Koha javore: Z. Haxhi, si e keni përjetuar dhe çfarë domethënieje ka për ju fitorja e vendit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Sarajevë, të mbajtur nga 30 korriku deri më 3 gusht 2025, ku ishit përfaqësuesit e vetëm nga Malësia dhe Mali i Zi, mes mbi dyqind pjesëmarrësve nga shtatë shtete?
E. Haxhi: Kjo fitore për ne ishte një emocion i jashtëzakonshëm dhe një moment historik.
Të jesh i vetmi përfaqësues nga Malësia dhe Mali i Zi në një ngjarje të tillë madhështore, dhe të dalësh fitues përballë qindra pjesëmarrësve nga shtete me tradita të thella folklorike, është krenari e madhe. Kemi ndier peshën e përgjegjësisë, por edhe gëzimin që puna dhe përkushtimi shumëvjeçar u vlerësuan në një skenë ndërkombëtare.
Koha javore: Cili ishte, sipas jush, elementi që e veçoi grupin tuaj nga pjesëmarrësit e tjerë në këtë festival ndërkombëtar?
E. Haxhi: Mendoj se origjinaliteti, energjia dhe përkushtimi ynë i sinqertë për të përcjellë shpirtin e traditës sonë ishin faktorët kryesorë. Ne kemi një stil unik që kombinon autenticitetin me disiplinën skenike. Koreografitë tona nuk ishin thjesht vetëm valle, por ishin tregime përmes lëvizjes që prekën zemrat e publikut dhe jurisë.
Koha javore: Kjo fitore vjen si një kurorëzim i punës suaj shumëvjeçare. Çfarë përfaqëson ajo për historikun dhe misionin e Shoqatës që nga themelimi në vitin 1946?
E. Haxhi: Që nga ajo kohë kur është themeluar, misioni i shoqatës sonë ka qenë ruajtja, kultivimi dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore.
Fitorja në Sarajevë është një kurorëzim i këtij udhëtimi të gjatë. Ajo e forcon ndjenjën tonë të vazhdimësisë dhe na motivon të ecim përpara edhe me më shumë përkushtim.
Koha javore: Duke qenë një shoqatë shumetnike që promovon kulturën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mal të Zi, si e shihni këtë fitore, si një vlerësim artistik apo edhe si një mesazh simbolik për bashkëjetesën kulturore?
E. Haxhi: Kjo fitore është shumë më tepër se një vlerësim artistik. Ajo është një mesazh i fuqishëm se kultura është ura më e mirë që i lidh njerëzit, përtej dallimeve etnike apo gjuhësore. Ne kemi anëtarë nga komunitete të ndryshme dhe kjo na bën më të pasur. Fitoret tona janë fitore të bashkëjetesës, të respektit dhe të harmonisë që duam të promovojmë në shoqërinë tonë.
Koha javore: Të tri koreografitë me të cilat u paraqitët në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Sarajevë u shpallën si më të mirat e festivalit, në konkurrencë me grupe nga Bullgaria, Turqia, Qiproja, Polonia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina. Çfarë peshe ka ky vlerësim për ju si trupë artistike?
E. Haxhi: Ky është një vlerësim që rrallë ndodh. Të gjitha koreografitë tona të shpallen më të mirat ndër mbi 12 grupe është një sinjal i qartë se jemi në rrugën e duhur. Ky vlerësim i jep rëndësi jo vetëm interpretimit tonë, por edhe gjithë atyre që punojnë prapa skene, koreografëve, mjeshtërve të kostumeve dhe vetë komunitetit që na përkrah pa kushte.
Koha javore: Ndërkohë, një djalosh nga grupi juaj fitoi titullin e djalit më të bukur në veshje kombëtare, ndërsa një vajzë anëtare e Shoqatës u rendit e dyta si vajza më e bukur, sipas votave të publikut në rrjetet sociale. Si i përjetuat këto vlerësime individuale dhe çfarë tregojnë ato për imazhin që përcjell grupi juaj edhe jashtë skenës?
E. Haxhi: Vlerësimet individuale janë tregues i asaj që grupi ynë nuk është thjesht një trupë valltarësh. Është një përfaqësim i dinjitetit, elegancës dhe krenarisë kombëtare. Të rinjtë tanë kanë ditur të përcjellin me hijeshi jo vetëm bukurinë e kostumeve tradicionale, por edhe shpirtin tonë si komunitet. Këto çmime janë vërtetim se ne frymëzojmë edhe jashtë skenës.
Bisedoi: Toni Ujkaj
