Personalitet fetar e kombëtar me dhunti të veçanta

Me dijen, aftësitë e mençurinë e tij gjithmonë ka ditur që të promovojë vlera të duhura në kohën e vet, duke i prezantuar ato në mënyrë të kuptueshme dhe të qartë te xhemati, si dhe çdoherë është munduar që të ruajë dhe promovojë islamin bazë, të gërshetuar me traditën e vendit

Mr. Ali Bardhi

Imami dhe ish-kryeimami i Ulqinit dhe Tuzit, Haxhi Rexhep ef. Lika është njëri prej personaliteteve më të nderuara të qytetit tonë në kohën bashkëkohore në Ulqin.
Ai ka lindur më 1940 në fshatin Brajshë të Ulqinit. Në vitin 1956 e kreu shkollën fillore në Katërkollë. Më pas u regjistrua në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë, ku u diplomua në vitin 1960. Pas diplomimit në medrese, në vitin 1963 emërohet imam i xhamisë Husein Pasha në Plevlë, ndërkaq në vitin 1987 u caktua imam në Xhaminë e Qazim Begut në Tuz, ku shërbeu deri në vitin 1987, kur do të transferohet si imam në Xhaminë e Bregut në Ulqin. Ndërkaq gjatë shërbimit të tij në Tuz, ai u regjistrua në Universitetin Islam të Libisë “Bejda”, por për shkak të rrethanave të krijuara nga shpërthimi i revolucionit atje, u detyrua që t’i ndërpresë studimet.
Përveç shërbimit si imam, në Ulqin, në vitin 1996 kreu edhe detyrën e sekretarit. Në vitin 1998 ai u emërua imam i Xhamisë së Mezgjahut dhe Kryeimam i Ulqinit. Dy mandate ka qenë anëtar i Ilmijes, tre mandate anëtar i Bashkësisë Islame në Malin e Zi dhe një mandat anëtar i Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame në RSFJ. Duhet veçuar që gjatë shërbimit të tij në Tuz, Rexhep ef. Lika ka qenë njëri ndër themeluesit e Besëlidhjes së Malësisë (1970) për shuarjen e gjakmarrjes. Ai e kreu haxhin shtatë herë. Detyrën e kryeimamit të Ulqin e kreu nga data 01.12.1998 deri në pensionimin e tij, më 31.12.2010. Me rastin e 30-vjetorit të ardhjes së tij me detyrë në Ulqin, Mexhlisi i Bashkësisë Islame – Ulqin, më 13.05.2017 i kushtoi një program të titulluar “Një jetë në shërbim të fesë” në Qendrën e Kulturës – Ulqin. Në vitin 2021 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi imam Rexhep Likën me titullin ”Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Rexhep ef. Lika është personalitet i shquar i vendit tonë, i cili kontribuoi si imam dhe si predikues i mësimbesimit në Ulqin. Me dijen, aftësitë e mençurinë e tij gjithmonë ka ditur që të promovojë vlera të duhura në kohën e vet, duke i prezantuar ato në mënyrë të kuptueshme dhe të qartë tek xhemati, si dhe çdoherë është munduar që të ruajë dhe promovojë islamin bazë të gërshetuar me traditën e vendit.
Po ashtu një element tjetër që duhet të veçohet gjatë punës së tij është kontributi i dhënë në unifikimin e besimtarëve myslimanë në trevat ku jetojnë dhe punojnë si dhe duke nxitur frymën e bashkëjetesës ndërfetare dhe të respektit të ndërsjellë në mes konfesioneve. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkëfetarët e tij myslimanë, ku një nga lëvizjet më të mëdha të nxitura prej tij është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e mejtepeve në të gjitha xhamitë dhe dhënien e mësimbesimit për 600 nxënës të mejtepit.
Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, shkencore, e bëjnë Haxhi Rexhep ef. Likën një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive si dhe transmetimin e tyre tek populli. Figura të tilla që i kanë shërbyer vendit në ruajtjen e traditës fetare dhe kombëtare duhen të vlerësohen jo vetëm nga besimtarët dhe nga institucionet fetare, por nga i gjithë komuniteti si edhe institucionet lokale të vendit, të cilët duhet të vlerësojnë punën dhe kontributin e tyre duke iniciuar dhënien e ndonjë mirënjohjeje, emërtimin e ndonjë rruge, në mënyrë që kjo të jetë shembull për të gjithë ne, por edhe për të gjithë brezat e ardhshëm se si duhet të çmohen personalitete të tilla për kontributin ndaj besimit, kombit, qytetarëve të vendit etj.
Ne si institucion fetar dhe si imamë duhet të ndjehemi krenarë që jemi trashëgimtarë të këtyre figurave të shquara të vendit tonë dhe më gjerë si dhe të marrim përsipër të çojmë më tej punën dhe veprimtarinë e tij. Puna, veprimtaria, edukimi e përkushtimi i Haxhi Rexhep ef. Likës për hapësirën tonë do të mbesë përgjithmonë e nderuar dhe e vlerësuar. Janë të shumtë shembujt nga jeta dhe veprimtaria e Rexhep ef. dhe ato nuk mund të përmblidhen sot këtu, por shpresojmë që në një të ardhme të afërt të organizohet ndonjë simpozium kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, e cila do të pasojë me ndonjë botim.

(Fjala e mbajtur në orën përkujtimore të mbajtur në Ulqin, më 7 shtator 2024. Autori është kryeimam i Ulqinit.)

Të fundit

më të lexuarat