Koha Javore: Fillimisht të njihemi me organizatën “Animals Need Me “ si lindi si ide ?
I. Sala: Në vitin 2014, u bë e mundur krijimi i strukturës së Animals Need Me në Shkodrën e cila është e para strukturë në Shqipëri në ndihmë të kafshëve të pastrehë me mision të qartë e të pastër ku vetëm me punë dhe kontribut vullnetar ende sot e kësaj ditë pret dhe shpëton një numër prej 70-90qe endacakë në vit..
Prej ditëve të para dhe ende sot që menaxhoj ANM, shërbimi im ndaj qenve e maceve të pastreha është një detyrë të cilën e mendoj si të përhershme jo vetëm në kujdesin ndaj tyre po edhe në edukimin e një modeli sjelljeje në banorët e qytetit tim për pranimin dhe bashkëjetesën me çdo gjë të gjallë që kemi fatin të kemi përreth.
Koha Javore: Çfarë keni mësuar nga të qenurit vullnetarë tek A.N.ME?
I. Sala: Nga të qenit pjesë e grupimit vullnetar ANM kam mësuar se me dëshirën e mirë dhe me përpjekjet e duhura mund të ndryshojmë realitetin e shumë qenieve të pambrojtura. Vullnetarizmi në vetvete duhet të jete pjesë e çdo segmenti të jetës,qoftë kujdesi për kafshët në rastin tim apo për njerëzit,per natyrën e çdo te mirë që planeti ynë na ofron. Vullnetarizmi në ANM me ka mësuar gjithashtu që jo përherë mund të ndjejmë përmbushjen vetjake si individ nga gjërat apo punët e pagueshme pasi ka kënaqësi në jetë që të jepen falas dhe është pikërisht ky sodisfaksion që asnjë e mirë materiale nuk do e zëvendësonte dot.
Koha Javore: Sa të lidhur jeni me kafshët që keni aty , dhe si ndiheni në momentin kur ndaheni nga ata qoftë kur ata adoptohen ose edhe në rastet tilla kur për fat të keq ata nuk arrijnë të fitojnë luftën si pasojë e keqtrajtimit apo aksidentit ?
I. Sala: Marrëdhënia ime me kafshët është shumë e afërt, e dhe si në rastet e gëzuara të shpëtimeve dhe adoptimeve të lumtura në familje ashtu edhe në rastet e humbjeve të tyre, emocionet janë shumë të mëdha.
Për mua arritja më e madhe është fundi i lumtur për qentë e macet që çdo ditë shpëtojmë dhe njëkohësisht dhimbja më e rënde kur i humbas apo kur luftojmë fort deri në sekondat e fundit dhe nuk ja dalim dot. Në të dy rastet duke qenë e ndjeshme ndaj tyre unë qaj… Ndjehem e pafuqishme për të mbajtur brenda emocionet e mia pasi kjo është përditshmëria ime dhe ata zënë një pjesë të rëndësishme në zemrën dhe jetën time për t’u zgjuar në mëngjes, sepse një i pashpresë po pret për t’i dhëne kurajo, ndihmë, frymë mbase.
Koha Javore: A mendoni se shteti duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi kafshëve endacakë , ndoshta të krijojë hapësira të tjerat strehim?
I. Sala: Po, mendoj që ndihma nga Shteti duhet të jetë parësore në zgjidhjen e problematikave të kafshëve endacake… Ajo që ne përherë propozojmë dhe synojmë, është që të ketë një bashkëpunim dypalësh mes shtetit dhe organizatave vullnetare për të pasur efikasitet në frenimin e fenomenit të endacakëve.
Parësore sot për sot është edukimi i masës se popullsisë për mosbraktisjen e kafshëve të tyre dhe sterilizimi i tyre për të minimizuar numrin e të pastrehëve.
Unë mendoj se kur të jemi në rrugën e duhur për zgjidhjen e këtyre probleme atëherë mund të pretendojmë krijimin e strehëve për ato kafshe që kanë mbetur në rrugë që të kenë një jetesë më të mirë dhe t’ju jepet një shansë për të pasur një familje.
Koha Javore: Po qytetaret sa të ndërgjuhësor janë? A kanë interes të mjaftueshëm të ju vin në ndihmë edhe ju si organizatë?
I. Sala: Unë mendoj që puna që kemi bërë ndër vite ka pasur impakt në mendësinë e qytetarëve. Po flas për Shkodrën, meqë se bazën e kemi këtu.. Gjatë këtyre viteve ne kemi punuar shumë ne edukimin e popullsisë përmes bashkëbisedimeve në panairet informative që kemi bërë në qytet, apo takimet sensibilizuese në shkolla. Gjithashtu kemi organizuar fushata të shumta sterilizimesh, një pjesë në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe një pjesë përmes lidhjeve me organizata të huaja që kanë ardhur në Shkodër.
Pak nga pak është rritur interesi e dëshira për të ndihmuar dhe adoptuar kafshë, po kemi ende shumë punë për është përpara sepse të ndryshosh një mentalitet nuk është e lehtë. Ne përpiqemi që ne brezat me të rinj të edukojmë një sjellje ndryshe por mosha e prindërve dhe gjyshërve tonë ende mendojnë se qeni duhet mbajtur i lidhur për roje për të paktën 10-15vitet që jeton në një familje. Është pikërisht kjo kategori më e vështira për t’u ndërgjegjësuar dhe me problematikja në edukimin e te rinjve sepse bazat ata sigurisht do i marrin në familje.
Koha Javore: Me çfarë problemesh jeni hasur më shpesh gjatë punës suaj si aktiviste tek a.n.me ?
I. Sala: Kur merresh me kafshë, problemet janë të shumta. Që të kujdesesh si duhet për ta, duhet t’i krijosh kushtet e duhura për një jetese optimale deri ne momentin qe adoptohen. Një ndër vështirësitë kryesore është numri i reduktuar i vullnetareve pasi vizitore vijnë, por streha ka nevojë për shërbim çdo dite… Streha nuk njeh dite pushimi, sepse qentë duhet të hane, pastrohen e mjekohen çdo dite prandaj dhe sigurimi i vullnetareve aktiv e permanent është i vështirë. Përgjegjësia për to nuk mund të jetë një ditë apo një muaj, por duhet të jetë një zotim për kujdes të përhershëm.
Një tjetër vështirësi është sigurimi i te ardhurave për të përmbushur nevojat bazike duke qenë se Animals Need më funksionon vetëm mbi baza vullnetare kjo është një problematikë e zakonshme, sidomos kur rastet e qenve të sëmurë apo te aksidentuar shtohen dita ditës.
Pastaj është përballja me qytetarët jo kafshëdashës qe paragjykojnë punën tonë të përditshme dhe propozojnë zgjidhje jo humane si vrasja apo zhdukja e kafshëve prej qytetit a thua se ishte faji i tyre që janë ne rruge.
Koha Javore: Sipas jush, pse të adoptojmë një maçë apo qenë në vend që ta blejmë?
I. Sala: Fatkeqësisht mund te them qe nuk aprovoj e as mbështes nismat e blerjes se kafshëve nga pet-shopet në Shqipëri pasi sot për sot kemi plot qenë e mace në rrugët e qyteteve tona, të cilave do ju bënim një nder të madh po t’i hiqnim nga rruga. Në këtë mënyrë jo vetëm kemi shpëtuar një jetë, por edhe kemi dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në uljen e numrit të të pastrehëve. Gjithashtu, duke mos pasur rregullat e duhura të mirëmbajtjes e as ligje për mbrojtjen e kafshëve në Shqipëri kemi hasur në raste abuzueses ndaj tyre. Në botë ka institucione specifike që merren me shtimin e racave dhe çdo gjë bëhet me rregulla, kështu që për aq kohë sa ne s’ kemi arritur ende ketë standard, nuk mbështes dot shitjen e kafshëve para adoptimit të tyre.
Bisedoi Donika Lulgjuraj