Të punohet më shumë për integrimin e personave me aftësi të kufizuara

3 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara nuk duhet të jetë thjesht një shënim në kalendar, por një pasqyrë për të parë se sa shumë kemi bërë dhe sa shumë na mbetet për të bërë si shoqëri. Kjo datë ishte shkas për të biseduar me drejtoreshën e Qendrës Ditore “Sirena”, Salije Meqikukiq, mbi vullnetin, sfidat, por sidomos për arritjet dhe shpresat e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm në Ulqin. Ajo thotë se ndihet krenare që është pjesë apo përgjegjëse e kësaj kategorie të njerëzve apo fëmijëve

Koha javore: Për ata që nuk janë të njohur me punën tuaj, a mund të na tregoni shkurtimisht, çfarë është Qendra Ditore “Sirena” dhe cili është misioni i saj themelor?
S. Meqikukiq:
Misioni ynë është aftësimi dhe pavarësimi i personave me aftësi ndryshe në shoqëri, në mënyrë që ata të jenë sa më të pavarur apo sa më të pranueshëm për të tjerët.
Shërbimet ditore që ofrojmë janë ato baziket, duke filluar nga transporti i fëmijëve nga shtëpia për në Qendër, pjesa e ushqimit (dy vakte: mëngjesi dhe dreka) dhe shërbime profesionale nga fusha e psikologjisë, fizioterapisë dhe terapisë në grup. Terapia apo një shërbim i ofruar për fëmijët gjithmonë bazohet në mundësitë e tyre, me qëllim që të përpilohet një planprogram individual dhe të zhvillohen terapi individuale dhe grupore, në mesin e të cilave dhe terapia inovative – hipoterapia (terapia me kuaj).

Koha javore: Më tregoni pak më shumë për terapinë e fundit me kuaj. Si ndikon ajo në zhvillimin e fëmijëve?
S. Meqikukiq:
Terapia me kuaj është një terapi relativisht e re për mjedisin tonë, ndonëse në vendet e zhvilluara praktikohet me vite. Hipoterapia zhvillohet direkt në kalë, gjatë qëndrimit dhe ecjes me hapa që kali bën.
Kjo lloj terapie është shumë efikase, sepse fëmija e merr energjinë drejtpërdrejt nga kali. Ai ndihet i sigurt dhe i rehatshëm, duke ndihmuar në terapi logopedike, psikologjike, apo në pjesën e përqendrimit. Kjo terapi luan një rol shumë të rëndësishëm në komunikimin me fëmijët, në bashkëpunim dhe në pjesën e mbajtjes së ekuilibrit. Sidomos për pjesën e fëmijëve me autizëm, e cila përbën numrin më të madh të personave në Qendër, është shumë domethënëse dhe luan një rol të rëndësishëm në energjinë dhe disponimin e tyre.
Edhe ne nga Qendra “Sirena” jemi trajnuar, kemi ndjekur seminarin dhe jemi pajisur me licencën përkatëse për hipoterapi.

Koha javore: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen fëmijët dhe familjet e tyre sot, jashtë dyerve të Qendrës?
S. Meqikukiq:
Jeta e një familjeje apo e një prindi që jeton me një fëmijë me aftësi të kufizuara, në shumë raste, është sfidë. Ulqini ka filluar të punojë shumë në pjesën e integrimit, dhe ne vetë jemi duke punuar dita-ditës. Ndonëse janë bërë disa ndryshime, akoma duhet shumë që t’i formojmë të gjitha mundësitë e mundshme.
Shqetësimi më i madh për prindërit është pasiguria, e cila shpesh vjen nga opinioni i gjerë. Për këtë arsye, kërkohet që të punohet shumë më shumë te pjesa e integrimit të personave me aftësi të kufizuara.
Mesazhi im për opinionin publik është se më shqetëson shumë fakti kur gjykohet dhe vendosen fjalë negative, se “nuk ka hajër për të”. Unë nuk pres, sinqerisht, që populli apo opinioni të derdhin lotë. Por shikimi i drejtuar personit fjalëshkurtor duhet të zhduket sa më parë, sepse e shkatërron vetë fëmijën dhe prindin.

Koha javore: Familjarët janë heronj. Çfarë mbështetjeje u ofron “Sirena” prindërve të fëmijëve dhe çfarë mesazhi keni për ta?
S. Meqikukiq:
Fushës së prindit i kemi kushtuar rëndësi të veçantë, pothuaj sa vetë fëmijëve. Ekziston një relacion: mirëfunksionimi i prindit sjell një rezultat dukshëm të pëlqyeshëm te fëmija. Gjithçka fillon nga prindi: diagnoza, pranimi, edukimi. Prindi është ai i cili përballet i pari me të gjitha këto sfida. Ku ta gjejë prindi forcën më të madhe, nëse nuk e ka nga gjithë ne, duke përfshirë institucionet dhe mbarë opinionin?
Ne në Qendër u kemi ofruar prindërve të gjitha mundësitë që të na kontaktojnë, të na kërkojnë këshilla, por pse jo, edhe të rrëfehen.

Koha javore: Sa fëmijë me aftësi të kufizuara ka aktualisht Qendra “Sirena”?
S. Meqikukiq:
Qendra “Sirena” ka qenë e licencuar deri në 25 fëmijë, dhe këto ditë jemi pajisur me një licencë të re, ku përfshihet shërbimi i fëmijëve dhe të rinjve deri në 30 persona. Edhe pse as ky numër nuk është i pëlqyeshëm, sepse ekzistojnë fëmijë të tjerë në listën e pritjes. Po presim të hapet godina e re e Qendrës, e cila është shumë e nevojshme.

Koha javore: Si një person që punon me këta fëmijë çdo ditë, çfarë mesazhi keni për të gjithë lexuesit tanë në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara?
S. Meqikukiq:
Unë nuk e quaj aftësi të kufizuara, por diversitet. Për mua 3 Dhjetori është një datë në kalendar për opinionin, ndërsa për ne si prindër që jetojmë me diversitetin çdo ditë, është një ditë që ka shumë kuptim.
Secili nga ne jemi ndryshe nga njëri-tjetri. Perfeksionizmi nuk ekziston. E jona është që ne që quhemi njerëz tipikë t’i ndihmojmë ata me aftësi ndryshe. Nuk kërkojmë të eliminohet, por ta ndihmojmë, ta kuptojmë dhe ta pranojmë. Ju ftoj që ta zgjerojmë horizontin.

Të dashur lexues, ndërsa kjo bisedë mbyllet, le të mos e harrojmë mesazhin kryesor. Roli ynë si shoqëri është t’i eliminojmë pengesat, të hapim dyer dhe të ndërtojmë një Ulqin dhe një botë ku inkluzioni nuk është një fjalë boshe, por një realitet i jetuar. 3 Dhjetori le të jetë vetëm një fill i mirë për t’u dhënë më shumë dashuri, më shumë durim dhe më shumë mundësi atyre që e meritojnë më së shumti.

Bisedoi: Eliana Peku

Të fundit

më të lexuarat