Koha javore: Andrea, viti 2025 ishte shumë i suksesshëm për ty dhe kulmin e arritjes e shënuat në fund të dhjetorit të vitit që po lëmë pas, kur u shpërbleve si sportistja më e mirë e Malit të Zi për vitin 2025 nga Komiteti Olimpik. Çfarë kuptimi ka ky çmim për ty dhe si e përjetove këtë moment?
A. Berishaj: Ky çmim ka një kuptim të veçantë për mua, sepse të shpallesh sportistja më e mirë e shtetit është një arritje e jashtëzakonshme. Ndoshta dikur kam ëndërruar si fëmijë që një ditë të arrija edhe unë në mes të elitës së sportistëve dhe ata i shikoja si idhuj, mirëpo tash kur e fitova unë këtë çmim si 18-vjeçare dhe sportistja më e re në Mal të Zi me këtë çmim, e ndiej veten shumë krenare dhe jam e gëzuar, sepse ky çmim nuk është vetëm një mirënjohje e rezultateve të mia, por është prova më e mirë se puna dhe djersët tani kanë kuptim dhe ato janë pjesë e rrugës nëse dëshironi të jeni të suksesshëm si në sport, ashtu edhe në jetë. Sidomos jam e gëzuar, sepse mendoj se edhe shumë bashkëvendës të mi i kam bërë krenarë me arritjet e mia.
Koha javore: Na trego pak për fillimet e tua, kur kuptove që duhej të merreshe seriozisht me taekwondonë dhe si nisi rrugëtimi yt drejt garave ndërkombëtare?
A. Berishaj: Unë fillova të ushtroj taekwondonë që në moshën 7-vjeçare, në Klubin “Besa” te trajneri Nikollë Gegaj, i cili na e ka përcjellë dashurinë për këtë sport. Pak nga pak, duke kaluar kohë në shoqërim dhe argëtim, ky sport filloi të jetë diçka më shumë se një hobi. Mbasi që filluan rezultatet e para, edhe ky sport u bë pjesë e jetës sime, sepse nisa të besoj në veten se me punë të madhe dhe përkushtim mund të arrija suksese të larta. Dhe kështu, pranë motrës sime Angjellës, e cila ishte më e vjetër dhe më e suksesshme, fillova edhe unë vit pas viti me rezultate të mira çdo vit, duke filluar edhe në gara ndërkombëtare.
Koha javore: Gjatë vitit 2025 u shpërbleve edhe me medalje në Kampionatin Evropian për seniorë dhe në Kampionatin Botëror për të rinj deri në 21 vjeç. Çfarë ka pasur më domethënëse për ty në këto arritje?
A. Berishaj: Së pari, mora pjesë në Kampionatin Botëror për Seniorë në Kinë, ku zura vendin e 9-të dhe isha shumë e kënaqur me këtë arritje dhe kjo paraqitje e mirë më dha vullnet që me më shumë vetëbesim të marr pjesë në Kampionatin Evropian për Seniorë në Zvicër, ku fitova vendin e tretë dhe medaljen e bronztë, që ishte për mua një arritje e jashtëzakonshme. Atëherë kuptova se mund të luftoj kundër çdo kundërshtareje në botë pa frikë dhe se kam arritur një nivel të lartë në këtë sport.
Këtë e demonstrova edhe në Kampionatin Botëror për Seniorë deri në 21 vjeç në Kenia (Afrikë), si edhe në Kampionatin Evropian për Seniorë deri në 21 vjeç në Prishtinë, ku arrita përsëri të fitoj dy medalje të bronzta. Me këto suksese u rendita ndër sportistet më të mira në shtet.
Koha javore: Taekwondo kërkon disiplinë të madhe. Si duket rutina jote e përditshme, nga stërvitjet intensive deri te përgatitjet psikologjike para garave?
A. Berishaj: Taekwondo kërkon shumë punë, dedikim dhe disiplinë nëse dëshironi të merreni me këtë sport në mënyrë profesionale. Çdo ditë filloj me ushtrime të mëngjesit në orën 6, kondicion me teknikë. Pas shkollës, nga ora 14 kam ushtrimin për kondicion me trajnerin personal dhe në fund, në mbrëmje nga ora 20 deri në 22 kam stërvitjen e teknikës së luftës. Nuk është lehtë, mirëpo ky është një pasion për mua dhe mezi pres çdo stërvitje, sepse vetëm kështu mund të bëhem më e mirë.
Para garave relaksohem me muzikë dhe duke menduar pozitivisht, sepse në çdo garë duhet të hyni me vetëbesim se ai tatami ku bëhet lufta është mbretëria juaj dhe ju duhet ta zotëroni atë vend.
Koha javore: Cila ka qenë sfida më e madhe që ke pasur deri tani dhe si e ke tejkaluar?
A. Berishaj: Sfida më e madhe ka qenë vitin e kaluar kur ende isha juniore, mirëpo desha të garoj edhe në konkurrencën e senioreve, sepse desha ta zhduk sa më parë atë frikë të cilën e kisha nga kundërshtaret më të vjetra, më të njohura e me përvojë më shumë se unë. Dhe jo vetëm se arrita ta mbaroj vitin si juniorja më e mirë në ranglistën evropiane, duke fituar vendin e parë dhe medaljen e artë në turneun më prestigjioz Grand Prix Europe, por edhe në seniorë arrita të fitoj medaljet e para dhe kjo gjë më shtyu që të vazhdoj edhe me më shumë vullnet.
Koha javore: Kush ose çfarë të ka inspiruar më shumë në rrugëtimin tënd? Si ka ndikuar familja, veçanërisht motra Angjella, dhe trajnerët në arritjet e tua?
A. Berishaj: Familja është ajo e cila më shtyn gjithmonë përpara. Pa mbështetje të familjes, jo vetëm financiare por edhe në mënyrë të përkrahjes morale, nuk do të ekzistoja as unë si sportiste e suksesshme. Familja më shtyn përpara duke besuar në mua ndoshta edhe kur askush nuk ka besuar, sidomos motra ime Angjella. Vullneti i saj dhe fuqia të cilën e tregoi që pas dy lëndimeve dhe operimeve të kthehet përsëri në tatami, aty ku e ka vendin me kampionet botërore. Kjo gjë më bën ta thyej çdo pengesë dhe vështirësi dhe mezi pres atë moment që së bashku vitin tjetër t’i sulmojmë rezultatet më të larta në botë.
Koha javore: Sa mbështetje institucionale ke pasur për t’i realizuar synimet e tua sportive?
A. Berishaj: Nuk kam pasur shumë mbështetje institucionale, mirëpo shpresoj se pas arritjeve të mia disa gjëra do të ndryshojnë, sepse mbështetja institucionale nevojitet në shumë aspekte. Nuk mundet familja dhe klubi sipas mundësive t’i sigurojnë të gjitha mjetet që nevojiten për ushtrime, pajisje elektronike, kampe, gara, udhëtime, hotele, suplemente, fizioterapist e të tjera. Institucionet duhet të qëndrojnë pas sportistëve të cilët i përfaqësojnë me sukses nëpër botë.
Koha javore: Çfarë objektivash ke për vitin 2026 dhe më tej? Cila është ëndrra që do të doje ta realizoje si sportiste?
A. Berishaj: Synimet e mia në vitin 2026 janë Kampionati Evropian në Gjermani dhe Lojërat e Mesdheut në Itali, ku do të mundohem përsëri të hyj në zonën e medaljeve…
Ky është vetëm fillimi…
Do të vazhdoj edhe më shumë, edhe më fort, sepse kam dëshirë të arrij edhe në Lojërat Olimpike.
Koha javore: Çfarë këshille do t’u japësh sportistëve të rinj që duan të arrijnë suksese në taekwondo dhe sporte të tjera?
A. Berishaj: Këshilla ime për sportistët e rinj do të ishte që të besojnë gjithmonë në vete dhe të mos i harrojnë kurrë ëndrrat e veta. Ëndrrat u realizohen atyre që kurrë nuk dorëzohen.
Pas çdo rënieje vjen ngritja dhe vazhdimi i rrugës drejt majës.
Bisedoi: Toni Ujkaj
