Kontribut në udhëheqjen e Qendrës për Kulturë dhe zhvillimin ekulturës në Ulqin

Sari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, posaçërisht në zhvillimin e Qendrës për Kulturë në Ulqin, gjatë dhe pas tranzicionit. Ai ishte shembull se si duhet të duket udhëheqësi i një institucioni, siç është Qendra për Kulturë, ku ai ishte në postin e drejtorit

Sari Resulbegu ka ndërruar jetë në vitin 2014, por kujtimi për të është ende i përditshëm në mendjen time, gjithashtu edhe të shumë miqve dhe të njohurve të tij që ende jetojnë. Sa herë që e përmendim futbollin, kur luanim si fëmijë në Fushën e Topave, pak më vonë edhe lojërat e shahut, në Ranë dhe te Durra, pastaj Kllapën dhe muzikën të cilën ai e bënte me shokët e tij në Hotelin “Bellevue”, gjithmonë e kujtojmë me mall.
Kështu që pas një distance kohore nga ndërrimi jetë i tij, po e shkruaj këtë përkujtim për të ndjerin Sari Resulbegu, gjë që përbën një sfidë të madhe për mua. Të shkruaj dhe ta kujtoj shokun dhe mikun tim të ngushtë, me të cilin jemi rritur brenda mureve të Kalasë sonë e kam pasur gjithmonë në mendjen time.
Kam pasur dhe kam emocione të thella, pasi që shumë kujtime, që nga fëmijëria dhe më vonë kur u rritëm, na kanë lidhur fort mua dhe të gjithë të tjerët përgjithmonë, kështu që këto lidhje janë dhe kanë mbetur më të forta se bedenat e Kalasë sonë shekullore.
Sari ndërroi jetë në moshë relativisht të re, por kujtimet për personalitetin e tij kanë mbetur në kujtesën tonë përgjithmonë. Prandaj ta kujtojmë dhe mos ta harrojmë kurrë.
Ne nga Kalaja, shokët e tij të cilët ende jemi në këtë botë, e kujtojmë me mall, respekt dhe me pietet të veçantë pasi që Sari ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë në vitin 2014. Ai ka ndërruar jetë, por jam më se i sigurt që i Madhi Zot e ka marrë nën hijen e Arshit të tij në Parajsë, aty ku ai e ka vendin!
Vdekja e parakohshme e Sarit ishte një humbje e madhe për familjen e tij, por edhe për gjithë fisin e madh të Resulbegëve. Për shokët e miqtë e tij të shumtë që i ka pasur, në veçanti edhe për të gjithë kalalitë.
Sari është ndarë prej kësaj bote, por kujtimi i figurës së tij markante do të mbetet për të gjithë ne në kujtesë përgjithmonë. Ai ishte një njeri i butë, i sinqertë, modest, një njeri i mirë i cili pa dyshim ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës në Ulqin. Ai ishte gjithmonë i qeshur, elegant, i veshur bukur. Sari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, posaçërisht në zhvillimin e Qendrës për Kulturë në Ulqin, gjatë dhe pas tranzicionit. Ai ishte shembull se si duhet të duket udhëheqësi i një institucioni, siç është Qendra për Kulturë, ku ai ishte në postin e drejtorit.
Duke filluar që nga fëmijëria dhe më vonë kur u rritëm, gjithmonë kemi qenë dhe kemi mbetur të pandarë. Tërmeti i vitit 1979 shkaktoi dëme shumë të mëdha dhe bëri që shumë nga kalalitë të shpërngulen nga Kalaja, mirëpo gjithmonë në zemrat dhe shpirtin e tyre Kalaja ka mbetur vendi i lindjes dhe i qytetërimit, dhe të gjithë pa dyshim kanë mbetur kalali të vërtetë. Kështu ka ndodhur edhe me familjen e njohur të Zenel Resulbegut të fisit të madh të Resulbegëve.
Prandaj ky shkrim kushtuar Sarit, këtij njeriu të edukuar në frymën e kësaj familjeje me gjene të forta nga fisi i madh dhe i njohur Resulbegu, janë një kontribut i imi modest, një kujtim për Sarin e dashur.
Në vitin 1993 themeluam një ndër organizatat joqeveritare të para në Ulqin dhe në Malin e Zi, Shoqatën “Kalaja”, ku të gjithë kalalitë me automatizëm u bënë anëtarë të barabartë të saj.
Kur e themeluam Shoqatën kemi pasur shpresë edhe më të madhe, falë përkushtimit të Sarit për rivitalizimin e Kalasë. Sari në rolin e drejtorit të Qendrës për Kulturë të Ulqinit ka dhënë një kontribut të veçantë, pasi që ai ishte i lindur kalali. Veçoj se Qendra për Kulturë ka pasur dhe ka qasje në pjesën më të bukur dhe më të madhe të Kalasë, pjesën muzeale, sheshin më të bukur në Mesdhe, kurse në hapësirat e tij organizohet Festivali “Skena Verore”. Kjo ishte edhe ura lidhëse dhe shpresa më e madhe për të mbijetuar gjatë Shoqatës “Kalaja”.
Lojërat e futbollit në “Fushën e Topave” brenda Kalasë dhe në turne të tjera, pastaj lojërat atraktive të shahut në Restorantin “Tri Ribara” në Ranë, pastaj te “Durra” dhe më vonë edhe në Qendrën për Kulturë ishin takime të përditshme.
Në kohën e artë të turizmit në Ulqin, kur unë isha përfaqësues i agjencisë turistike më të madhe ”Kompas” nga Lubjana, kemi organizuar gjatë viteve ’80 shëtitje me anijen “Sveti Ante”, mbrëmjet romanike në det, të quajtura “Serenata në det“. Si adhurues i detit, Sari vinte shpesh si mysafir i imi dhe i gjithë ekuipazhit të anijes, ku unë isha organizator. Shpeshherë bënte muzikë me kitarën e tij.
Mirëpo, pak më parë, në vitet e ‘90 në veçanti, më ka mbetur në kujtim takimi ynë i përbashkët me të madhin – mikun tonë të shtrenjtë, tashmë gjithashtu të ndjerin Moikom Zeqo, për të cilin jam më se i sigurt që ende edhe sot na përcjell nga parajsa, ku ai pa dyshim e ka vendin aty.
Me ftesën e Shoqatës “Kalaja”, Moikomi e vizitoi Kalanë e Ulqinit, ku unë isha shoqëruesi dhe bashkëbiseduesi i tij gjatë vizitës së tij, kurse pjesën e dytë të vizitës Sari.
Ishe ky viti 1990, gjatë kohës së tranzicionit në shteteve të Ballkanit, ku iu mundësua edhe disa personaliteteve të kulturës edhe fushave të tjera nga Shqipëria që të dalin jashtë kufijve të shtetit, i cili në kohën e komunizmit ishte i izoluar dhe me kufij të mbyllur.
Mirëpo edhe më vonë me Moikomin kemi pasur takime, por vizita e parë na ka mbetur përgjithmonë në kujtesën tonë. Gjithmonë kam pasur kënaqësi të veçantë që nganjëherë kam pasur nder ta takoj dhe të bisedoj me të.
Këtë vizitë e ka dokumentuar edhe kamera e Televizionit Shqiptar, e cila ishte duke e përcjellë këtë njeri kaq të madh të kombit tonë anembanë botës.
Në pyetjen time në Portën e Kalasë, te Kroni i Skurajve, se kush do të flasë për historinë e Kalasë, bëri një buzëqeshje dhe më lejoi mua. Shumë mësova nga ai, i cili pa dyshim ishte një enciklopedi e madhe. Edhe Sari ishte me ne, në rolin e drejtorit të Qendrës për Kulturë të Ulqinit.
Ky njeri me titull “Mjeshtër i Madh”, shkrimtar, autor i shumë librave, drejtor i Muzeut Kombëtar, historian, specialist i artit antik, një enciklopedi “me dy hard disqe në kokën e tij”, e vlerësonte shumë edhe akademikun malazez, po ashtu të ndjerë tani, Pavle Mijoviq.
Duke folur unë, Moikomi e vërejti se unë më së shumti i përmbahem akademikut Pavle Mijoviq, dhe ai me një respekt të veçantë më tha se është mirë t’u përmbahen mendimeve të tij në lidhje me historinë e Ulqinit. “Mijoviqin e respektoj shumë”, u shpreh ai. Ishte një satisfaksion i madh për mua. Edhe ne mësonim shumë nga ky njeri.
Ende edhe sot si shoqërues i shumë grupeve të turistëve nga vendi dhe bota (pavarësisht se nuk jam historian) i përmbahem akademikut Mijoviq, kështu që kurrë nuk e harroj mendimin e Moikomit.
Pas tri orëve mësuam shumë nga ai, por edhe ishim krenarë që u njohëm. Më vonë, disa herë ka ardhur në Ulqin dhe në Kalanë e tij. Ishte edhe në dy përurimet e librave të mi.
Gjithmonë kam pasur kënaqësi të bisedoj me Moikomin, me përjashtim siç ndodhi herën e fundit kur më tha se vuaj nga një sëmundje e keqe. Nuk i besova, sepse ishte vështirë të bindem, dhe i thashë se je “shëndosh si topi” (siç themi ne këtu në Ulqin) dhe je më i pashëm se unë. Më përqafoi dhe më shtrëngoi fort. Pas një kohe, në qershor të vitit 2020, Moikomi ndërroi jetë, por tek unë ai ka lënë mbresa të jashtëzakonshme, të paharruara. Nuk e harroj kurrë dhe sipas mendimit tim, na mungon të gjithëve, i mungon kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.
Ulqinit dhe kulturës sonë i mungon edhe Sari Resulbegu dhe për këtë kam pasur dëshirë tash një kohë të gjatë t’ia kushtoj një shkrim modest, disa rreshta në kujtim të shokut dhe mikut tim që nga fëmijëria.
Derisa Sari ishte drejtor i Qendrës së Kulturës – Ulqin kemi pasur disa mosmarrëveshje lidhur me organizimin e Skenës Verore në Kala. Duke mos e “kuptuar” fare rolin e OJQ-ve, kam menduar se duhet të pyetemi dhe të konsultohemi mirë, edhe ne si shoqatë, në veçanti unë si kryetar i Shoqatës, për përmbajtjen e “Skenës Verore” pasi Shoqata “Kalaja” si veprimtari kryesore ka ruajtjen, mbrojtjen dhe ngritjen e kulturës sa më lart dhe më mirë. Ky ishte qëllimi i shoqatës sonë, sepse “Skena Verore” organizohet në vendin më të shenjtë të Kalasë. Këtij mendimi i qëndroj edhe sot dhe do t’i përmbahem gjithmonë.
Mirëpo Qendra për Kulturë është institucion dhe Sari e ka pasur rolin kryesor në organizimin e Skenës Verore, kurse ne si shoqatë dhe unë jo. Më vonë i kam kërkuar ndjesë pasi që e kam kuptuar se Sari ka pasur të drejtë.
Ende edhe sot i kërkoj falje, pavarësisht se ka ndërruar jetë në vitin 2014. Duke parë se sa e varfër është Skena Verore viteve të fundit, them se Sari ka qenë më i suksesshmi si udhëheqës i saj. Falë autoritetit të Sarit, mysafirët e ftuar nga fushat e artit, muzikës dhe kulturës në përgjithësi, si edhe aktorët më të njohur nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosnja, Kroacia kanë qenë gjithmonë pjesëmarrës në “Skenën Verore” në Kalanë e Ulqinit. Natyrisht kushtet financiare i arsyetojnë edhe disa të tjerë më vonë, por jo të gjithë, sepse të gjithë i ka vendosur në ato poste politika.
Edhe Dr. Nail Dragën e ka vendosur politika, mirëpo ai ka qenë guximtar dhe trim. Gjithmonë gjenden mjete financiare, por duhet ditur t’i kërkosh.
Edhe disa të dhëna për Sarin. Ka lindur në Kalanë e Ulqinit në vitin 1946 dhe ka ndërruar jetë në vitin 2014. Ka shkruar dy libra, që kanë një peshë të veçantë: “Resulbegët dhe ngjarjet historike të Ulqinit” (1995) dhe “Nga Olciniumi deri në Ulqin” (1998), si edhe shumë shkrime në revista të ndryshme të Malit të Zi, në gjuhën shqipe dhe atë malazeze. Sari ka studiuar dhe është arsimuar si jurist në Fakultetin Juridik në Sarajevë. Mirëpo, nuk është për t’u çuditur pasi që në edukimin dhe arsimimin e Sarit kanë ndikuar gjenet e forta të Resulbegëve, kësaj familjeje bejlerësh të formuar në Kalanë e Ulqinit. Babai i tij Zenel Resulbegu ka kryer studimet në Klagenfurt dhe Graz të Austrisë, kurse bijtë e tij Dr. Shuajbi në Beograd, si njëri ndër gjinekologët më të njohur në të gjithë rajonin dhe hapësirat e ish-Jugosllavisë. Dhe në fund, më i riu Fatmiri – Faqoja i ka kryer studimet për stomatologji në Beograd. Prandaj asgjë nuk është e rastit në jetë, gjenet e forta të Resulbegëve janë në gjakun e tyre dhe kjo ka ndikuar që asgjë mos të mbetet anash pa u realizuar.
Miku im Sari do të ishte krenar që i biri i tij Faruku trashëgon gjenet e forta të Resulbegëve pasi që ai është bërë një jurist i njohur, duke u zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi. Prandaj Sarin dhe njerëzit si ai duhet t’i kujtojmë dhe mos t’i harrojmë kurrë, sepse ata janë trashëgimia jonë e lavdishme.
Inshallah shpirtrat e tyre gjejnë prehje në xhenet!
Rahmet paçin!

Ismet Karamanaga

Të fundit

më të lexuarat