Profesori që tërë jetën ia kushtoi edukimit muzikor të të rinjve

Pas sëmundjes së rëndë ndërroi jetë profesori i muzikës Hajdar (Islam) Axhemoviqi. Ai u lind në Ulqin, në vitin 1945. Shkollën fillore e përfundoi në Ulqin, kurse të mesmen për muzikë në Titograd (Podgoricë), në vitin 1966. Akademinë e Muzikës e përfundoi në Sarajevë, në vitin 1972. Një kohë të shkurtër punoi në Sarajevë, ku është vërejtur puna dhe prirja e tij për muzikë dhe folklor. U kthye në vendlindje dhe tërë jetën ia kushtoi edukimit të shumë brezave të rinj në Gjimnazin e Ulqinit.
U muar me aktivitete të llojllojshme. Ka qenë udhëheqës i orkestrës së parë muzikore në Gjimnazin e Ulqinit. Ka përcjellur shumë këngëtarë të njohur në shfaqjet e tyre në Ulqin, si psh edhe këngëtaren e njohur Maja Oxhaklijevska etj. Më vonë formoi grupin e parë të femrave në Ulqin “Consonanca”, me të cilin disa vite mori pjesë në aktivitete muzikore në Ulqin dhe rajon. Gjithashtu është themelues dhe udhëheqës muzikor i grupit të meshkujve “Ligatura”.
Hajdar Axhemoviqi ka qenë edhe sportist i njohur. Ka luajtur edhe për përfaqësuesen e Malit të Zi në hendboll në Ohër.
Si student, me Hajdarin dhe Rexhep Spuzhën i kemi kaluar pushimet verore. Kemi shëtitur nëpër plazhin e qytetit, kaluar mbrëmje të bukura në lokalet e hotelet e Ulqinit. Është pensionuar në vitin 1999.
Hajdar Axhemoviqi ka dhënë një kontribut të veçantë në edukimin e shumë brezave të rinj, posaçërisht ka rëndësi për kombin shqiptar. Ka qenë laureat i Mirënjohjes vjetore të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.

Gani Karamanaga

Të fundit

më të lexuarat