Nga auditorët e universitetit te shërbimi në Malësi

Rudina Gilaj i filloi studimet për mjekësi në Tiranë në vitin 2018 dhe i përfundoi në vitin 2024. Ajo tashmë ka kryer praktikën e aftësimit profesional në Podgoricë dhe Tuz, ku ka përjetuar mbështetje dhe motivim nga pacientët. Si mjeke e re nga Malësia, ajo aspiron të japë kontribut në komunitetin e saj dhe synon të rritet profesionalisht çdo vit

Koha javore: Rudina, në cilin vit keni filluar studimet për mjekësi dhe çfarë ju shtyu të zgjidhni pikërisht këtë degë?
R. Gilaj:
Studimet për mjekësi i kam filluar në vitin 2018 dhe i kam përfunduar në vitin 2024. Zgjedhja e kësaj dege ka ardhur nga një kombinim faktorësh: kurioziteti për dije, dëshira për të kontribuar në shërbim të njerëzimit dhe ndjenja e përgjegjësisë për komunitetin tim.
Një moment i rëndësishëm që ka ndikuar që unë të studioj mjekësinë ishte doktor Lukë Gjokaj, të cilin një ditë në një orë të gjuhës shqipe e patëm të ftuar. Gjatë kësaj ore, si njësi mësimore kishim temën ”Këshillat e specialistit”, ku ai foli me shumë pasion për profesionin e mjekut. Pra, ajo ditë ka qenë vendimtare për rrugëtimin tim drejt hapave në fushën e shkencës së mjekësisë.

Koha javore: Si ishte përvoja juaj gjatë studimeve dhe përshtatja me mjedisin universitar? Cilin moment do të veçonit si më të rëndësishëm?
R. Gilaj:
Fillimi nuk ka qenë i lehtë, pasi përballja me një volum të madh materiali në periudha të shkurtra kohore kërkonte shumë përkushtim dhe disiplinë. Megjithatë, pasioni dhe mbështetja e të afërmve më ndihmuan të tejkaloja çdo sfidë. Ndër momentet më të veçanta të studimeve do të veçoja asistimin për herë të parë në një ndërhyrje kirurgjikale. Ishte një përvojë që më dha emocion të jashtëzakonshëm dhe një frymëzim edhe më të fuqishëm, i cili më konfirmoi se vërtet kisha zgjedhur rrugën e duhur.

Koha javore: Kush ka qenë mbështetja juaj më e madhe gjatë këtij rrugëtimi dhe çfarë mesazhi do t’u jepni të rinjve që synojnë mjekësinë?
R. Gilaj:
Mbështetja ime më e madhe ka qenë familja, të cilët i kam pasur pranë gjithmonë në çdo moment, por edhe miqtë dhe kolegët e fakultetit me të cilët kemi kaluar së bashku sfida të shumta. Nuk mund të lë pa përmendur as përkrahjen që kam marrë nga bashkatdhetarët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Mesazhi im për të rinjtë është që të mos tremben nga sakrificat që kërkon mjekësia, të pyesin sa më shumë dhe të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë, sepse në fund të fundit qëllimi, misioni i gjithë mjekëve është i njëjtë.
Vërtet është një rrugë e gjatë dhe sfiduese, por shpërblimi është i paçmueshëm.

Koha javore: Ku e keni kryer praktikën e aftësimit profesional dhe çfarë përvoje të veçantë keni marrë prej saj?
R. Gilaj:
Pas përfundimit të studimeve u ktheva në Mal të Zi, ku zhvillova praktikën profesionale në disa reparte të spitalit në Podgoricë, pastaj edhe në Shtëpinë e Shëndetit në Tuz. Përvoja më e veçantë ka qenë pikërisht në Tuz, ku u ndjeva jashtëzakonisht e përkrahur jo vetëm nga stafi me të cilët unë punoja, por edhe nga pacientët. Buzëqeshjet dhe fjalët e tyre inkurajuese më dhanë bindjen se gjithë përkushtimi, sakrificat dhe sfidat e ndryshme gjatë këtyre viteve studimi për këtë profesion, vërtet ia vlejnë.

Koha javore: Në Malësi shpesh përmendet mungesa e mjekëve të rinj. Si e shihni këtë realitet dhe sa e rëndësishme është që brezi juaj të punojë në vendlindje?
R. Gilaj:
Është e vërtetë që mungesa e mjekëve të rinj ka qenë një lloj sfide për qytetarët tanë, por unë besoj se situata po ndryshon gradualisht në mënyrë pozitive, e sidomos në Malësi ku dita-ditës fatmirësisht numri i manteleve të bardha po shtohet. Brezi i ri i profesionistëve, nëse zgjedh të japë kontribut në vendlindje, mund të sjellë ndryshimin e nevojshëm, qoftë në kushte më cilësore për edukim, qoftë në shërbime shëndetësore më të mira. Për këtë nevojitet vizion afatgjatë, përkushtim, durim dhe pse jo më shumë dashuri për zhvillimin dhe përparimin e vendit të vet.

Koha javore: Ku aspironi të jepni kontributin tuaj si mjeke e përgjithshme dhe cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
R. Gilaj:
Si fillim, aspirata ime është të punoj në Tuz, në mënyrë që të jap kontributin tim për komunitetin tim të afërt. Më pas, çfarëdo specializimi të zgjedh, synimi im është të bëhem ndër më të mirat në atë fushë dhe t’i ndihmoj secilit që ka nevojë. E konsideroj thelbësore të mos harroj kurrë se profesioni im, mbi të gjitha, ka për mision ndihmën ndaj njerëzve, sidomos ndaj bashkëvendësve të mi.

Koha javore: Çfarë ëndërroni për të ardhmen tuaj profesionale pas disa vitesh?
R. Gilaj:
Mjekësia është një profesion që nuk njeh kufij në dije. Sa më shumë të mësosh, aq më shumë kupton se ka ende për të zbuluar. Ëndrra ime është të rris vazhdimisht nivelin profesional, të angazhohem në kërkime shkencore dhe të sjell risi që përmirësojnë shëndetin e njerëzve. Ambicia ime është që çdo vit të jem një mjeke më e mirë se vitin e kaluar, me më shumë pasion për njohuri dhe me më shumë vullnet për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat