Prindërit – burim i frymëzimit, mbështetja ime e vazhdueshme morale e financiare

Nuk e di nëse e zgjodha unë mjekësinë apo ajo vetë më zgjodhi mua?! Prej fëmijërisë së hershme e shihja veten që kisha dëshirë t’u ndihmoja njerëzve dhe kur erdhi momenti për të zgjedhur rrugën e së ardhmes sime, nuk e pata shumë vështirë për të vendosur, sepse nuk e kisha menduar asnjë opsion tjetër të mundshëm përveç profesionit human të mjekut

Koha javore: Kush është Blerita Gjonoviq – Arbneshi?
B. Arbneshi:
Unë jam Blerita Gjonoviq – Arbneshi, me profesion jam mjeke, specialiste e sëmundjeve infektive. Jam bashkëshorte, nënë e dy vajzave – Deas dhe Borës. Kam lindur dhe jam rritur në Blacë, Krajë, në një familje (tradicionale) nga dy prindër të mrekullueshëm – babai Saiti, tash i ndjerë, me profesion ekonomist, dhe nëna Sulltana, një amvise shumë punëtore, me motrën dhe vëllaun si dhe me gjyshërit, edhe ata tashmë të ndjerë.
Katër klasa të shkollës fillore i kam përfunduar në Bobosht, ndërsa klasat e larta të fillores në shkollën qendrore në Ostros, me sukses të shkëlqyeshëm. Pastaj kam vijuar shkollën e mesme në Ulqin – drejtimi i përgjithshëm. Pas përfundimit të shkollës së mesme, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm, i vazhdova studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë – dega Mjekësi e Përgjithshme. Jetoj në Ulqin.

Koha javore: Kur i keni filluar studimet dhe çfarë ju ka shtyrë të zgjidhni mjekësinë?
B. Arbneshi:
Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë e kam regjistruar më 18 korrik 2008 dhe e kam përfunduar, si për koincidencë, po më 18 korrik 2014, fiks pas 6 vitesh.
Nuk e di nëse e zgjodha unë mjekësinë apo ajo vetë më zgjodhi mua?! Prej fëmijërisë së hershme e shihja veten që kisha dëshirë t’u ndihmoja njerëzve dhe kur erdhi momenti për të zgjedhur rrugën e së ardhmes sime, nuk e pata shumë vështirë për të vendosur, sepse nuk e kisha menduar asnjë opsion tjetër të mundshëm përveç profesionit human të mjekut. Dëshira për të shërbyer dhe ndihmuar njerëzit kur ata kanë më së shumti nevojë, pa dyshim ishte shtysa kryesore përse zgjodha mjekësinë, këtë profesion sa human e fisnik, aq edhe të ngarkuar, i cili do shumë përkushtim, përgjegjësi, orare të gjata të punës si dhe dije dhe edukim të vazhdueshëm.
Por gjithsesi, ajo që të përmbushë dhe të jep vullnet për të punuar janë pacientët, duke arritur t’i ndihmosh në përmirësimin dhe tejkalimin e sfidave të tyre shëndetësore.

Koha javore: Çfarë mund të na thoni për periudhën e studimeve dhe përshtatjen në mjedisin e ri?
B. Arbneshi:
Mund të them me plot gojë se vitet studentore ishin një periudhë e veçantë e jetës sime. Shkuarja nga një qytet i vogël si Ulqini në një tjetër qytet, por shumë më të madh, siç është Prishtina, pa familje, por me një rreth shumë të vogël të shoqërisë me të cilët i filluam studimet bashkë, ishte një tranzicion që donte kohë për t’u përshtatur. Por çuditërisht, Prishtina më ofroi një ngrohtësi që s’e kisha paramenduar asnjëherë. Edhe pse e re në moshë, në një vend të ri për mua, u adaptova shumë shpejt. Krijova shumë shoqëri e miq, me të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të mbajmë kontakte dhe të takohemi.
Ato vite, sa ishin të bukura, ishin po ashtu edhe shumë të ngarkuara me angazhime në fakultet, me ligjërata e ushtrime, pastaj mësimet vazhdonin deri në orët e vona të natës, të përcjella nga stresi dhe ngarkesat emocionale para afatit të provimeve etj. Por gjithsesi, të gjitha këto momente kishin peshën dhe kënaqësinë e vet që tash i kujtoj me shumë nostalgji.

Koha javore: Me sa jemi në dijeni, ju jeni femra e parë mjeke nga Kraja?
B. Arbneshi:
Po, është e vërtetë. Unë jam femra e parë mjeke nga Kraja, por fatmirësisht jo e vetmja. Tash ka edhe shumë femra të tjera nga Kraja të cilat po studiojnë mjekësinë, shumë tjera që e kanë përfunduar dhe punojnë si mjeke apo edhe janë duke i vazhduar specializimet. Më gëzon shumë ky fakt, sepse në këtë mënyrë jemi edhe “më të forta”, po them figurativisht, duke qenë mbështetëse dhe bashkëpunuese, si për të mirën tonë e po ashtu për të mirën e pacientëve, sidomos të trevave tona.

