Në Mal të Zi është hapur Qendra për Kapacitetet Kibernetike të Ballkanit Perëndimor me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike në rajon dhe harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, z. Marash Dukaj tha se hapja e kësaj qendre është e një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e rajonit nga sulmet kibernetike.
“Kjo Qendër është tejet e rëndësishme për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, sepse ajo do të jetë institucioni kryesor, jo vetëm në Malin e Zi por edhe në rajon, për trajnimin e kuadrove për mbrojtjen kibernetike. Këtu jo vetëm që do të bashkohen ekspertët vendorë, por edhe nga i gjithë rajoni për t’u trajnuar, kurse ata që do t’i trajnojnë janë ekspertë të nivelit botëror”, tha z. Dukaj.
Ngjarjet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi, ku si pasojë e pensionimit të gjyqtarëve të Kushtetueses u shkaktua një krizë politike, ministri Dukaj i cilëson si veprim të gabuar të shumicës parlamentare.
“Veprimet e përsëritura nga shumica parlamentare nuk janë në favor të integrimit të Malit të Zi. Ne kemi kërkuar që të merremi me temat që na bashkojnë dhe jo me temat që na ndajnë”, tha ai.
Dukaj vë në dukje se Marrëveshja e koalicionit qeverisës është duke u respektuar dhe këtë, sipas tij, e dëshmon edhe mbyllja e tre kapitujve në Bruksel.
“Qeveria deri më sot nuk ka sjellë asnjë vendim që është në kundërshtim me Marrëveshjen. Këtë e dëshmon edhe rruga e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian. Pas shtatë vjetësh ne kemi arritur të mbyllim dy kapituj që janë të lidhur drejtpërdrejt me ministrinë time dhe ministrinë e z. Nik Gjeloshaj. Kemi tre kapituj që ne si kuadro shqiptare kemi ndikuar në mbylljen e tyre dhe ky është një rezultat i konsiderueshëm”, tha ministri Dukaj.
Ai tha në fund se përfaqësuesit shqiptarë do të jenë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi derisa të respektohen të gjitha pikat e Marrëveshjes qeverisëse.
“Ne do të jemi pjesë e Qeverisë derisa të respektohemi dhe derisa të respektohet Marrëveshja. Marrëveshja është shumë e qartë: Mali i Zi drejt integrimit evropian dhe anëtar i plotë dhe i fuqishëm i NATO-s, raporte të mira me të gjithë fqinjët, në mënyrë të posaçme me Shqipërinë dhe Kosovën. Këto janë parimet prej të cilave ne nuk do të lëvizim dhe nëse këto parime do të vihen në pyetje, ne nuk do të jemi pjesë e kësaj Qeverie”, tha në fund ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.
Bisedoi: A. Salaj