Misionar i denjë dhe vizionar i paepur i veprimtarisë së vet profesionale

Shaban Hasangjekaj

Ne kilometrin e katërt të rrugës magjistrale që nga Gucia shpie për në Plavë, në anën e majtë të luginës piktoreske të Lumit Luça, mu rrëzë Bjeshkës së Visitorrit të lartë thepisur e kreshnik, fillon shtrirja e Martinajve, fshat i Komunës së Gucisë i cili dikur radhitej ndër vendbanimet më të mëdha atëherë të Komunës së Plavës i cili numëronte më se 80 familje me mbi 500 banorë, kryesisht të popullatës shqiptare.
Por mjerisht migrimi dhe emigrimi e ka bërë të vetën. Sot numri i familjeve dhe i banorëve ka rënë dukshëm. Shpërngulja mjaft e shprehur, sidomos e të rinjve është brenga më e madhe e tij, ngase më se gjysma e shtëpive familjare janë të mbyllura me dry, e çelja e dyerve të ca prej tyre bëhet në muajt e verës kur pronarët nga diaspora vijnë për t’i kaluar ca ditë të pushimeve vjetore me ose pa familje.
Mirëpo edhe përkundër gjithë kësaj, ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bën të njohur dhe të theksuar këtë fshat, është fakti se fshati Martinaj është vërtetë qendër nga i cili rrjedhë një numër i madh intelektualësh shqiptarë profilesh të ndryshme profesionale. Njëri ndër ta ishte edhe tani i ndjeri specialisti i radiologjisë Dr. Agron Shiqer Lecaj, i cili ndërroi jetë më 10 nëntor 2022, në moshën 55 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, i cili me veprimtarinë e vet të punës profesionale deri në vdekje i qëndroi besnik vendlindjes së vet me plot dinjitet dhe përkushtim.
U lind në fshatin Martinaj të Komunës së Gucisë, më 6 shtator të vitit 1967, nga i ati Shiqer Halili Lecaj dhe e ëma Fazë Gjonbalaj – Lecaj, në një familje tipike tradicionale shqiptare me veti atdhetare, mikpritëse e bujare, në familje ku prindërit – babai Shiqeri dhe nëna Faza rritnin shtatë fëmijë, pesë djem dhe dy vajza e Agroni ishte fëmija i fundit (sugari) në familje. I rritnin në kushte të vështira ekonomiko-sociale, e cila aso kohe si shumica e familjeve të kësaj ane kushtet ekzistenciale jetësore të familjes i krijonim me punë tipike bujqësore dhe blegtorale, por edhe me aktivitete të tjera të punëve në tbanishte (në bjeshkë), ku i kalonin muajt e verës, ku ishin të kyçur edhe fëmijët, ndër ta edhe Agroni atëherë i vogël, në vjeljen dhe mbledhjen e frutave pyjore (boronicave, mjedrave, dredhëzave e manave), por edhe të kërpudhave ushqyese e bimëve mjekuese, me shitjen e të cilave krijonin sadopak buxhetin modest familjar për jetesë dhe shkollim. Edhe pse në kushte të vështira, prindërit u përpoqën që fëmijët t’i edukojnë dhe arsimojnë dhe t’i orientojnë në rrugëtimin drejtë dritës dhe dijes. Dhe ia dolën. Të gjithë fëmijët u shkolluan në Plavë dhe qendra të ndryshme të Kosovës, duke arritur ngritje të larta, superiore dhe shkencore, profilesh të ndryshme profesionale, ndër të cilët motrat Fatimja gradën e juristes së diplomuar, Florija atë të ekonomistes së diplomuar, dhe vëllezërit Ahmeti të specialistit të mjekësisë urgjente dhe Agroni të specialistit të radiologjisë.
Agron Shiqer Lecaj shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e ka kryer në vendlindje në fshatin Martinaj, ndërsa katër klasët e ciklit të lartë (V-VIII) i ka kryer në Shkollën Fillore tetëvjeçare “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë. Bashkë me shumë shokë dhe shoqe, ka udhëtuar çdo ditë nga 10 km, ndonjëherë në këmbë, por kryesisht me autobus të shkollës, me veshmbathje jo të mirë e ndonjëherë edhe të uritur.
Agroni pati fatin që shkollën e mesme – drejtimin e përgjithshëm të gjimnazit ta kryej në Shkollën e Mesme të Përzier” “Beqo Bashiq” në Plavë në vitin 1986, në të cilën ishte nxënës i gjeneratës së pestë me mësim në gjuhën shqipe, i cili për herë të parë u hap në vitin shkollor 1978/79. Edhe si nxënës i shkollës së mesme në Plavë, çdo ditë mësimi udhëtonte me autobus të shkollës nga 15 km në të dy drejtimet.
Në vitin akademik 1986/87 ëndrra si fëmijë për t’u bërë mjek i bëhet realitet. Regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, të cilin edhe përkundër kushteve të vështira gjatë studimeve disavjeçare, e kryen në afat të rregullt. Pas përfundimit të fakultetit, dërgohet në shërbimin ushtarak të cilin e kryen brenda një viti.
Me të kthyer nga shërbimi ushtarak, përvojën e paraparë të praktikës si mjek fillestar e ushtron dhe e kryen në institucionet relevante mjekësore në Plavë, Beran dhe Podgoricë.
Në vitin 2004, Dr. Agron Shiqer Lecaj punësohet në Shtëpinë e shëndetit në Plavë, dhe si mjek i praktikës së përgjithshme punën e fillon në Ambulancën shëndetësore në Murinë – Qendër vendore e Komunës së Plavës, pastaj edhe në Plavë ku qëndron deri në vitin 2008, kur shkon në specializim në Podgoricë në lëmin e radiologjisë, të cilin e përfundon në vitin 2013 duke u kthyer për ta vazhduar punën në Shtëpinë e shëndetit në Plavë në detyrën e radiologut specialist, ku në vazhdimësi dha kontributin e denjë dhe të paepur gjithnjë deri një muaj para ndarjes nga jeta, më 10 nëntor 2022 në një Qendër spitalore në Prishtinë.
Pos përkushtimit të përditshëm në vendin e punës, Dr. Agroni i kushtoi kujdes edhe rëndësi të madhe përsosjes dhe ngritjes së vet profesionale shumëpërfshirëse. Ca muaj pas kryerjes së specializimit në Podgoricë, po në vitin 2013 Dr. Agroni vijon dhe kryen trajnimin në sëmundjen e kancerit të gjirit në Institutin Onkologjik në Sremska Kamenicë të Vojvodinës. Ca vite më vonë, pikërisht në vitin 2017 po ashtu vijon dhe kryen trajnimin për ultratingull të kërdhokullave.
Dr.Agron Shiqer Lecaj ka qenë edhe pjesëmarrës i rregullt dhe aktiv i një vistër evenimentesh mjekësore (tubimesh shkencore mjekësore, tryezash të rrumbullakëta profesionale, punëtorishë, etj). Ai gjithashtu ka qenë anëtar i rregullt dhe aktiv edhe i ca shoqatave profesionale: anëtar i Shoqatës së Radiologëve të Malit të Zi. Që nga viti 2017 është anëtarësuar në Shoqatën Evropiane të Radiologëve, kurse prej vitit 2016 ka qenë anëtar i Shoqatës së Radiologëve të Kosovës. Për veprimtarinë e punës dhe jetës së Dr. Agron Shiqer Lecaj, në formë portreti ka shkruar me përkushtim, kolegu i tij nga Ulqini tani në pension, Prim. Dr. Gani Karamanaga në librin e vet me titull “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”. Me pikëllim dhe dhembje të papërshkruar, pa ngurrim dhe me ndjenjë shpirtërore theksoj se Dr. Agron Shiqer Lecaj vërtetë ka qenë person i denjë dhe i paepur i kohës, profesionisht i përkryer, veprimtar shumëdimensional, vizionar dhe misionar i punës së vet të përditshme intelektuale brenda dhe jashtë vendit të punës, familjar i dashur dhe i përkryer, koleg, mik dhe bashkëvendës i nderuar dhe i respektuar.
Vdekja e tij e hershme në kohën më aktive kontributdhënëse shkaktoi pikëllim, dhembje dhe vrragë të rënda, ndër të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë punuar dhe janë shoqëruar me të. Familja e ngushtë ka humbur kryefamiljarin, ajo e gjerë vëllain, xhaxhin, dajën, vëllazëria Lecaj vëllain dhe mbështetësin e denjë shëndetësor, Martinajt bashkëvendësin e çmuar, shëndetësia por edhe popullata e Plavë-Gucisë dhe më gjerë, kolegun, mikun dhe bashkëvendësin e çmuar, të respektuar dhe shumë të vlerësuar.
Dr. Agron Shiqer Lecaj u varros më 12 nëntor 2022 në varrezat e vendlindjes në Martinaj me nderimet më të larta. Pjesëmarrja masive e të pranishmëve në ambientin e Shtëpisë së Kulturës në Martinaj dhe lamtumira e tij e fundit për në shtëpinë e përmotshme në varrezat e fshatit, ka dëshmuar për figurën dhe personalitetin e tij njerëzor, intelektual e profesional.
Dr. Agron Shiqer Lecaj pas vetes la bashkëshorten Afërditën dhe vajzën Jetën.
Agron i nderuar, pusho i qetë në gjirin e vendlindjes! Të qoftë i lehtë dheu mbi varrin tënd!

Të fundit

më të lexuarat