Mjeku duarartë

Dr. Bexhet Mujali ishte krenaria e fisit të njohur Mujali, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në kirurgjinë e Malit të Zi. Ai mund të konsiderohet pasardhës i denjë i Kadi Hysein Mujalit, kadiut të fundit të Ulqinit. Një pjesë e bibliotekës, arkivit dhe dokumentacionit të Kadi Hysein Mujalit është ruajtur pikërisht nga Dr. Bexhet Mujali

Ismet Karamanaga

Para disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 82-vjeçare është ndarë nga jeta mjeku – kirurgu duarartë nga Ulqini, Dr. Bexhet Mujali. Lajmi për vdekjen e tij ka pikëlluar të gjithë qytetarët e Ulqinit, por sidomos ata që e kanë njohur. Ai ishte shumë i lidhur me Kalanë, ku është e martuar motra e tij binjake Bexhetja, “nusja” më e mirë në fisin dhe në shtëpinë tonë.
Dr. Mujali apo Dr. Xheti, siç e thërrisnim ne, ishte një ndër mjekët më të mirë në fushën e kirurgjisë, i njohur jo vetëm në Ulqin dhe Tivar, por edhe në Mal të Zi dhe tërë rajonin. Vitet e fundit, pas daljes në pension, kohë pas kohe ka jetuar në SHBA, ku jetojnë dy djemtë dhe vajza e tij, por gjithmonë “me biletë në xhep” për vendlindje. Malli për vendlindjen e ka brejtur gjithmonë, ku sipas dëshirës së vet edhe është varrosur.
Ai ka lindur në vitin 1942, në familjen e njohur Mujali. Shkollën fillore e ka vijuar në Ulqin, gjimnazin klasik shumë të njohur në Tivar, si nxënës i dalluar, në vitin 1961. Studimet për mjekësi i ka kryer me sukses në Sarajevë, ndërsa specializimin për kirurgji në Beograd, në vitin 1977. I takon plejadës së mjekëve të parë shqiptarë të shkolluar nga Ulqini.
Derisa ishte student i mjekësisë në Universitetin e Sarajevës, ka filluar të punojë në Tivar dhe kudo ku ka shkelur këmba e tij ka shpalosur vetitë më të mira, për ç’gjë është vlerësuar nga pacientët. Për dekada të tëra ka punuar në Spitalin e Tivarit, duke u shquar për kontribut dhe përkushtim të lartë profesional dhe njerëzor në fushën e kirurgjisë. Për disa vite ka qenë edhe drejtues i repartit të kirurgjisë në Spitalin e Tivarit, nga ku edhe është pensionuar.

Derisa ishte student i mjekësisë në Universitetin e Sarajevës, ka filluar të punojë në Tivar dhe kudo ku ka shkelur këmba e tij ka shpalosur vetitë më të mira, për të cilat është vlerësuar nga pacientët. Për dekada të tëra ka punuar në Spitalin e Tivarit, duke u shquar për kontribut dhe përkushtim të lartë profesional dhe njerëzor në fushën e kirurgjisë. Për disa vite ka qenë edhe drejtues i repartit të kirurgjisë në Spitalin e Tivarit, nga ku edhe është pensionuar


Ai ishte një mjek humanist me virtyte të larta njerëzore. Nga pacientët, të cilët kanë pritur me ditë dhe muaj për t’i operuar ky mjek i rrallë, është cilësuar si mjek duarartë. Ka mbajtur lidhje të rregullta me pacientët e tij. Djali i tij Rasimi më tregon se babai i tij përmendet akoma në Virpazar, ku ka filluar të punojë si praktikant, si mjek i ri. Pavarësisht se nga ajo kohë kanë kaluar mbi 50 vjet, pacientët e tij në Virpazar nuk e kanë harruar, gjë që e kanë dëshmuar me praninë e tyre në ditën e varrimit të tij. Krahas punës në spital, ka bërë edhe “synetllëqe”, siç themi ne në Ulqin, duke fituar respektin e popullatës. Edhe në Amerikë, të cilën e ka vizituar shpesh së bashku me bashkëshorten e tij Mevlidën, ka punuar në fushën e tij, duke dhënë një kontribut të madh sidomos për diasporën tonë në SHBA. Gjithmonë do të mbahet në mend buzëqeshja, kultura, modestia, por para së gjithash profesionalizmi në punën e tij. Shumë pacientë nga Ulqini, Tivari dhe Mali i Zi gjithmonë e kemi pasur shpresën dhe “uzdajën” në duart e tij të arta.
Dr. Bexhet Mujali ishte krenaria e fisit të njohur Mujali, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në kirurgjinë e Malit të Zi. Sipas meje, ai mund të konsiderohet pasardhës i denjë i Kadi Hysein Mujalit, kadiut të fundit të Ulqinit. Një pjesë e bibliotekës, arkivit dhe dokumentacionit të Kadi Hysein Mujalit është ruajtur pikërisht nga Dr. Bexhet Mujali, i cili ka ndihmuar shumë në organizimin e takimit përkujtimor në vitin 2017 kushtuar Kadi Hysein Mujalit, kësaj figure të shquar fetare dhe kombëtare në Ulqin dhe më gjerë. Kadi Mujali ka arsimuar shumë breza, si imamët dhe hafizët më të njohur të Ulqinit: Hamid Buzuku dhe Hasan Mavriqi. Ai ka qenë edhe shok me gjyshin tim – Mulla Ismail Kahramanagën. Prandaj, sipas meje, vazhdimësia e emrit të mirë të Kadi Mujalit më së tepërmi reflektohet te dr. Bexhet Mujali.
Ka shumë raste ku Dr. Bexhet Mujali ka treguar dije dhe aftësi si mjek i rrallë. Kështu është kur e keni të lindur në shpirt Betimin e Hipokratit. Këto veti ai i ka pasur të lindura dhe të trashëguara nga të parët e tij, sidomos nga babai i tij Rasimi, vëllai i Kadi Mujalit, të cilët kanë pasur autoritet të veçantë te të gjithë qytetarët e Ulqinit, bile edhe tek ata të konfesionit të krishterë. Dr. Mujali ishte një kozmopolit në kuptimin e plotë të fjalës, gjë që e ka dëshmuar me vepra gjatë karrierës së tij të gjatë në fushën e shëndetësisë.
Dr. Bexhet Mujali meriton një vend të veçantë në piramidën e mjekësisë sonë, në veçanti të kirurgjisë te ne. Ai nuk ka dashur funksione, as pozita në politikë. Dr. Xhetit i ka interesuar vetëm mjekësia dhe mjekimi. Prandaj, edhe e shkruaj këtë portret modest për një mjek dhe njeri kaq të madh, për një njeri human, mjek të dalluar, siç ishte tashmë i ndjeri dr. Bexhet Mujali, si një shenjë falënderimi për punën e tij nga të gjithë ne. Ai meriton një vend të veçantë në librin tim dhe jo vetëm aty. Ai meriton shumë më tepër sesa mundem unë të shkruaj për ta përshkruar personalitetin e këtij njeriu.
Nëse pensionimi i tij përbënte një mungesë të madhe për shumë pacientë, ikja e tij nga kjo botë do të lërë një zbrazëtirë të madhe në shëndetësinë tonë dhe do të vërehet gjithnjë e më shumë në të ardhmen.
Dr. Xheti ka pasur edhe disa veti apo pasione të tjera. Ka qenë adhurues i ullishtës, Valdanosit, Krruçit dhe gjithmonë kohën e lirë e ka kaluar duke shëtitur në këto mjedise apo duke punuar ullishtën e Mujalëve me vëllain e tij Fejziun.
Për fund, me jetën dhe punën e tij, Dr. Bexhet Mujali pa dyshim që do ta gëzojë vendin e merituar në trashëgiminë tonë. Inshallah shpirti i tij gjen prehje në xhenet!

Të fundit

më të lexuarat