Përmbylli me nder misionin e luftëtarit me pendë për çlirimin e përparimin e Kosovës

Të nderuarit miq, shokë dhe dashamirë,
Sot jemi bashkuar këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit Prof. dr. Isuf Dedushajt, njërit prej personaliteteve me të dalluara të mjekësisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Isufi ka lindur më 10 tetor të vitit 1951, në fshatin Vuthaj të Plavës e Gucisë, pasi kishin kaluar vetëm katër muaj e tetë ditë prej se policia malazeze ia kishte pushkatuar babanë Isufin dhe mixhën e babait, Çung Tahirin Dedushaj. Ata i kishin pushkatuar në mes të fshatit Vuthaj, pa vendim gjyqësor, siç i kishin pushkatuar shumë shqiptarë edhe të kësaj treve, të cilët kishin luftuar kundër ripushtimit serb e malazez me të përfunduar të Luftës së Dytë Botërore. Pasi i kishin lënë të pavarrosur, tek pas pak ditësh kishin lejuar të groposen, por pa asnjë shenjë apo gurë varri.
Ata ishin pushkatuar ashtu për shkak se edhe Isufi, edhe Çungu, kishin vendosur të vdisnin me nder e assesi t’i prisnin në besë miqtë e shtëpisë, që u kishin ardhur nga krahu tjetër i Atdheut, nga Shqipëria shtetërore. Ata, Çungu e Isufi, kishin zgjedhur një vdekje të tillë për të mos i koritur gjyshstërgjyshërit e vet, për të mos i koritur shqiptarët e Plavës e Gucisë, për të mos e koritur Bajram Musën e Dedushajve, trimin e betejës së Nokshiqit, në të cilën trupat pushtuese malazeze e serbe kishin pësuar humbjen më të rëndë që kishin pësuar ndonjëherë prej luftëtarëve shqiptarë, për të mos e koritur mikun e shtëpisë, Veli Niman Doçin e Malësisë së Gjakovës, komandant i Brigadës XXV të Shqipërisë shtetërore, e cila kishte luftuar kundër ushtrisë pushtuese gjermane edhe në Kosovë, Sanxhak e në një pjesë të Bosnjës.
Me këtë rast, nuk mund të mos shtoj se babai i Isufit ishte djali i motrës së Veli Nimanit, kurse i biri i Veliut, Skënderi, gjeneral i armatës shqiptare, do të zgjidhet komandant i Batalionit “Atlantiku’’ në SHBA dhe bashkë me luftëtarët vullnetarë të këtij batalioni, ku bënin pjesë edhe djem nga Plava e Gucia, ndër ta edhe Ismet Dedushaj, do të vijnë në Kosovë e luftojnë krah për krah me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë luftë do të bie heroikisht edhe Jeton Dedushaj, tani dëshmor i Kosovës.
Pushkatimi i babait dhe i mixhës së tij, si dhe kushtet në të cilat do të rritet e edukohet, do të përcaktojnë rrugën jetësore që kishte zgjedhur Isufi që kur ishte fare i ri, por edhe misionin që do t’ia caktojë vetes në moshë të pjekur. Kjo rrugë e tij ishte përplot sprova të rënda. Jo vetëm se ishte fëmijë i pa babë, por më tepër se ishte fëmijë i një familjeje të shpallur armike e Jugosllavisë. Rrëfimet e tij për keqtrajtimet gjatë shkollimit fillor, janë të dhembshme. Megjithëkëtë, ai nuk do të dëshpërohet. Pasi që Qeveria e Malit të Zi i kishte mbyllur shkollat në gjuhën shqipe, nga kujdesi se nuk do të gjenin punë me përgatitje të tillë shkollore dhe, duke parë se shumë djem e vajza nga Plava e Gucia kishin shkuar dhe e vazhdonin shkollimin në gjuhën shqipe në Kosovë, i përkrahur nga dajat e vet nga Rugova, Isufi do ta kryejë tetëvjeçaren dhe do të regjistrohet në gjimnazin e Pejës. Në Pejë, por edhe në qendra tjera të Kosovës, nxënësit shqiptarë nga Plava e Gucia dhe nga vise të tjera, jo vetëm se ishin të mirëpritur, por u jepej përparësi për t’u regjistruar. Këtë përparësi e përkrahje do ta theksojë shumë herë edhe Isufi: “Edhe ne të Plavës e Gucisë, nuk jemi bukë përmbysës dhe nuk ua kemi kthyer me të keq. Përkundrazi”.
Si i zgjuar që ishte dhe i etur për dije, Isufi do të regjistrojë e diplomojë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, më pas do të kryejë specializimin dhe bëhet epidemiologu i parë i Kosovës, do t’ i vazhdojë edhe studimet e shkallës së tretë dhe do të doktorojë në shkencat e mjekësisë në vitin 1986.
Isufi do të punojë me përgjegjësi profesionale e përkushtim në disa institucione shëndetësore, do të zgjidhet profesor ordinar në Fakultetin e Mjekësisë, dy mandate do të jetë prodekan i këtij fakulteti dhe dekan. Pas heqjes së autonomisë së Kosovës dhe instalimit të organeve të dhunshme serbe, do ta largojnë nga puna, por nuk do të ndalet. Nga viti 1992 deri në vitin 2001 do të jetë kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës. Duke shfrytëzuar këtë pozitë, përveç ndihmës materiale, Isufi, bashkë me kolegët e tij, përkundër rreziqeve për jetë, do t’u ofrojnë ndihmë profesionale ushtarëve të UÇK-së. Me dhembje shpirti, pa mundur t’i ndalte lotët, Isufi shpesh e tregonte rastin e një aksioni të tillë në Zonën Operative të Drenicës, kur makina e tyre kishte shkelur në minë dhe ishte plagosur rëndë doktor Shpëtim Robaj, se si ua kishte përsëritur disa herë: “Mos më lini të vdes! Mos më lini të vdes!’’, se si nuk mund ta thoshte me fjalë atë që kishin ndier duke parë se nuk mund ta shpëtonin.
Si profesor ordinar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, Isufi do të jetë mentor i dhjetëra kandidatëve për magjistra dhe doktorë të shkencave të mjekësisë dhe udhëheqës i kandidatëve në specializim. Isufi ka qenë anëtar i kryesisë së Forumit të Intelektualëve të Kosovës – Sektori i shëndetësisë, anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Praxis Medica” dhe redaktor i revistës “Shëndeti”. Isufi ka publikuar mbi njëqind e sa punime shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe është autor i disa teksteve universitare dhe i monografive shkencore. Me këtë rast, po e veçoj veprën kapitale “Enciklopedi e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare (1445-2018) dhe të mjekëve që lanë gjurmë të pashlyera në historinë e mjekësisë shqiptare’’, punë kjo e denjë edhe për një institucion shkencor.
Duke pasur parasysh gjithë këtë veprimtari profesionale e shkencore të doktor Isuf Dedushajt, pa mëdyshje mund të pohojmë se ai e ka përmbyllur me nder misionin e vet edhe si intelektual, pra e ka përmbyllur me nder edhe misionin e luftëtarit me pendë për çlirimin e përparimin e Kosovës. Kosova nuk kishte pak luftëtarë të tillë me pendë, por nganjëherë, kontributi i tyre s’po përmendet aq sa meriton e që, assesi nuk do të harrohet, siç nuk do të harrohet as vepra jetësore e doktor Isuf Dedushajt.
I ndritshëm qoftë kujtimi për jetën e veprën e tij!

Binak Ulaj
(Fjala e lamtumirës, lexuar me rastin e varrimit të Prof. dr. Isuf Dedushajt, në Prishtinë, më 5.2.2025)

Të fundit

më të lexuarat