Më 21 janar të këtij viti, pas një sëmundjeje të rëndë, dr. Abedin Axhoviqi udhëtoi drejt një toke të panjohur që do ta prekim të gjithë një ditë. Ky mjek i përkushtuar fjalëpakë e punëmadh, u nis në fluturimin e fundit drejt engjëjve! Engjëll i të bardhë, engjëll mantelbardhë. U nis në këtë udhë në kohën kur ende kishte për të bërë . Rrugë të mbarë doktor! Do të takohemi të gjithë një ditë.
Për të shkruar për dr. Abedin Axhoviqin nuk e zgjodha unë, por atë ma preferoi puna e tij e palodhshme. Mirësjellja e tij. Buzëqeshja, gjeturia dhe profesionalizmi i tij ndaj pacientit. Unë që e kam njohur për së afërmi, dr. Axhoviqin e mbaj mend gjithherë pedant. Fjalë ëmbël. Të sjellshëm. Të afërt për bisedë e korrekt. Gjithsesi ishte dhe mbeti edhe shembull ndër kolegë ashtu siç e kërkon nevoja . E sidomos profesioni human i mjekut. Ishte vërtetë një “ “Yll” në mesin e “ Yjeve mantelbardhë”. I rregullt në punë. I përpiktë dhe gjithherë i gatshëm t’i ndihmojë pacientët. T’i orientojë të sëmurit në vendin e caktuar dhe t’i këshillojë për çdo gjë, për përdorimin e barnave (medikamenteve) dhe për kujdesin që duhet treguar ndaj të sëmurëve.
Profesionalizmi, aftësia, mirësjellja dhe butësia e tij kanë bërë që dr. Axhoviqi të kërkohet nga pacientët për t’u kontrolluar kur ata i drejtoheshin Spitalit të Podgoricës. Ishte njeri që e donte profesionin dhe e respektonte atë. Profesionin e mjekut e ushtroi si i kishte hije. Ai gjithherë, edhe kur kishte shumë punë me pacientë ishte në krye të detyrës me mirësjellje, shpjegim e këshilla për secilin pacient në përfundim të çdo kontrollimi mjekësor.
Në një takim në Tuz, pas orarit të punës, e pyeta:
-Si e kalon me pacientët?
-Zakonisht e kalojmë mirë. Shpresoj se edhe ata ndahen të kënaqur me sjelljen, punën, kontrollin dhe mjekimin që ne ua bëjmë.
-A keni probleme në punën dhe profesionin Tuaj prej mjeku në vendin e punës?
-“ Jo, më tha. Probleme nuk kam pasur. Dhe nëse ato janë paraqitur ne i kemi zgjidhur aty për aty, nga se ne mjekët jemi për të qetësuar e shëruar të sëmurët. Dhe jo vetëm ata, por kontaktet dhe bisedat me përcjellësit dhe të afërmit e tyre në të shumtën e rasteve e kanë bërë të vetën”.
-Si sillen pacientët apo përcjellësit e tyre kur vijnë në kontroll tek Ju?
-Ne jemi këtu për t’i ndihmuar dhe shëruar të sëmurët. Ndaj tyre sillemi në nënyrën më të mirë të mundshme, pasi kjo është detyra jonë që e kemi zgjedhur vetë. Ndërsa pacientët dhe përcjellësit e tyre e vlerësojnë shumë këtë veprim, andaj edhe janë mirënjohës dhe falënderues. Kjo na bënë të ndjehemi mirë dhe na jep shtysë që të vazhdojmë punën tonë- mjekimin e të sëmurëve.
-Puna e mjekut është pa orar, pasi e tillë është edhe sëmundja tek njeriu.Ju duhet të jeni në gatishmëri edhe në ditët e pushimit pasi rastet janë nga më të ndryshmet. Si ia dilni të jeni njerëzor me pacientët?
-Ana profesionale në fushën e mjekësisë është e lidhur ngushtë edhe me ndjesinë njerëzore. Nëse nuk e ke të dytën nuk mund të jesh i suksesshëm as tek e para, mu përgjigj ai. Në fund të kësaj bisede të shkurtër e të sinqertë me thjeshtësinë që e ka karakterizuar ngaherë doktor Abedini kujton në fillimet e punës së tij se “nuk ishte aq e thjeshtë të përballej me të sëmurin për një mjek pa shumë përvojë si ai, por gëzohej kur njerëzit i thonin: “ Je doktor i mirë!”
Falë punës me përkushtim të dr. Abedin Axhoviqit në Shtëpinë e Shëndetit në Tuz, ku ka punuar shumë vite ishte dhe mbeti një nga ata mjekë, bashkë me kolegun e tij të ndjerë dr. Lukë Gjokajn, që nuk e ka humbur besimin ndaj parimeve të Hipokratit, për të cilat është betuar para më se tri dekada të shkuara kur përfundoi me sukses Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë. Një besnikëri që tregon shumë për vlerat e karakterit të tij, duke qenë se profesionin e mjekut dhe specializimin si mjek i mjekësisë së përgjithshme erdhën si rrjedhojë e zgjedhjes personale.
Doktor Axhoviqi fitoi autoritet dhe besueshmëri të gjerë në Malësi për karakteristikat e tij humane e njerëzore, të cilat nuk i ka humbur me kalimin e kohës deri në vdekje. Ai dinte të shpjegojë me një gjuhë të thjeshtë –me të folmen e Malësisë, gjendjen shëndetësore të pacientit, duke fituar kështu bashkëpunimin dhe besimin e të sëmurit, që cilido profesionist me përvojë e di se është thelbësisht e rëndësishme për të fituar betejën me çdo sëmundje. Ky njeri i mirë dhe humanist është një nga ata mjekë që, duke gërshetuar përvojën me bamirësinë, ia doli të ngrisë popullaritetin e tij në Malësi dhe kudo tjetër ku ka punuar. Ndihmesa e pakursyer dhënë njerëzve si mjek i palodhur shënon kontributin e tij të veçantë në përkujdesjen e pacientëve. Figura e tij është vlerësuar lartë në Malësi, si një figurë e mjekut profesionist, të palodhur dhe humanist i shquar, i cili gjithmonë ka përcjell vetëm mirësi e buzëqeshje tek njerëzit që e kanë rrethuar dhe me të cilët është shoqëruar.
Vdekjen e tij Malësia e përjetoi si një humbje jo vetëm për familjen, por edhe për tërë qytetarët e kësaj trevë. Malësia humbi doktorin që ishte i të gjithëve, i gatshëm që në çdo rast dhe në çdo kohë të jetë në shërbim të secilit njeri që kishte nevojë. Doktori i nderuar krahas mjekësisë është marrë edhe me politikë, ku u aktivizua që nga viti 2009 Ka qenë kryetar i Komunës Urbane të Tuzit në periudhën 2014-2019. Malësia, e them me bindje, se përherë do ta nderojë doktorin e saj të përkushtuar. Nder dhe respekt për jetën dhe veprën e doktor Abedin Axhoviqit !
Gj. Gjonaj
