Në sallën e madhe të Kuvendit Komunal në Ulqin, të premten (17 tetor 2025) u mbajt një orë përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së studiuesit, ekonomistit dhe veprimtarit të njohur shoqëror Hajrullah Hajdari, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë në moshën 76-vjeçare.
Në fillim të tubimit, të pranishmit mbajtën një minutë heshtjeje në shenjë nderimi për jetën dhe kontributin e Hajrullah Hajdarit.
Në emër të organizatorëve, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” u theksua se Hajdari ka qenë një pjesëtar aktiv i jetës publike, një studiues i përkushtuar dhe autor i disa veprave me rëndësi për historinë dhe pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi.
Në fjalën e tij, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, vlerësoi figurën e Hajdarit si një njeri që i ka shërbyer me devotshmëri komunitetit shqiptar dhe ka lënë një trashëgimi të vyer për brezat që vijnë.
“Shqiptarët në Mal të Zi humbën një personalitet të rrallë, një mendje të kthjellët dhe një intelektual të përkushtuar si Hajrullah Hajdari – njeri që e jetoi me ndershmëri misionin e shërbimit ndaj kombit dhe komunitetit. Hajroja, siç e njihnim ne, punoi deri në frymën e fundit për të mbrojtur të vërtetën historike dhe të drejtat e shqiptarëve, me bindjen se puna, argumenti dhe dija janë armët më të forta kundër padrejtësisë”, ka thënë ai.
Kryetari i KKSH-së ka theksuar se Hajrullah Hajdari ishte më shumë se një studiues.
“Ai ishte një shembull i intelektualit të ndershëm që e pa dijen si shërbim ndaj së vërtetës dhe ndaj njerëzve. Librat, shkrimet dhe hulumtimet e tij janë pasuri që do të mbeten udhërrëfyes për brezat që vijnë, sepse në to nuk ka vetëm fakte, por shpirt, dashuri dhe besim në të ardhmen e kombit tonë”, është shprehur ai.
Në fjalën e rastit, Mr. Ali Bardhi, bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit në disa projekte kërkimore, ka thënë se Hajrullah Hajdari ishte një intelektual i përkushtuar, studiues me vizion të gjerë dhe njeri i urtë, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi dijes, së vërtetës dhe shërbimit ndaj komunitetit.
“Me karakter të fortë, me ndershmëri dhe me një përkushtim të pashoq, ai la pas vepra që do të mbeten dëshmi e një jete të jetuar me qëllim e me dinjitet. Ai ishte shembull i rrallë i modestisë dhe përulësisë, i një njeriu që nuk kërkoi kurrë lavdi, por që çdo ditë e pa si mundësi për të kontribuar në ndriçimin e historisë dhe për t’i shërbyer së mirës së përbashkët”, ka theksuar ai.
Në vijim Bardhi ka thënë se në punën e tij kërkimore e shkencore, Hajrullah Hajdari hulumtoi me pasion dhe durim të pashtershëm arkivat e Ulqinit, të Cetinës, të Tiranës dhe të Dubrovnikut, duke nxjerrë në dritë dokumente që dëshmojnë për rrënjët, identitetin dhe qëndrueshmërinë e shqiptarëve në këto troje.
Udhëheqësi i orës përkujtimore, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se Hajrullah Hajdari ishte një figurë e njohur publike e angazhuar dhe me kontribute të shumta.
“Ai ishte shembull i një njeriu të përkushtuar, i cili kudo ku ka punuar ka lënë gjurmë. Ai nuk reshti së hulumtuari dhe shkruari për çështje të ndryshme, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për ato aktuale, duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi dhe denoncuar publikisht shkeljen e të drejtave të tyre nga pushteti malazez, si në të kaluarën ashtu edhe tani. Librat e tij, si një pasuri e vlefshme për të dokumentuar realitetin historik të shqiptarëve në trevat e tyre autoktone sot në Malin e Zi, shërbejnë si një testament që ai na ka lënë trashëgim. Por edhe si një thirrje (apo klithmë) për studiuesit për të vazhduar punën e tij”, ka thënë ai.
Në vazhdim të tubimit, fjalën e morën Omer ef. Kajoshaj, zëvendës i Reisit të Bashkësisë Islame në Malin e Zi, i cili tha se kishte dëgjuar për Hajrullah Hajdarin dhe veprimtarinë e tij shkencore e kombëtare shumë vite para se ta takonte personalisht.
“Kur e njoha në vitin 2022, u befasova këndshëm kur mësova se ishte një nga anëtarët e këshillit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Fushë të Ulqinit. Në takimet tona me të dhe me Omer Shabanin diskutuam shpesh për këtë projekt dhe gjithmonë ndihesha i frymëzuar nga qetësia, vendosmëria dhe besimi i tij.
Mendoja se isha unë ai që i jepja atij shpresë, por në të vërtetë ishte ai që më jepte kurajo të mos dorëzohesha, pavarësisht pengesave. Dhe, si me një shenjë nga Zoti, vetëm dy javë para se Hajroja të kalonte në amshim, filloi puna në xhaminë për të cilën ai kishte ëndërruar e punuar me gjithë shpirtin e tij. Nga Hajroja mësova si të qëndroj i qetë dhe i palëkundur përballë sfidave të jetës – si të mos dorëzohem kurrë deri në fund”, ka thënë ai.
Mustafë Bardhi, dhëndër i të ndjerit, ndau me të pranishmit kujtime dhe vlerësime për jetën dhe personalitetin e Hajdarit.
Ai foli për momentet e fundit të jetës së Hajdarit, kur ai ishte shtruar në spital, duke ndarë me të pranishmit çaste emocionuese të brengës që ai kishte për librin që kishte në dorëshkrim.
“Kur Hajroja u shtrua në spital, shkuam ta vizitonim në Nikshiq. E pyeta me kujdes çfarë kishte dëshirë të hante, dhe ai më tha me qetësi: ‘Këtu i kam të gjitha, por më sillni kompjuterin, sepse kam lënë librin përgjysmë.’ Ne ia çuam kompjuterin dhe ai shtoi: ‘Merreni USB-në, shkoni në Shkodër, shikoni materialin dhe ma sillni që ta përmirësoj e ta dërgoj për botim.’ Më vonë, pasi kreu rrezatimin dhe u kthye në shtëpi, ne ia sollëm 30 kopje të librit pa e ditur ai. Ishte e premte pasdite, kur më pyeti: ‘Mustafë, a i keni çuar librat në librarinë e qytetit?’ I thashë ta linim për të hënën, për të mos i shqetësuar. Ai më pa dhe tha: ‘E hëna është shumë vonë. Dua që mundin tim ta shohë i gjithë qyteti dhe dashamirët e mi.’ Dhe ashtu bëmë – librin e çuam në librari. Pas pak, ai më tha me qetësi: ‘Tani edhe të vdes, jam i qetë.’ Këto ishin ndër fjalët e tij të fundit që tregojnë më mirë se çdo gjë tjetër përkushtimin dhe dashurinë e tij të pashtershme për punën, dijen dhe kombin”, u shpreh ai.
Në emër të familjes foli djali i tij, Besnik Hajdari, i cili falënderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për respektin dhe nderimin e treguar ndaj babait të tij.
“Kur mendoj për të, më vijnë në mendje kujtimet e thjeshta – ato momentet e vogla që në të vërtetë janë më të mëdhatë: një buzëqeshje që të ngroh shpirtin, një këshillë që të udhëheq, apo një përqafim që të jep forcë. Ishte një njeri që dinte të donte, të falte dhe të kujdesej për ne e për të tjerët. Në shtëpi, ai ishte dritë – një prani që sillte paqe, një zë që bashkonte, një zemër që rrihte për të gjithë ne, duke na mësuar çdo ditë çfarë do të thotë durim, dashuri dhe dinjitet. Mbaj mend duart e tij të forta, të lodhura nga puna, por gjithmonë të gatshme për të na ndihmuar. Kështu do ta mbaj mend përherë – si një njeri të mirë, të urtë dhe të dashur, që e ndriti jetën tonë me shembullin e tij”, ka thënë ai.
Në tubim u lexua gjithashtu një mesazh ngushëllimi nga Prof. Dr. Hajrullah Koliqi.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë familjarë, përfaqësues të institucioneve vendore e kombëtare, përfaqësues të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, kolegë, miq dhe dashamirë të të ndjerit.
Hajrullah Hajdari ka lindur në vitin 1949 në fshtatin Bobosht të Krajës, ndërsa vdiq më 12 tetor 2025 dhe u varros më 13 tetor 2025 në varrezat në Kollomzë. Është autori i librave: “Shqiptarët në Mal të Zi – nga Kongresi i Berlinit deri nẽ vitin 1941”, “Ulqini në dokumentet malazeze – nga viti 1880 deri në vitin 1915”, “Pronat dypalëshe të shqiptarëve në Mal të Zi në të dyja anët e kufirit Shqipëri – Mali i Zi”, “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”, “Shqiptarët në Mal të Zi – nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941” (Botim i dytë i plotësuar) dhe “Balshajt dhe objektet kishtare në goricat e Liqenit të Shkodrës”.
D. Teliqi
