Koha javore: Z. Ujkaj, pak kohë më parë keni njoftuar themelimin e partisë politike të quajtur “Rilindja Shqiptare”. A mund të na thoni se çfarë u bë shkas që çoi në themelimin e partisë suaj? Çfarë nevojash apo sfidash synoni të adresoni në skenën politike shqiptare në Mal të Zi?
P. Ujkaj: Shkas i themelimit të Rilindjes Shqiptare si parti politike u bë nevoja e përfaqësimit më dinjitoz të popullit shqiptar në Mal të Zi, duke filluar nga shumë fakte me të cilat pakënaqësia e një grupi të madh të popullit është e dukshme me menaxhimin e problematikave të ndryshme shoqërore, politike, por edhe ekonomike në vendet ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.
Meqenëse në komunikim me shumë aktorë shoqërorë komentuam aktualitetet e pushtetit të sotëm, si në Qeverinë e Malit të Zi, ashtu edhe në nivel të Komunës së Tuzit, erdhëm deri te përfundimi se korrupsioni është i dukshëm dhe se interesat personale janë ato që po vendosen në vend të parë. Nisur nga kjo, mora iniciativën që të themeloj një subjekt serioz, kryesisht me djem dhe vajza të reja që janë e ardhmja e çdo shoqërie, me qëllime të pastra, duke realizuar planprogramin e veprimit të ‘Rilindjes Shqiptare’, i cili besoj se do të jetë i qartë dhe i prekshëm nga qytetarët që dëshirojnë një sistem të rregulluar dhe të mirëqenë për jetën e çdo qytetari në Mal të Zi.
Kemi mbajtur Kuvendin Themelues të Rilindjes Shqiptare më 22 nëntor 2024, ku u zgjodha si përfaqësues i autorizuar i partisë politike për organizimin e regjistrimit të subjektit, si dhe për konkretizimin e organizimit brendapartiak, ku së shpejti do të organizohet edhe Kongresi i Parë i Rilindjes Shqiptare.
Koha javore: Si themelues i këtij subjekti politik, cilat janë vlerat dhe parimet kryesore mbi të cilat bazohet ideologjia e partisë suaj?
P. Ujkaj: Vlerat dhe parimet kryesore mbi të cilat bazohet ideologjia e Rilindjes Shqiptare janë: respektimi i rendit, Kushtetutës dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi; demokracia e brendshme dhe avancimi i proceseve integruese të shqiptarëve dhe Malit të Zi në bashkësinë e Unionit Evropian, duke filluar nga anulimi i korrupsionit ekzistues në pushtetin lokal në Tuz e më gjerë; respektimi dhe moslejimi i shitjes së territorit të komunave ku shqiptarët bëjnë shumicën, duke pasur mundësinë që me një pushtet më të organizuar të japim kontribut në investime në infrastrukturë dhe resurse të tjera.
Koha javore: Në çfarë mënyre partia juaj synon të sjellë një qasje ndryshe nga partitë e tjera shqiptare në Mal të Zi? Cili është vizioni juaj?
P. Ujkaj: Inkuadrimi i rinisë së shëndetshme dhe të shkolluar në proceset e rëndësishme politike është domosdoshmëri dhe në Rilindjen Shqiptare kjo do të jetë risia më e madhe, ku me respektimin e vlerave demokratike do t’u jepet mundësia që të jenë aktorë të rëndësishëm, ku kapaciteti dhe intelektualizmi i tyre do të tregohet pa rënë pre e presioneve të ndryshme, apo borxheve të politikave të gabuara të përfaqësuesve shqiptarë.
Koha javore: Duke qenë se partia juaj pritet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, cilat do të jenë prioritetet tuaja kryesore për komunitetin?
P. Ujkaj: Prioritetet kryesore të Rilindjes Shqiptare në komunën e Tuzit do të jenë: ndikimi i drejtpërdrejtë në ruajtjen e territorit të komunës; ndalimi i korrupsionit; shpalljet publike transparente, pa lënë dyshime në marrëveshje të dëmshme; promovimi i punës dhe i rinisë që di dhe do të punojë në menaxhimin e vetëqeverisjes lokale; investimet infrastrukturore të planifikuara dhe të realizuara në mënyrë të detajuar, dhe assesi të nxitura për qëllime të përfitimeve të ndryshme të grupimeve të caktuara. Gjithashtu, do të mbrohet identiteti shqiptar dhe të drejtat si popull autokton, duke promovuar vlerat dhe burimet njerëzore me tipare të lakmueshme në të gjithë botën e civilizuar, me punë të ndershme, siç i ka hije çdo shqiptari.
Bisedoi: Toni Ujkaj