Evoluimi i gjenezës iliro-shqiptare

Një studim i tumave ilire në rrafshin e ish-Jugosllavisë nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit nga Britania e Madhe, bazuar në analizat e skeleteve të hulumtuara u vërtetua se kromozomi Y i takon halporgupit J2b2 L283. Ky zbulim tregon qartë se nga e kanë zanafillën ilirët dhe cilës epokë i përkasin. Më konkretisht, një haplotip është një kombinim i aleleve në rajone të ndryshme kromozomale që janë të lidhura ngushtë dhe që priren të trashëgohen së bashku.
Duke qenë se një haplogrup përbëhet nga haplotipe të ngjashme, zakonisht është e mundur të parashikohet një haplogrup nga haplotipet. Haplogrupet i përkasin një linje të vetme prejardhjeje.
Si i tillë, anëtarësimi i një haplogrupi, nga çdo individ, mbështetet në një pjesë relativisht të vogël të materialit gjenetik që zotëron ai individ.
Studimi i origjinës në bazë të analizës së ADN-së nuk është shumë i njohur te ne. Kjo është arsyeja e zhvillimit të bisedës me Fatmir Markashin, njohës i mirë dhe i pasionuar pas studimeve gjenetike mbi bazën e ADN-së

Koha javore: Cilat janë halpogrupet më dominuese te shqiptarët, sidomos tek ata në Mal të Zi?
F. Markashi:
Studimet e halpogrupeve në trevat shqiptare në Malin e Zi janë të ndara në dy zona. Njëra zonë përfshin Ulqinin me rrethinë, Anën e Malit, Tivarin gjegjësisht Krajën e Mbishkodrës, ku studimet udhëhiqen nga unë, kurse pjesa e Malësisë udhëhiqet nga profesori Luigj Camaj.
Halpogrupi më gjithëpërfshirës që dominon në këto treva është E-V13. Ai dominon në mënyrë absolute në trevën e Shestanit (Kraja e Mbishkodrës), kurse në Ulqin dhe Anë të Malit e hasim, por jo sa në zonën e Shestanit.

Koha javore: Sa është përqindja e këtij halpogrupi?
F. Markashi:
Diku rreth 27 deri 30 për qind, përkundër zonës së Malësisë (pjesa e Malit të Zi), ku halpogrupi J2b2 L283, që në thelb është puro ilir, është më dominant. Ndërsa te ne (Ulqin – Anë e Malit – Krajë) gjendet në katër familje: një në Krajë dhe tri në Anë të Malit. Po ashtu edhe në një familje (Shkreli) në Amull, e cila edhe pse si territor i përket Anes së Malit, ata janë fis nga Malësia, të ardhur aty.
Këtë vijë mashkullore e hasim te mbiemri Gjekaj në Selitë dhe ai Kurmemi në Krythë. Në Krajë e hasim edhe te familja Musaj në Brisk të Poshtëm. Sipas studimeve skeletore të lartpërmendura i takojnë kohës së bronzit.
Në qoftë se flasim për neolitin dhe halpogrupet G dhe I (I2a2), ato ishin të vogël në përqindje – gati 2%, andaj shqiptarët lidhen ngushtë me këtë hapësirë në kohën e bronzit. Në këtë kohë u formua etnogjeneza shqiptare në Gadshullin Ilirik. Duhet të theksoj se halpogrupi J2b2 migron i pastër dhe nuk vjen i përzier me ndonjë grup tjetër që gjendet po ashtu në Tropojë. Studimi i tumulave e vërteton pikërisht këtë kohezion, tek ilirët në veçanti.

Koha javore: Mbas halpogupit ilir (J2b2 L283), si evoluon në vazhdimësi gjeneza shqiptare?
F. Markashi:
Kemi tre grupe dominuese. E-V13 ka tre kënde apo ka tri epoka lëvizëse prej një burimi. Edhe ajo kelto-ilire R1b, ku shtrirja e saj gjendet në Dardani (Moesi) dhe Traki, tregon se ka pasur shtrirje në bregdet, por edhe në një zonë e cila është më kontinentale. Kjo dyndje e linjës mashkullore ndodh aty ku sot quhet Shqipëri, ose që të jemi më të saktë, në zonat ku flitet gjuha shqipe.
Lidhja mashkullore e familjes Dabaj në Shestan E-V13, e njëjta gjendet në Suedi te populli Viking, që tregon se ka pasur lëvizje të vazhdueshme – dikush lart, dikush poshtë.

Koha javore: Domethënë, sipas analizave të deritashme, nuk duhet përjashtuar lidhja iliro-kelte?
F. Markashi:
Po pikërisht një pjesë kelte gjendet te ne, brenda materialit gjenetik.

Koha javore: Është inkurajuese që shkrimet e antikitetit po vërtetohen edhe me shkencën e halpogrupeve, sidomos të studiuesit George Von Hahn, sipas të cilit proto-evropianët janë në fakt shqiptarët. Sa ka ndikuar dyndja e sllavëve në Ballkan tek fiset ilire?
F. Markashi:
Kuptohet që me shembjen e Perandorisë Romake dhe “kohët e errëta” (500-1000 e.s.) në Evropën Perëndimore kemi fillimin e lëvizjes së disa popujve si gotët. Me betejën e Adrianopolit (sot Edirne) kundër Perandorisë Romake të lindjes në vitin 376, ata ngadalë u vërsulen trojeve tona, por në mënyrë transite, ku një pjesë e gjenezës së tyre gjendet në zonën e Pukës (fisi Gashi), I-1 në Ulqin gjendet te familja Kahari, kurse në Mal të Zi te Drobnjakët.
Lëvizja e sllavëve ishte më masive dhe e fundit, që nuk i ngjasonte asaj të gotëve dhe avarëve në mënyrë vrastare. Këta ishin më tepër popullues, që me vete bartnin të gjithë familjet e veta dhe gjënë e gjallë. Ndikimi i tyre është më tepër në formë politike, sepse Bizantit ia plotësonin nevojat e rritjes së popullatës, ku lufta e tyre konstante për pushtet me latinët krijoi këtë zbrasëti që sllavët e mbushën.
Serbia, në fakt, është një temë e Bizantit, ku shihen edhe simbolet e tyre kombëtare që janë bizantine, nuk kanë asgjë më tepër.

Koha javore: Pasi folëm për grupin E-V13, t’i prekim edhe halpogrupet R-1a dhe R-1b?
F. Markashi:
Kemi të bëjmë me popullin skitë (anëtar i një populli nomad, me origjinë iraniane, i njohur që në shekullin IX p.e.s., i cili migroi drejt perëndimit nga Azia Qendrore në Rusinë jugore dhe Ukrainën në shekujt VIII-VII p.e.s.). Faktikisht, një degë skite, jo e sllavizuar dhe aspak e përzier E-2a1 vendoset në Rumanin e sotme dhe me këtë popull luftarak romakët vijnë në kontakt në kohën e antikitetit. Ata zgjodhën ta popullonin Anglinë. Aty degëzohen me keltas dhe pas kësaj lidhjeje, në skenë dalin piktët (një popull i lashtë që jetonte në atë që tani është Skocia lindore dhe verilindore, nga Caithness në Fife. Emri i tyre mund t’i referohet zakonit të tyre të pikturës së trupit ose ndoshta tatuazhit). Aq bëhen të rrezikshëm për Perandorinë Romake saqë ata ndërtuan murin e Hadrianit vetëm për t’iu ndaluar hovin.
Kurse dega tjetër R-1a vjen e çiftëzohet me gjenezën E-2a1 që jetonte në verilindje të Evropës. Aty ndërtohet populli që ne e njohim si sllavët. Aty hasim për herë të parë grupin M-412, i cili përfshin një territor të gjerë nga Polonia, Bjellorusia deri në Hungari.
Është interesante se halpogrupi E-V13 u zbulua në frekuenca të pazakonta, në zonat e Uellsit dhe Anglisë së sotme. Kjo i ka çuar studiuesit në përfundim se ushtarët romakë nga Iliria (me saktësi Moesia e epërme) mund të kenë shërbyer dhe vendosur në këto zona gjatë sundimit romak të Britanisë.

Koha javore: Sipas hulumtimeve që i kemi gjer më sot për trevat e Ulqinit, Anës së Malit dhe Krajës, cilat janë disa nga mbiemrat e familjeve me interes që ia vlen t’i përmendim?
F. Markashi:
Në Ulqin kemi një larmishmëri të ndryshme gjenetike, fare e papritur. Ka disa degëzime sllave, por forma ndryshon sepse janë ndoshta luftëtarët e Bizantit! Halpogrupi R1a dega L1029 nuk përputhet me asnjë fis sllav në Ballkan, por është i veçantë. Po ashtu në Dibër ekziston po e njëjta vijë mashkullore shqiptare dhe mbasi shumë herët janë vendosur në trevat shqiptare, ata edhe janë pjesë e korpusit shqiptar në Anë të Malit (familjet Rama, Peraj, Sylejmani) dhe Ulqin (Beci dhe Jakupi).
Kemi familje sllave që e popullonin këtë vend edhe në kohën e Perandorisë Osmane, siç i kemi sipas analizave familjet Cakuli dhe Harasani, kurse vijat e tyre më të përaferta janë buzë lumit Sava, në zonat boshnjake, d.m.th. s’kanë as ata lidhje me zonat tjera si e Onogoshtit, as zona të Serbisë. Pra, shihet qartë se ata pasi ishin të besimit islam nuk kanë mundur të vendosen në zona të krishtere, sepse do të ishin sulmuar, po pikërisht në zonat që tashmë ishin të islamizuara, ku ishin pakicë dhe u shqiptarizuan dhe e morën kulturën e vendit ku jetonin.
Vijat kelto-ilire i kemi te familja Rexha në Kllezën (Ana e Malit), po ashtu Rexha në Kaliman.
Në Krajë janë në Matguesh familjet Halili, Zekajt dhe Tutajt. Nuk janë shumë, por ky halpogrup ekziston.

Koha javore: Po në Kosovë, kush dominon?
F. Markashi:
Kosova është njëra prej popullatave më homogjene, ku 54% i takojnë grupit E-V13 të kohës së antikitetit. Ekziston edhe ajo që ne sot e quajmë proto-ilire J-2b2 L283, si Malësia e Gjakovës, Deçani, Drenica. Kemi edhe vijat kelto-ilire gati kudo (R-1b). S’kemi asnjë gjenezë altaike edhe pse flasim për një territor të rrafshët.

Koha javore: Domethënë nuk asnjë përzierje osmane apo anadollake?
F. Markashi: Saktë. Gjer më tani analizat nuk kanë treguar një gjë të tillë. Dhe jo vetëm në Kosovë, por nuk i gjejmë as në Maqendoninë e Veriut. Në zonën e Malësisë së Tetovës kemi gjenezën kelte.

Koha javore: Kjo tregon se gjuha osmane apo turke është përdorur thjesht nga administrata e kohës dhe më vonë është adaptuar nga popullata në qytete, sepse nga njohja e kësaj gjuhe bëhej dallimi i qytetit dhe fshatit, por kurrsesi mbi baza gjenetike? Thjesht, një dukuri anadollake e ndarjes qytet-fshat?
F. Markashi:
Po rikthemi te koha e sundimit romak. Ne kemi shumë vija romake që kanë jetuar në qytete dhe vazhdonin të jetonin në qytete, sikurse J-1a ose J-2a M410, pothuajse halpotip puro romak që gjendet në zonën e Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës!
Në Mal të Zi e hasim në Cetinë, Cërmnicë. Këto janë quajtur nga populli vija vllehe, por në realitet janë romake.
Çuditërisht, kemi disa vija anadollake po jo alltaike!?

Koha javore: A ke për të thënë diçka tjetër që nuk e kemi prekur më sipër?
F. Markashi:
Për fund, t’i prekim edhe disa vija mashkullore që i takojnë kohës së Bizantit, pikërisht “foederatave” (ishin popuj dhe qytete të lidhura nga një traktat, i njohur si foedus, me Romën. Gjatë Republikës Romake, termi identifikonte socii, por gjatë Perandorisë Romake, ai përdorej për të përshkruar shtetet e huaja, mbretëritë kliente ose fiset barbare, të cilave perandoria u ofronte përfitime në këmbim të ndihmës ushtarake)
Historianët e kishin të pamundur ta dinin se këta veçse ekzistonin në korpusin e popujve ballkanikë. Në shek. VII dhe VIII Perandoria e Bizantit rimodelohet për sa i përket formës ushtarake, ndërton tagmatet që përbëhen nga shumë kombe të ndryshme, që nuk janë latinë dhe këta i vendos mes popullatës së vjetër ballkanike, që janë shqiptarët, dhe popullatës sllavo-avare, që vijnë në jug dhe ishin më agresivë edhe zaptues. Këta njihen me emrin “Akrai”, që d.m.th. “njerëzit e kufirit”. Ata fillimisht janë çiftëzuar me popullatën e vjetër ilire, faktikisht janë shqiptarizuar pjesa e një korpusi, por me kalimin e kohës dhe pamundësinë që ta mbajnë kufirin, ata më vonë edhe sllavizohen.
Kjo gjenetikë dominon sot në disa familje serbe dhe te malazezët Cërnojeviqët!
Domethënë, s’janë as sllave, as ilire, por familje luftarake. Këtu te ne janë kryesisht në zonën e Krajës, ndër to familjet Kollari, Markashi, Perashi, Gjenashi dhe Cana. Kjo vijë njihet si vija usharake – grupi J-2b1 M205. Këta janë faktisht një grup njerëzish që krijuan një zonë tampon ndërmjet sllavëve dhe popujve të tjerë.

Bisedoi: Sami Flamuri

Të fundit

më të lexuarat