Besimtarët të përpiqen ta ndryshojnë veten në këtë muaj

Koha Javore: Imam, besimtarët e konfesionit islam ndodhen në Muajin e Ramazanit, a mund të na tregoni se çfarë rëndësie ka ky muaj i bekuar për besimtarët?
Imam Xh. Arifaj:
Muaji i Ramazanit është muaji i bekuar për myslimanët. Agjërimi i muajit të bekuar ka një qëllim të caktuar. Por, qëllimi kryesor është që njeriu t’i kthehet vetvetes, sepse njeriu gjatë vitit nganjëherë tepron në disa gjëra për shkak të mungesës së kohës, apo angazhimeve profesionale, dhe në këtë kohë Ramazani ai t’i kthehet vetvetes. Pra, pikërisht Zoti ka dashtë me zgjedhë se njeriut i duhet pak rehati edhe për shpirtin, dhe ajo shpirtërorja është pikërisht Muaji i Ramazanit, sepse njeriu i kthehet vetes, përpiqet maksimalisht që të largojë obligimet tjera, që t’i përkushtohet shpirtit të tij e jetës në raport me Zotin. Dhe kjo është devotshmëria që njeriun e bënë të mirë, respektues ndaj vetvetes, por njëkohësisht, këtë devotshmëri e reflekton edhe tek njerëzit tjerë, sepse tregon se me të vërtetë ky muaj i bekuar ka ndikuar pozitivisht në shpirtin e zemrën e tij në raport me Zotin, me vetveten dhe me të tjerët.

Koha Javore: Në këtë muaj besimtarët agjërojnë, abstenojnë nga pijet, ushqimi dhe nga veset negative. Çfarë do të thotë të agjerosh në këtë muaj?
Imam Xh. Arifaj:
Baza kryesore e agjërimit është që njeriu të abstenojë nga pijet, ushqimi dhe nga kontaktet bashkëshortore. Por, paralel me këtë, duhet të largohet edhe nga veset negative, sepse besoj se në qoftë se njeriu për një muaj largohet nga këto vese negative, kjo do të ndikojë pozitivisht dhe do të reflektojë edhe pas këtij muaji, si diçka që e ka praktikuar për një muaj dhe sigurisht kjo do t’i shërbejë edhe më gjatë dhe pozitivisht në jetën e tij. Mirëpo, agjërimi nuk do të thotë vetëm këto që i lartpërmendëm. Njeriu në qoftë se do që t’i pranohen veprat te Zoti, duhet të agjërojë edhe me shqisa të të parit, që shikimin të mos e hedh në gjëra të ndaluara, apo që e hidhërojnë Zotin. Të agjërojë me shqisa të dëgjimit, që të mos dëgjojë gjëra që janë negative e të cilat e shqetësojnë shpirtin dhe zemrën, por që as Zoti nuk është i kënaqur me to. Agjërimi verbal, duke ruajtur fjalorin e vetë, por edhe me njerëzit. Pra, të gjitha këto urdhëresa, ndalesa dhe veprime, në fund janë të barabarta me Zotin. Agjërimi me gjymtyrët e trupit, me duar dhe këmbë, që të mos veprojë gjëra të cilat Zoti i ka ndaluar. Zoti ka për qëllim që njeriun ta bëjë të devotshëm dhe i tillë bëhet kur ai me të gjithë qenien e tij e ruan veten në raport me Zotin dhe me të tjerët.

Koha Javore: Nata e Kadrit është nata më e madhe e më e shenjtë jo vetëm gjatë Muajit të Ramazanit, por e gjithë vitit. Kur bie sivjet Nata e Kadrit dhe cilat janë vlerat e kësaj nate?
Imam Xh. Arifaj:
Në fenë islame nuk kemi natë më të vlefshme se Natën e Kadrit. Këtë vit dijetarët pretendojnë se më së afërmi është nata e 27-të e muajit të bekuar, edhe pse nuk e kemi me Kuran dhe me thënie profetike të definuar këtë natë. Këtë vit nata e 27-të e muajit të bekuar bie më 17 prill. Kjo natë e ka vlerën e vet aq sa i madhi Zot në Kuranin famëlart flet, dhe një kaptinë të Kuranit e ka emërtuar me emrin, El Kader ose Caktim. Pra, Nata e Kadrit është nata e caktimit. Zoti i cakton rrisqet, mirësitë, begatitë dhe ngjarjet që të ndodhin brenda një viti për çdo njeri. Pra, ajo çfarë caktohet këtë natë, deri vitin që vjen të të njëjtës natë, nuk mund të ndryshohet, përveç ajo çfarë do Zoti. Dhe për këtë arsye kjo natë e ka marrë emrin Nata e Kadrit apo e caktimit. Zoti për këtë natë thotë se është e vlefshme për adhurim sa njëmijë muaj adhurim, që do të thotë afërsisht sa 83 vjet e katër muaj jetë. Pra, kush e ka fatin ta kalojë këtë pjesë nate në adhurim, ka fituar shpërblim te i madhi Zot sa një moshë të tij të tërë të kësaj bote. Besimtarët, ata që e kuptojnë vlerën e kësaj nate, mundohen në veçanti tekun e dhjetë netëve të fundit të muajit të bekuar, ta shfrytëzojnë në adhurim, duke qenë të bindur se në qoftë se vazhdojnë për çdo natë tekun e këtyre dhjetë netëve të fundit, do t’ia qëllojnë.

