohej që mund të punësohesha diku në Mal të Zi, as në Ulqin e as në Tivar. Zakonisht përgjigja që merrja ishte të kthehesha nga kisha ardhur, sepse nuk kishin nevojë për mjekë, bile as stazhin e praktikantit nuk ma mundësuan ta bëj këtu dhe jam detyruar të kthehem në Kosovë ku edhe e kreva në vendlindje, në Klinë.
Pas një kohe pasi kisha mbaruar stazhin, në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin e zevendësova një mjeke për gjashtë muaj. Përsëri e pa punë për disa kohë, punova një vere në Ambulancën “Vita” një sezon turistik, pastaj filloi pritja vit pas viti, një dekadë e plotë, nja dhjetëvjetë!?! Në tetor të vitit 1996 Tivari kishte nevojë për mjekë dhe atëherë mu ofrua rasti për punësim. Pak kohë kam punuar në Tivar dhe Peçuricë, pastaj më ofruan punë në Ambulancën e Ostrosit, ku edhe sot vazhdoj të punoj, e mesiguri derisa të dal në pension. Askush këtu nuk ka qëndruar me shumë se tri vjet, ndërsa unë punoj tash njëzetë e pesë vite pa ndërprerje në këtë staconi shëndetësor.

Koha Javore: Si është i organizuar shërbimi shëndetësor në këtë stacion?
Dr. Ganimete Hoxha:
Gjendja e përgjithshme shëndetësore në Krajë ishte në nivelin më të ulët, kushtet higjienike nuk ishin atëbotë në nivelin e duhur, mjekët shqiptarë punuan 2-3 vite, merrnin specializimin dhe normal kontribuonin në qytete përkatëse ku banonin. Pacientët kishin mbetur pothuaj në mëshirën e fatit, kërkonin ndihmë mjekësore në ambulancat përrreth në Ulqin apo në Tivar. Përsoneli tjetër këtu ishte i mjaftueshëm, ishte motra medicinale, tekniku i patronazhit, vozitësi i autoambulancës dhe higjienistja. Pra këyre u mungonte vetëm mjeku i ambulacës që shërbimi mjekësor primar të kompletohej edhe këtu si gjithandej ku funcionojnë shërbime të këtilla shëndetësore.
Kraja atëherë numëronte diku rreth 4.000 banorë. Numri i pacientëve ishte i madh, kishte fëmijë që padyshim si gjithkund kishin nevojë për shërbime shëndetësore primare, por edhe të rritur dhe të moshuar. Dominonin sëmundje të ndryshme infektive, akute e kronike, e sidomos sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes. Vaksinimi i fëmijëve ishte mjaft i vogël. Atëherë vaksinimin e bënin në Krajë. Vizitat konsultative bëheshin shumë rrallë ngase nuk kishin me se të udhëtonin. Autobusi ndërurban ishte në qarkullim por kushtet ishin më të vështira, andaj preventiva dhe shërimi duheshin mundësuar aty. Rastet e rënda transportoheshin me automjetin e ambulancës. Problem më i madh ishte kur makina ishte në defekt (kjo ndodhte shpesh) e rasti ishte për hospitalizim. Të njejtat vështërësi kishin edhe mjekët që punuan para meje. U ballafaquam me sfida të ndryshme, qoftë me barna e qoftë me mundësi shërimi në këto kushte mjaft të vështira. Unë kam bërë përpjekje maksimale që sado pak kësaj popullate të cilës i shërbej që punën në këtë stacion shëndetësor ta riorganizoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Besoj se gjatë kësaj kohe edhe ia kam arritur asaj që kam synuar. Sot shërbimin shëndetësor këtu e japin krahas meje edhe dy infermiere, dy shoferë dhe një punëtore në mirëmbajtjen e higjenës. Nuk kam dëshirë të flasë për këtë, fjalën e tyre lidhur me këtë le ta thonë pacientët që këtu u është ofruar shërbimi shëndetësor tash e më shumë se 25 vjet sa jam këtu në shërbim të qytetarëve të Krajës. Duhet thënë edhe këtë:
Të punosh në fshat larg qendrave mjekësore e spitalit eshtë mjaft e vështirë, duhet të kalitesh me lloj-lloj vështirësish, aty je mjek i të gjitha profileve duke filluar nga foshnjet e poRsalindura e deri te mjeku që konstaton vdekjen e pacientit në çfarëdo rrethanash që e gjenë atë, etj. Sidoqoftë, unë kam bërë përpjekje maksimale që punën ta organizoj në mënyrën më të mirë të mundshme.

Koha Javore: Ardhja Juaj në Krajë është pritur mirë nga banorët e këtushëm. Kjo nga vetë fakti se në Stacionin Shëndetësor në Ostros nuk ka patur mjekë që të kenë qëndruar, siç thatë edhe vetë, më shumë se dy-tri vjet.
Dr. Ganimete Hoxha:
Duke u bazuar në këto kushte e vështirësi me të cilat ishin ballafaquar që nga momenti i ikjes së kolegëve të mi në vendet e tjera, nevoja për mjekë e posaçërisht mjekë shqiptarë ishte e madhe e mos të them për mjeke femër. U mirëprita shumë mirë qoftë nga stafi e qoftë nga pacientët. E kjo më bëri që të ndihem si në familjen time, e pash sa kanë nevojë dhe vetës ia parashtrova detyrat që duhet t’i kryej. Në rend të parë të kujdesem për edukimin shëndetësor e pastaj të luftoj në mbrojtje dhe shërim. Populli i këtij nënqielli është shumë bujar, mikpritës dhe nuk të harron kurrë për punën që ke bërë. U prita mirë ngase këtu mjekët merrnin specializimin dhe iknin nga këtu. Unë nuk e bëra këtë. U zotova se do të bëj të pamundurën që edhe këtu si edhe në stacionet e tjera shëndetësore do të ofrohet shërbimi shëndetësor primar me rregull. Krahëhapur më pritën, më respektojnë, më nderojnë, janë mirënjohës për shërbimet që ua japim. Edhe sot e gjithë ditën bëj përpjekje maksimale që të jap kontributin tim aq sa më lejojnë rrethanat në të cilat gjendet shoqëria jonë në përgjithësi.

Koha Javore: Puna Juaj këtu është vlerësuar jo vetëm nga pacientët dhe qytetarët e Krajës, por edhe nga instancat shëndetësore të Komunës, Malit të Zi dhe jo vetëm. Sa ka qenë dhe sa është e vështirë puna në zonat rurale siç është Kraja?
Dr. Ganimete Hoxha:
Tani pas disa dekadave çdo gjë është shumë më e lehtë, kemi ngrohje qëndrore, kemi rrymë të mjaftueshme dhe pandërprerje, sistemi i digjitalizimit me kompjuterë në ambulancë funkcionon shumë më mirë, kemi barnatoren që punon çdo ditë tash 15-16 vite, kemi autoambulancën, EKG, oksigjen koncentratorin e shumë pajisje mjekesore – kontribut i mërgimtarëve nga diaspora. Çdo javë bëhen analizat laboratorike. Përsoneli është i kompletuar, kemi automjete por fatëkeqësia më e madhe është se ka rënë dukshëm numri i popullatës që jeton në Krajë. Puna në zonat rurale është e vështirësuar. Të punosh në fshat, larg spitalit dhe shtëpisë së shëndetit, kërkon angazhim, punë , sakrificë, guxim dhe njohje të profesionit. Fshati të bë më të fortë në profesion, nuk ke ndihmë profesionale sikur ata në qytet, do të vëndosesh vetë, përgjegjësitë të bien mbi supe, nuk ke orar të caktuar ngase je së bashku me personelin shëndetësor përgjegjëse për mënyrën që duhet të ofrohet ndihma shëndetësore pa marrë parasysh kohën, rrethanat, largësitë dhe kushtet atmosferike. Tani normal që është më lehtë ngase disponojmë me mjetet digjitale, telefon, kompjuter dhe është më lehtë të caktohet diagnoza, udhëzimi e transporti i të sëmurit, lënduarit. Mjaftë ndihmon edhe emergjenca e Tivarit, etj. Nuk ka qenë lehtë por me punë dhe angazhim maksimal ia kemi arritur.
Puna e mjekut vlerësohet më së miri nga pacientët. Falënderimet e tyre janë gjëja më e lumtur për një mjek, kur pacienti ndihet më mirë, kalojnë shqetësimet apo lehtësohen ato, atëherë edhe mjeku frymon lirshëm. Vështirë është atëherë kur nuk ke mundësi ndihme, ke bërë të pamundurën por sëmundja e rëndë e përkeqëson gjendjen. Mendoj që atëherë e kemi me borxh që t’i ndihmojmë psiqikisht pacientit me fjalë, prezencë, e kurajo. Shpesh pacientët e mi në momentet e fundit kërkojnë hallallin. Kjo tregon besimin dhe afërsinë e pacientit me mjekun i cili kujdeset vite e vite për ta.
Unë si mjeke jam e lumtur kur punën përveç pacientëve ta vlerësojnë edhe instuticionet e tjera shëndetësore qoftë në Komunën e Tivarit si më lart. Mua mirënjoja më e lartë për punën time më është dhënë në vitin 2014. Është kjo mirënjohje që jep Oda e Mjekëve e Malit të Zi. Jam laureate e mirënjohjes ,,Branko Zogoviq” për vitin 2014 me motivacionin “Për kontribut të veçantë në punë dhe afirmimin e parimeve humane të profesionit”. Kam edhe mirënjohje dhe dekorata të tjera që më dhënë bërë gjatë këtyre viteve, por kjo më bën më së shumti krenare.

Koha Javore: Përveç punës me pacientë, Ju këtu kohë pas kohe keni organizuar edhe shërbime mjekësore specialistike si dhe keni organizuar një herë në javë edhe shërbime të laboratorit për analiza të pasqyrës së gjakut.
Dr. Ganimete Hoxha:
Në Krajë janë organizuar pos punës së përditëshme me pacijentë, edhe puna preventive në njohjen dhe parandalimin e shumë sëmundjeve. Shumë ligjerata janë organizuar si fjala bie me onkologë, hematologë, internistë, dermatologë, psikiatra , gjinekologë etj, ku numri ndjekësve ka qenë i madh dhe interesimi i tyre dëshmon se sa janë të etshëm për njohjen e problemeve shëndetësore.

Koha Javore: Monografia “Shëndetësia në Krajë” është libri i parë i këtij lloji, dokument me vlera të mëdha historike lidhur me rrjedhat e shërbimit shendetësor në Krajë. Si ia keni arritur të grumbulloni materialin dhe të botoni një monografi të tillë?
Dr. Ganimete Hoxha:
Libri im ,,Shëndetësia në Krajë” për mua do të thotë shumë. Jam e lumtur që arrita të përshkruaj punën, sakrificën e të gjithë atyre profesionistëve shëndetësorë që dhanë kontribut mjekësor që nga fillimi i shërbimit shëndetësor nga shekulli i kaluar. Në mënyrë historike jam munduar të paraqes situatën shëndetësore, me fotografi të ilustruara kam arritur ta dokumentoj punën e bërë.
Gjatë grumbullimit të materialeve kam hasur në vështërësi të ndryshme, kam gjurmuar në arkiva për dokumente të rralla të papublikuara më parë. Gjatë hulumtimeve të bëra kam hasur dokumente të ndryshme si në arkivin e Spitalit, Shtëpisë së Shëndetit në Tivar, Ulqin, Cetinë etj. Kontributin më të madh ma kanë dhënë vetë pacientët kur tregonin për sakrificën, mundin, kushtet në të cilat kanë punuar kolegët e mi. Libri është pritur mirë nga lexuesit dhe konsideroj që institucionet relevante do ta kenë bazë të mirë për hulumtime të mëtejme shkencore.

Koha Javore: Kraja po boshatiset, gjë që reflektohet në çdo rrafsh të jetës. Padyshim është ulur edhe numri i pacientëve që u kanë zgjedhur Ju si mjeke familjare. Çfarë mund të na thoni për këtë dukuri që këtu s’po ka të ndalur?
Dr. Ganimete Hoxha:
Kraja po boshatiset e kjo po reflektohet jo vetëm ne punën tonë por edhe në çdo rrafsh të jetës. Numri i pacientëve është zvogëluar dukshëm, të rinjtë po shkojnë jashtë për një jetë më të mirë. Gjëja më shqetësuese është sepse të moshuarit kanë nevojë për shërbim më të devotshëm, qoftë ai shëndetësor apo social. Nuk mund të them që nuk e kanë gjendjen ekonomike, ajo nuk u mungon, por u mungon ajo më e rëndësishmja, ngrohtësia familjare në shumicën e rasteve.
Për fund do t’u sygjeroja kolegëve të rinj që ishalla nuk e kenë fatin tonë, të specializojnë, sepse çdo specializim e ka rëndësinë dhe vlerën e vet. Ta duan profesionin, të kenë durim, sepse me komunikim të mirëfilltë arrihet çdo gjë.

Koha Javore: Faleminderit doktoreshë për kohën e ndarë për këtë bisedë!
Dr. Ganimete Hoxha:
Faleminderit Ju që më dhat rastin dhe më siguruat një hapësirë të konsiderueshme të faqeve të gazetës.

Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat