Prof. dr. Musa Kraja u shqua, jo vetëm si profesionist i spikatur, profesor model, studiues i pasionuar dhe intelektual i dalluar, Mësues i Merituar, por njëkohësisht, ai u shqua si një personalitet dhe qytetar me vlera e tipare të larta njerëzore, për të cilën gjë ishte i dashur dhe i resperktuar nga të gjithë ata që paten fatin të bashkëpunojnë dhe komunikojnë me të, duke përfshirë këtu edhe studentët dhe kolegët e tij të shumtë. Vepra dhe personaliteti i Profesorit Musa Kraja rrojnë dhe frymëzojnë
Me dhembje të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tonë të nderuar Prof. Dr. Musa Kraja, të këtij pedagogu dhe veprimtari të respektuar të arsimit, i cili tërë jetën dhe punën e tij ia dedikoi pedagogjisë dhe arsimit shqiptar. Vepra pedagogjike e tij është e pasur, shumëdimensionale, e njohur dhe e çmuar në mbarë gjeografinë shqiptare dhe zë një vend shumë të rëndësishëm në pasurinë diturore të arsimit dhe të mendimit tonë pedagogjik. Ai është vazhdues i veprës pedagogjike të pedagogëve të mëdhenj të kombit tonë: Aleksandër Xhuvani, Hamit Beqja, Bedri Dedja, Jashar Rexhepagiqi etj.
Profesor Musa Kraja lindi më 1938 në Shkodër, ku mori edhe edukimin familjar, arsimin fillor dhe arsimin e mesëm pedagogjik. Po në Shkodër, përkatësisht në Institutin e Lartë Pedagogjik i kreu edhe studimet e larta për gjuhë-letërsi (1966) dhe për histori-gjeografi (1968), ndërsa studimet universitare për histori-gjeografi i kreu në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës (1970). Në vitin 1978 mbaroi studimet pasuniversitare për filozofi, pasuar nga gradat shkencore: kandidat i shkencave (1984), docent (1986), doktor i shkencave pedagogjike (1993), asistent profesor (1994), profesor universiteti (2000). Për qëllime studimi qëndroi edhe jashtë vendit, në Zvicër, Turqi etj.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “769” të revistës Koha Javore