Koha javore: Kush ka qenë mbështetja më e madhe gjatë rrugëtimit tuaj, derisa u bëtë mjeke?
B. Arbneshi:
Pa dyshim, mbështetja ime më e madhe ka qenë familja ime. Pa ata unë nuk do të isha kjo që jam sot. Prindërit e mi ishin burim i frymëzimit, mbështetja ime e vazhdueshme morale e financiare. Atyre u detyrohem dhe u përkulem sa të kem jetë! Ata sakrifikuan shumë, punuan fort që të më mundësojnë mua si dhe motrës dhe vëllaut të shkollohemi dhe të krijojmë karrierat tona. Prindërit tanë kanë sakrifikuar shumë nga jeta e tyre për të na shkolluar.

Koha javore: Pas përfundimit të praktikës, ku jeni punësuar?
B. Arbneshi:
Menjëherë pas përfundimit të stazhit praktik, jam punësuar në Qendrën e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore në Tivar, ku kam punuar për tre vite.

Koha javore: Ju nuk u kënaqët me mjeken e praktikës së përgjithshme, por e vazhduat specializimin për infektologji. Ku e keni kryer specializimin?
B. Arbneshi:
Dëshira ime e madhe dhe e vazhdushme për t’u ngritur në profesion (specializimi) në lëmin e sëmundjeve ngjitëse m’u realizua dhe fitova specializimin në fjalë. Atë e kam kryer në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë. (Kosovë)

Koha javore: Sa ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj deri te specializimi, duke marrë parasysh faktin se jeni familjare, bashkëshorte – nënë e dy fëmijëve? Ku e gjetur mbështetjen më të madhe në këtë drejtim?
B. Arbneshi:
Periudha e specializimit nuk ka qenë fare e lehtë për vetë faktin që e përmendët edhe ju, pasi në atë kohë isha edhe bashkëshorte, edhe nënë. Duhej përsëri të largohesha nga shtëpia për një periudhë katërvjeçare, por kësaj here edhe me dy fëmijë të vegjël pasi që bashkëshorti ishte në marrëdhënie pune dhe nuk mund të na bashkëngjitej. Por përkrahja e tij nuk ka munguar asnjë moment.
Kjo periudhë ka qënë goxha shumë e ngarkuar për mua, por mbështetja dhe ndihma e vazhdueshme e bashkëshortit si dhe e prindërve të mi, ma ka lehtësuar shumë e me plot gojë mund të them se pa përkrahjen dhe ndihmën e tyre, e gjithë kjo do të kishte qenë e pamundur.
Falënderoj po ashtu edhe familjen e bashkëshortit, që po ashtu më ka mbështetur vazhdimisht.

Koha javore: Më parë thamë se jeni mjekja e parë nga Kraja, tani edhe specialiste ifektologe e parë shqiptare në Malin e Zi?
B. Arbneshi:
Po, e vërtetë. Me sa unë kam informacion, nuk di ndonjë mjeke specialiste shqiptare infektologe në Malin e Zi!

Koha javore: Sa kohë ka që punoni në Spitalin Rajonal të Tivarit, ku jeni e vetmja infektologe në këtë institucion shëndetësor?
B. Arbneshi:
Po, në Spitalin Rajonal të Tivarit punoj prej vitit 2019, kur kam filluar edhe specializimin nga lëmia e sëmundjeve ngjitëse, edhe pse shumicën e kësaj kohe kam qenë në Klinikën Infektive në Kosovë, përveç gjatë kohës së Pandemisë Covid 19 që jam kthyer të punoj si specializante në Spitalin Rajonal të Tivarit për disa muaj.
Kurse prej tetorit 2025 jam duke punuar si specialiste e sëmundjeve infektive, si e vetmja infektologe në këtë spital.

Koha javore: Doktoreshë Blerita, nëse keni për të thënë diçka tjetër që nuk ju kam pyetur për lexuesit e së përjavshmes “Koha javore”, në mënyrë që portreti juaj të jetë sa më i plotë?
B. Arbneshi:
Mendoj se përmes pyetjeve tuaja arrita të përshkruaj në përgjithësi jetën time personale, ashtu edhe profesionale. Ju falënderoj sinqerisht juve dhe redaksinë e revistës për ftesën dhe mundësinë për të qenë pjesë e kësaj interviste.
Ju uroj shëndet dhe shumë suksese të mëtejshme në punën tuaj.

Koha javore: Urime për punën tuaj humane! Suksesi e mbarësia ju përcjelltë në jetë dhe në karierë!
B. Arbneshi:
Faleminderit!

Bisedoi: Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat