Qiriu që ndez qiriun tjetër, nuk humb gjë nga trupi i vet…

Të enjten, më 7 gusht 2025, Dinosha, por edhe krejt Malësia u nda nga një mësimdhënëse e përulët në madhështinë e saj, mësimdhënëse që frymëzoi gjenerata të tëra të shkollës fillore në Dinoshë. U nda nga Mësuesja Vera, ose siç e quanin të gjithë në Malësi Vera e Xhemit.
Vera Nikaj, e lindur Radinoviq, erdhi në Dinoshë, në vitin 1979, si arsimtare e re e gjuhës serbokroate, pas shumë peripecish që në shkollën e Dinoshës të sigurohej kuadër profesional për gjuhën serbokroate. Përgatitjen adekuate shkollore, por çka është më me rëndësi, vlerat njerëzore të trashëguara nga familja e saj, i mishëroi me vlerat e vendit ku erdhi të shërbejë, e më vonë edhe vendosi ta lidhë fatin me ish-drejtorin e saj, aktivistin dhe humanistin e njohur malësor, Xhemal Nikaj.
E ardhur nga qyteti (kishte jetuar edhe në Zagreb, por shumicën e rinisë së saj e kaloi në Titogradin e atëhershëm), e përvetësoi jetën në fshatin Dinoshë, në shtëpinë e njohur të Rrustë Alisë Nikaj, por askurrë nuk iu nënshtrua mentalitetit të prapambetur. Si arsimtare u bë e dashur jo vetëm për gjeneratat e shumta të nxënësve që përcolli, për prindërit e fëmijëve, për të gjithë miqtë e shtëpisë ku erdhi, e ata ishin vërtet të shumtë, por edhe për të gjithë ata që së paku një herë patën rastin ta takonin, qoftë edhe në rrugë.
Me shqipen e saj të shkëlqyeshme i përvetësoi edhe të gjithë ata, që në atë kohë, me të drejtë nuk ishin të kënaqur me pozitën jo të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi e më gjerë. Ajo askurrë nuk e mohoi qenien e vet malaziase, por mjeshtërisht dhe me përkushtim mbindërtoi mbi të atë që e karakterizon malësorin (malësoren) e që e gjeti në familjen ku u martua. Ishte plotësisht e bindur se këto dy elemente mund të bashkëjetojnë, gjë që tregoi edhe me jetën e saj, me edukimin e vajzave të saj, por edhe me respektin për familjarët, për dinoshjanët dhe të gjithë që e kalonin pragun e shtëpisë së tyre. Martesa e përzier e Verës me Xhemalin u bë shembull që reflektonte para së gjithash dashuri e mirëkuptim.
Si mik i shtëpisë së tyre, gjithmonë e gjeta derën e hapur të përcjellë me mirëseardhje të përzemërt. Dhe kuptohet isha vetëm njëri prej të shumtëve që përjetonin mikpritjen e tyre. Por, mirëseardhje të posaçme gjetën të gjithë ata që, në luftën e fundit në Kosovë (më 1998-1999), ishin të dëbuar nga pragu i shtëpisë së vet. Me ardhjen e të përndjekurve të parë nga Kosova në Tuz, organizuam Këshillin për Pritjen dhe Vendosjen e Refugjatëve. Ishim bashkë me dr. Lukë Gjokajn, Xhemalin, Gjon Dreshajn e shumë të tjerë.
Dua të ndaj me ju, lexues të nderuar, një rast të posaçëm. Ne në fillim na kishin lajmëruar se në Tuz kishte ardhur një furgon me katërmbëdhjetë të përndjekurit e parë nga Kosova, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Pasi Tuzi atëbotë nuk kishte as edhe një objekt shoqëror, ku do të mund t’i strehonim, Xhemali, pa menduar aspak, i mori të gjithë për t’i vendosur në shtëpinë e vet. Në derën e oborrit të shtëpisë së Rrustë Alisë i priti e tërë familja. Në mes tyre Vera, që përshëndetej me ta, e posaçërisht me gra, si me më të afërmit e saj. Ishte ky vetëm fillimi i një tregimi të gjatë, një sage të vërtetë të kësaj familjeje, që në disa raste kishte edhe më se shtatëdhjetë (70) të përndjekur nën strehën e tyre. Veçanërisht takimi i Verës me ta, ishte një skenë që ruhet në kujtim si një margaritar i çmuar për tërë jetën. Një malaziase po i priste refugjatët kosovarë duke ua hapur derën dhe zemrën.
Në mesin e të strehuarve kishte edhe ushtarë të lirisë – të UÇK-së. Madje edhe të plagosur, për të cilët Vera përkujdesej me gjithçka që kishin nevojë, që nga përgatitja e ushqimit e deri te shërimi i plagëve. Njërin prej tyre e kishin vendosur në spitalin e Podgoricës për mjekim. Në njërën prej vizitave, familjarët ia lanë vendin Verës, që kishte shprehur dëshirë ta vizitonte. Vera, përpos gjërave të përditshme që kishte nevojë ushtari i plagosur, ia solli një buqetë me lule dhe ia vendosi pranë shtratit.
Në vitin 2017 isha këshilltar i nënkryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu. Posa ai, gjatë rrugës prej Ulqinit në Podgoricë, e kishte lexuar rastin e familjes Nikaj lidhur me incidentin e shkaktuar nga policia për heqjen e flamurit kombëtar (që edhe sot e kësaj dite valëvitet mbi shtëpinë e tyre), më luti ta organizoj një takim me familjen. Në deklaratën e tij për opinion, lidhur me rastin në fjalë, thuhet:
“Vera Nikaj, bashkëshortja e Xhemalit (që momentalisht gjendet në SHBA) na njoftoi se incidenti kishte ndodhur të mërkurën, më 14 qershor në orët e pasditës. Dy punëtorë të policisë kishin kërkuar prej tyre heqjen e flamurit, që valëvitej mbi shtëpinë e tyre, duke shpjeguar se bëhej fjalë për flamurin e shtetit të huaj dhe, si i tillë, përdorimi i tij sanksionohet me ligj, që parasheh dënimin që mund të arrijë edhe deri në 2000 euro. Me këtë rast familja kishte refuzuar ta heqte flamurin”.
Rastet e tilla mbi jetën dhe veprimtarinë e Verës, prej së cilës u nda Malësia para disa ditësh, janë të shumta, secili më interesant se tjetri.
Vera u bë edhe shembull për emancipimin e femrës në Malësi.
Në postimin me rastin e ndarjes së Verës nga jeta, mbesa e Xhemalit, Linda Nikaj shkruan:
“Ajo e vlerësonte dashurinë, komunitetin, humorin, intelektualizmin, bukurinë, familjen – dhe me axhën tim krijuan një jetë të bukur që mishëronte të gjitha këto vlera, por dhe më shumë. Dhe, sa mirënjohëse jam që e bëri këtë, sepse falë saj kam kushërirat e mia (në të vërtetë motrat e mia, sepse ashtu jemi rritur) dhe shumë e shumë më tepër.”
Prania e një numri të madh të të gjithë atyre që erdhën t’ia shtrinin dorën e ngushëllimit familjes ishte edhe një provë e respektit që patën për të dhe familjen e saj të gjithë që e njohën.

Nikollë Berishaj

Të fundit

më të lexuarat