Koha Javore: Cilat janë obligimet që besimtarët duhet t’i përmbushin në këtë muaj?
Imam Xh. Arifaj:
Obligimi i parë për çdo besimtar që është me moshë të rritur, i shëndetshëm psiqikisht dhe fizikisht dhe që nuk është në udhëtim, është agjërimi. Besimtarët krahas agjërimit kanë edhe obligime të tjera nga Zoti. Ato prej Zotit janë falja e pesë kohëve brenda ditës. Nëse ka pasuri që arrit nisabin ose atë shumën e caktuar që obligohet për ndarjen e lëmoshës, ajo në ar nuk ndryshon, është afërisht 85 gramë ar. Vitin e kaluar nisabi ka qenë 5 mijë e 250 euro, dhe në qoftë se e arrin dhe e kalon këtë shumë të caktuar, ne jemi të obliguar të shpërndajmë një pjesë të pasurisë në shumën 2.5 përqind që t’u jepet të varfërve, skamnorëve, jetimëve dhe atyre që kanë nevoja të ndryshme, dhe këtë më së miri është që ta bëjnë në Muajin e bekuar të Ramazanit. Ne si besimtarë, në fund të Muajit të Ramazanit e kemi edhe sadekajfitrin, lëmoshën që jep çdo mysliman dhe myslimane për vete dhe familjarë të vet, e cila është pastrim për agjëruesit. Kjo lëmoshë zakonisht viteve të tjera ka qenë katër euro për person, që jepet nga çdo njeri që ka mundësi, kurse ata që nuk kanë mundësi, i pranojnë ato.
Ajo që besimtarët duhet të tentojnë gjatë këtij muaji në mënyrë që ta përmbushin me të vërtetë atë çfarë kërkon Zoti, është që të përpiqen ta ndryshojnë vetveten.

Koha Javore: Gjatë këtij muaji janë dy vaktet kryesore të të ushqyerit, iftari dhe syfyri? Na tregoni se çfarë konsumohet gjatë këtyre vakteve?
Imam Xh. Arifaj:
Sa i përket iftarit, aty fillon pirja dhe ngrënia e ditës që ke agjëruar, dhe agjërimi zgjat nga fillimi i mëngjesit të agimit të hershem e deri në perëndim të diellit. Sipas traditës së Profetit, kur ka filluar prishja e agjërimit ose iftari, ai ka përdorur hurmat. Traditë është tri hurma. Në qoftë se nuk ke hurma atëherë fillon me ujë, pastaj mund të hahen ushqime të tjera. Pse pikërisht hurma dhe jo ndonjë frut tjetër? Sepse pikërisht hurma ishte një frut që kishte aq kalori të fuqishme saqë ato kalori që i ke humbur brenda ditës duke agjëruar, hurma ishte ajo që më së shpejti t’i rikthente në trupin tënd. Kurse kur bëhet fjalë për syfyrin, nuk ka ushqim të caktuar, por është traditë e Profetit Muhamed që deri në sekondin e fundit të hahet dhe të pihet me ushqime dhe pije të ndryshme, zakonisht përdorën ushqime dhe pije që nuk të çojnë në etje ose në uri brenda dite.

Koha Javore: A mendoni se besimtarët janë po aq të devotshëm në përmbushjen e detyrimeve të tyre rituale sikurse ishin në kaluarën?
Imam Xh. Arifaj:
Ajo çfarë kam arritur unë të konstatoj është se të parët tonë ndoshta nuk kanë pasur njohuri të mjaftueshme nga ana fetare apo në fusha të tjera, mirëpo e kanë pasur sinqeritetin dhe bindjen, dhe me aq sa kanë ditur, ata kanë qenë shumë më besnikë sesa ndoshta ne sot që dimë shumë më shumë se ata dhe që kemi kushte më të mira. Megjithatë, besimtarët e sinqertë edhe sot, edhe çdo herë i mbesin besnik obligimit të Zotit dhe përpiqen që të ndryshojnë vetveten, familjarët e vet dhe shoqërinë ku janë në mënyrë pozitive.

Koha Javore: Cila është porosia Juaj për të gjithë besimtarët e besimit mysliman në këtë muaj të madhërishëm?
Imam Xh. Arifaj:
Porosia ime është që të bëhemi njerëz të sinqertë. Të përpiqemi që ta respektojmë krijuesin tonë – Zotin, urdhrat e tij dhe të jemi të sjellshëm në raport me vetveten, me besimtarët dhe me Zotin. Të promovojmë paqen, të jemi ata promovues që me të vërtetë të meritojmë shpërblimin kur të ndahemi nga ky muaj i bekuar dhe të jetë ky muaji i ndryshimit pozitiv për sjelljen, shprehitë dhe jetën tonë dhe në shoqërinë tonë. Të jemi ata që të tregojmë se me të vërtetë Muaji i bekuar i Ramazanit ka ndikuar tek ne pozitivisht. Besimtarët myslimanë të mos i harrojnë shpërblimet e mëdha, jo vetëm në këtë botë, por dhe në botën tjetër, e synimi kryesor për ne si besimtarë është ta synojmë Xhenetin ose Parajsën e cila është e përgatitur për besimtarët, e që mirësitë e Parajsës apo Xhenetit ne nuk mund t’i shikojmë as dëgjojmë në këtë botë, por as t’i paramendojmë me mendjen tonë. Shpresoj se ky muaj i bekuar do të jetë muaj i bekuar për të gjithë besimtarët dhe njerëzit në shoqërinë ku jetojnë.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat