Nga auditorët drejt një përgjegjësietë madhe

Antoneta Gjokaj nga Malësia është një studente e zellshme dhe e përkushtuar. Pas përfundimit me rezultate të larta të shkollës së mesme, nisi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, ku gjatë rrugës ka marrë disa njohje dhe çmime për përpjekjet e saj. Tani, shumë pranë diplomimit, ajo është e vendosur të ushtrojë profesionin e mjekes me pasion dhe të kontribuojë në vendlindjen e saj

Koha javore: Antoneta, fillimisht a mund të na thuash, si e kujton veten në shkollën fillore dhe të mesme?
A. Gjokaj:
Pavarësisht se ajo periudhë kohore përfshin dy të tretat e shkollimit tim, sot e shoh veten mjaft ndryshe nga atëherë. Ishte koha kur mundësia përputhej me qejfin për shkencat tjera natyrore, për letërsinë, për artin, për historinë dhe mundohesha të jem e gjithanshme. Gjithsesi, dëshira për mjekësi ishte e mbjellë tek unë që në ato kohë dhe çdo vit e më shumë edhe iu përkushtova përgatitjes për të marrë këtë profesion.

Koha javore: Pse vendose të ndjekësh pikërisht mjekësinë?
A. Gjokaj:
Mjekësia më ka tërhequr që para shumë kohësh për dy karakteristikat themelore të saj, për mua të mahnitshme: së pari, si një shkencë e tërë mbi qenien më të sofistikuar të natyrës; dhe së dyti, si një profesion human, për të cilin bota ka shumë etje. Gjatë studimeve, fjalët që i kam dëgjuar shpesh nga kolegët më të vjetër dhe profesorët – e që ndoshta më së bukuri e sqarojnë edhe përzgjedhjen time – janë se mjekësinë ne e përjetojmë jo vetëm si profesion, por si thirrje, dhe se e ndiejmë sikur ajo na ka zgjedhur ne, e jo ne atë.

Koha javore: Cila ka qenë sfida më e madhe gjatë studimeve?
A. Gjokaj:
Me të filluar studimet, mund të them se jeta ime mori një pamje tjetër; ndryshoi rrënjësisht lista e prioriteteve dhe më duhej të adaptohesha shpejt me të gjitha. E gjeta veten në një ambient të ri, duke komunikuar në gjuhën joamtare me persona të panjohur. 24 orët e ditës filluan të duken aq të pamjaftueshme, saqë duhej sakrifikuar gjumi dhe pushimi për t’i lënë më shumë kohë mësimit. Disi fillova e bëra këtë stil jete si diçka të zakonshme, por qëndresa në këtë ritëm të ri ishte sfidë gjatë gjithë kohës. Mirëpo, sfidat nuk duhen të shihen si pengesa, por si shkallë tatëpjetë: nuk është e lehtë të ngjitesh, por pa to nuk arrin dot në majë.

Koha javore: Ka pasur ndonjë moment kur ke dyshuar te vetja?
A. Gjokaj:
Si çdo gjë me vlerë në jetë, ashtu edhe rruga drejt suksesit vjen me baticat dhe zbaticat e veta. Ka ndodhur ndonjëherë që të më duket e pamundur të mësoj dhe zotëroj një mori aq të madhe informatash, por ajo ndjesi kurrë nuk ishte e mjaftueshme të më ndalojë të jap maksimumin. Gjithsesi, mendoj se sidomos në fushën e mjekësisë, një dozë e vogël dyshimi është më pak e dëmshme sesa një dozë e tepërt vetëbesimi.

Koha javore: Sa të rëndësishëm i sheh mjekët në një vend si Malësia, ku kjo fushë është ende deficitare?
A. Gjokaj:
Mungesa për mjekë ndihet në çdo cep të botës dhe, duke parë se sa e thellë dhe e pafund duket fusha e mjekësisë, kjo mungesë vështirë se do mund të shuhet ndonjëherë. Fatkeqësisht, gjërave të mëdha ua dimë vlerën e plotë vetëm kur nuk i kemi më, e pikërisht mendoj se Malësia, mu për këtë arsye, e ndien edhe shumë këtë mungesë. Më gëzon fakti që kohën e fundit degëve të mjekësisë po u drejtohen më shumë të rinj malësorë dhe shpresoj se do e praktikojnë dhe jetësojnë qëllimin human me të cilin e filluan udhëtimin.

Koha javore: Pas diplomimit, që është fare pranë, ku synon të kontribuosh si mjeke – në vendlindje apo diku tjetër?
A. Gjokaj:
Për vend të punës konkretisht në fillim nuk është se do mund të bëj përzgjedhje vetë; sistemi i dirigjon ato, duke llogaritur se në cilën qendër është mungesa më e madhe për mjekë. Gjithsesi, nuk kam synim t’i largohem vendlindjes, vetëm ndonjëherë përkohësisht, në rast se më jepet mundësia për ndonjë aftësim të specializuar, të cilin do doja pastaj ta aplikoj këtu.

Koha javore: Si je përtej studimeve – çfarë të përmbush në kohën tënde të lirë?
A. Gjokaj:
Nuk është se studimet kanë qenë aq të mëshirshme që të më japin mjaft kohë të lirë, por prapëseprapë më kanë mësuar se në thjeshtësi dhe në gjërat e zakonshme gjendet ajo çfarë na përmbush më së shumti. Të ndash një kohë për biseda të bukura me familjarët dhe të afërmit, të dëgjosh këngë të bukura, një shëtitje në natyrë duke shijuar mrekullitë e saj përreth, një freskim nga aktiviteti fizik – janë pak a shumë ato që gjithmonë ia kanë arritur të më bëjnë të lumtur.Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat