Çiftelia, ura ime me atdheun

Shqipe Shala është një filozofe nga Kosova, e cila prej fëmijërisë jeton në Gjermani. Pavarësisht se jeton larg vendlindjes, ajo nuk reshti së ushtruari pasionin për çiftelinë edhe në diasporë. Ajo këtë instrument e mban në zemër si lidhje të gjallë me rrënjët dhe identitetin kombëtar. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Koha javore”, ajo flet për udhëtimin e saj muzikor, frymëzimet, sfidat dhe misionin për ta përcjellë këtë trashëgimi te brezat e rinj

Koha javore: Znj. Shala, a mund të na thoni çfarë ju ka lidhur për herë të parë me çiftelinë? Si nisi ky udhëtim me një instrument kaq të lashtë?
Sh. Shala:
Çiftelia më ra në dorë për herë të parë në vitin 2014. Motra ime kishte qenë në pushime në Kosovë dhe atje kishte blerë një çifteli, të cilën ma solli mua në Gjermani. Unë kisha shumë dëshirë të kisha një çifteli dhe kështu arrita ta bindja motrën time të ma falë, sepse ajo e kishte blerë për vete. Që nga ajo kohë u përpoqa ta mësoj vetë çiftelinë dhe arrita të mësoj disa valle të lehta, që zakonisht mësohen në fillim. Por kisha dëshirë të regjistrohesha në ndonjë kurs ose shoqatë kulturore-artistike, por në atë qytet ku jetoja unë dhe përreth nuk kishte. Kërkova ndonjë mësues përmes internetit, dhe aty e gjeta virtuozin e çiftelisë, Fatmir Makollin. E kontaktova dhe i tregova për dëshirën time për të mësuar t’i bie çiftelisë. Ai m’u përgjigj menjëherë dhe më përgëzoi për guximin dhe vendimin që kisha marrë. Që nga ajo ditë, baci Fatmir më dërgonte video pothuajse çdo javë me shpjegime dhe këshilla rreth çiftelisë, këngëve dhe valleve që unë i zgjidhja për t’i mësuar. Kështu vazhdova me ndihmën e tij deri sot.
Jam shumë falënderuese për përkrahjen që kam marrë nga baci Fatmir. Mendoj se pa ndihmën e tij nuk do të kisha arritur ta mësoj çiftelinë, sepse të gjithëve na duhet dikush që na shtynë dhe na përkrah në jetë.

Koha javore: Pse pikërisht çiftelia në një kohë kur shumë të rinj zgjedhin zhanre më moderne?
Sh. Shala:
Për mua nuk kanë rëndësi trendet dhe zhanret më moderne, sidomos në gjuhë të huaja, sepse ato nuk kanë lidhje me identitetin tim. Nuk dua t’i ndjek ato trende, por dua ta gjej veten në rrënjët e mia, në këtë rast përmes muzikës sonë shqiptare. Muzika shqiptare në përgjithësi, sidomos folklori dhe muzika popullore shqiptare, janë zhanret me të cilat jam rritur dhe që më flenë në zemër, sepse më japin ndjenjën e të qenit në vendlindjen time. Dhe këtë ndjenjë nuk mund të ma japë asnjë zhanër apo muzikë e huaj.

Koha javore: A është çiftelia për ty pasion apo edhe një mision për të mbajtur gjallë trashëgiminë tonë kulturore?
Sh. Shala:
Çiftelia është për mua një vegël që më jep mundësinë të krijoj dhe të ndiej tingujt e lashtë që kanë krijuar dhe dëgjuar të parët e mi, dhe përmes tyre t’i ringjall ndjenjat e pastra të dashurisë ndaj mëmëdheut tim. Mendoj në përgjithësi se nëse je vetvetja, je origjinal. Dhe këtë origjinalitet dua ta mbaj gjithmonë dhe kudo që të shkoj, sepse vetëm kjo na bën unikë ne shqiptarët. Nëse mundohemi të kopjojmë dikë tjetër ose kultura të tjera, atëherë bëhemi të këmbyeshëm – dhe një gjë që është e këmbyeshme, e humb vlerën. Vetëm origjinali ka një vlerë të madhe.
Prandaj kam dëshirë t’ua mësoj çiftelinë edhe fëmijëve të mi, që edhe ata t’ia dinë vlerën kulturës dhe traditave tona unike, dhe kështu të mbahet gjallë trashëgimia jonë kulturore.

Koha javore: Kush të ka motivuar apo frymëzuar në këtë rrugëtim? Ndonjë figurë, artist, apo përjetim personal?
Sh. Shala:
Meqenëse jam rritur në Gjermani, gjithmonë kam ndier një lloj malli për atdheun tim, edhe pse kam qenë vetëm një vjeç e gjysmë kur jemi shpërngulur atje. Prindërit e mi, në vitet ’90, gjithmonë na blinin videokaseta me muzikë dhe humor shqip që ne fëmijët të mos e harronim gjuhën dhe kulturën tonë shqiptare. Dhe aty kam parë për herë të parë shqiptarë me veshje tradicionale, duke kënduar dhe vallëzuar shqip, duke i rënë çiftelisë dhe instrumenteve të tjera autoktone shqiptare. Pikërisht në një videokasetë të vitit 1998, kam parë një incizim të këngës “Bjeri çiftelisë” nga këngëtarja Lirija, ku një djalë i vogël i binte çiftelisë. Ajo më mahniti dhe më inspiroi shumë, dhe aty për herë të parë lindi dëshira ime për ta mësuar këtë instrument. Sepse ajo që shihja aty ishte kuptimi im i të qenit shqiptare: e veshur me kostum kombëtar dhe me një instrument folklorik në dorë, sepse kështu më dukeshin këngëtarët, valltarët dhe instrumentistët shqiptarë atëherë.
Pra, ky ishte imazhi që kisha për Kosovën dhe ky më pëlqente. Mendoj se pa ato videokasteta, atë muzikë, ato humore, ato vallëzime dhe ato filma në gjuhën shqipe, ndoshta gjenerata ime që është rritur në diasporë nuk kishte ditur as të flasë shqip.
Frymëzimi më i madh për mua është malli për vendlindjen dhe identitetin tim, dhe dëshira për të qenë pjesë e kulturës sonë shqiptare.

Koha javore: Ke bashkëpunuar me artistë të tjerë, apo je pjesë e ndonjë grupi apo shoqate që promovon muzikën popullore?
Sh. Shala:
Po, kam bashkëpunuar shpesh me Fatmir Makollin. Mund të shihni disa video në rrjetet sociale me mua dhe Fatmir Makollin. Ai më ka mësuar t’i bie çiftelisë, siç tregova më herët. Sa herë që jam në Kosovë, takohemi dhe ushtrojmë bashkë. Në sheshin e Prishtinës është një shitore e veglave folklorike, ku Fatmir Makolli dhe kolegët e tij bëjnë muzikë. Aty kam marrë pjesë edhe unë disa herë. Kam disa duete online që i kam bërë në rrjetet sociale – në Facebook, TikTok dhe Instagram – duke përcjellë disa këngëtarë dhe instrumentistë me çifteli. Përndryshe, kam edhe disa kërkesa për bashkëpunime nga instrumentistë të ndryshëm, që do t’i realizojmë së shpejti.

Koha javore: Si reagon publiku kur sheh një vajzë të re me çifteli? Të përkrahë, habitet, apo ndodh që të paragjykojnë?
Sh. Shala:
Deri tani kam marrë vetëm reagime të mira dhe shumë lavdërime. Sidomos prej të rinjve nga shtete të ndryshme kam marrë shumë kërkesa dhe pyetje për mësimin e çiftelisë, por edhe kërkesa për bashkëpunime. Për çdo pyetje që kanë, unë i ndihmoj gjithmonë, sepse e di që është vështirë të mësosh një instrument vetë, sidomos kur jeton në diasporë dhe dëshiron ta mësosh një instrument kaq të lashtë si çiftelia.
Mendoj që nga ana e dy shteteve tona shqiptare – Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga shoqatat dhe komunitetet shqiptare në diasporë, duhet të punohet shumë më tepër për t’i përkrahur ata që kanë dëshirë të mësojnë instrumentet tona tradicionale. Duhet të hapen shkolla dhe kurse për mësimin e instrumenteve tona folklorike, si çiftelia, lahuta, fyelli etj.

Koha javore: A mendon se çiftelia ka vend edhe në zhanre të tjera, më moderne? Ke provuar ta përziesh me ndonjë stil tjetër?
Sh. Shala:
Mendoj se çiftelia ka vend në çdo zhanër të muzikës, sepse në pikëpamjen e notave muzikore nuk është e kufizuar fare. Çiftelia e temperuar, për shembull, i kap të gjitha notat dhe i përshtatet sidomos muzikës rok (rock), pop dhe muzikës klasike. Kemi shumë këngë shqipe të këtyre zhanreve që e dëshmojnë këtë. Edhe unë kam disa incizime ku kam përcjellë këngë të ndryshme me çifteli.
Do të ishte shumë mirë nëse një ditë këngëtaret shqiptare me famë botërore, si Rita Ora, Dua Lipa apo Bebe Rexha, do të bënin një këngë me motive folklorike ku dëgjohet çiftelia, sepse kështu do të popullarizohej një instrument kombëtar dhe gjithë bota do ta kuptonte se çiftelia është shqiptare. Kështu duhet të veprohet edhe me instrumentin tonë ndoshta më të lashtë, lahutën – që askush të mos guxojë më të na e vjedhë.

Koha javore: Çfarë ëndërron të arrish me çiftelinë – një skenë të madhe, një album, apo që ta mbash gjallë këtë zë të lashtë për brezat që vijnë?
Sh. Shala:
Dëshira ime është, nga njëra anë, ta ndiej dhe ta shpreh dashurinë time ndaj mëmëdheut dhe identitetit tim përmes çiftelisë. Nga ana tjetër, kam dëshirë të arrij një nivel të lartë në të luajturit e çiftelisë dhe të krijoj stilin tim të veçantë dhe unik – si për shembull Fatmir Makolli, Behar Neli dhe instrumentistë të tjerë virtuozë. Ata dallohen menjëherë që në sekondat e para kur i dëgjon duke luajtur në çifteli – jo vetëm për shkak të shpejtësisë, por sepse secili ka stilin e vet unik. Pra, këtu jemi prapë tek origjinaliteti. Nuk duhet të jesh domosdoshmërisht virtuoz për të qenë origjinal, por duhet ta njohësh veten mirë, ta ruash atë që është e jotja dhe të kesh vullnet e guxim për të qenë vetvetja – dhe kështu do të jesh model për gjeneratat e reja.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat